Shumë lajme në median online janë vetëm shpifje
Nga Bernd Borchardt*
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është e përfshirë në zhvillimin e medias në Shqipëri që prej 21 vjetësh. Ndër të tjera, ne kemi mbështetur në mënyrë aktive:
• vetërregullimin e medias, si alternativë ndaj rregullimit të medias nga ana e qeverisë;
• rritjen e nivelit të profesionalizmit të gazetarëve, edhe përmes trajnimeve;
• procesin e kalimit nga transmetimet analoge në ato numerike;
• pavarësinë financiare dhe politike të radiotelevizionit publik;
• reformën e Kodit Penal në lidhje me shpifjen;
• si dhe zhvillimin dhe rregullimin e medias online.
Gjithashtu, gjatë këtyre 21 viteve, ne kemi ndjekur në vijimësi situatën dhe kemi ngritur zërin kur kemi parë që liria e medias, liria e shprehjes, ose siguria e gazetarëve janë vënë në rrezik, qoftë nga kërcënimet ndaj gazetarëve, deri te sulmet fizike, qoftë kur ka pasur nisma ligjore deri te reklamimi preferencial nga ana e qeverisë.
Thënë shkurt, Prezenca mbështet lirinë e medias si dhe zhvillimin e saj; diçka që dihet nga të gjithë gazetarët shqiptarë, si edhe nga partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë.
Liria e medias ka përparuar përgjatë dhjetëvjeçarit të fundit, por ka ende shumë për t’u bërë.
• Shqipëria duhet të çkriminalizojë plotësisht shpifjen. Ky është një rekomandim nga ne dhe nga ODIHR-i, në kuadrin e reformës zgjedhore. Edhe pse Kodi Penal nuk parashikon më dënim me burg për këtë vepër, gazetarët përballen me gjoba dhe dënime penale në rast se shpallen fajtorë.
• Dispozitat e Kodit Civil janë më se të mjaftueshme për të dënuar shpifjen. Madje, edhe dispozitat e Kodit Civil mund të paraqesin rrezik dhe të frenojnë lirinë e shprehjes, nëse përdoren masivisht dhe si një sulm i gjerë kundër gazetarëve.
• Radiotelevizioni publik duhet të funksionojë i pandikuar nga kontrolli politik, pasi roli i tij i vërtetë është të jetë partner i qytetarëve, i vetë shtetit, si edhe i sektorit tregtar.
• Rregullimi i portaleve online, përfshirë portaleve të medias, është çështje e ditës. Ky rregullim duhet të kryhet duke respektuar plotësisht standardet ndërkombëtare, duke treguar kujdes dhe vëmendje për të mos cenuar lirinë e medias, përmes konsultimesh të gjera dhe transparente, si dhe duke respektuar parimin e përpjesëtueshmërisë. Prezenca e OSBE-së është e gatshme të ofrojë mbështetje përgjatë kësaj nisme dhe e mirëpresim angazhimin që kryeministri Rama shprehu dje në këtë drejtim, në takimin me Përfaqësuesin e OSBE-së për Lirinë e Medias.
Nga ana tjetër, Prezenca e OSBE-së nxit profesionalizmin dhe përgjegjshmërinë e medias gjatë raportimit. Me sjellje etike dhe profesionalizëm, mediat dhe vetë gazetarët duhet të bëjnë pjesën e tyre për të arritur respektimin e lirisë së medias. Thënë troç: mos prisni nga politikanët të mbrojnë profesionin tuaj; këtë gjë duhet ta bëni vetë.
• Shoqatat e mediave, sindikatat e gazetarëve, pronarët e mediave duhet të përkrahin vetërregullimin e medias si alternativë ndaj rregullimit qeveritar të saj.
o Është më mirë të kemi një Kod Etike për Median që respektohet dhe zbatohet, se sa dispozita të Kodit Penal;
o Dua të theksoj se liria e medias nuk nënkupton liri si në Perëndimin e Egër; liri nuk do të thotë anarki; liria e medias kërkon standarde profesionale, të mishëruara në parime, rregulla dhe rregullore. Praktika më e mirë është që vetë gazetarët të hartojnë kode etike për median dhe t’i zbatojnë ato me anë të organizatave për vetërregullimin e medias.
• Nëse nuk veproni ndaj gazetarisë së kopjimit (copy/paste), nëse nuk ndërmerrni veprim sindikal ndaj informalitetit në punësim, nëse pranoni kontroll redaksional nga pronarët, atëherë edhe ju jeni përgjegjës për situatat me të cilat përballeni.
• Liria e medias dhe liria e shprehjes nuk mund të përdoren si shfajësim për të përhapur shpifje dhe lajme të rreme, që u shkojnë për shtat interesave të caktuar politikë dhe ekonomikë. Edhe Prezenca e OSBE-së ka qenë vetë viktimë e këtyre sulmeve, prandaj e di mirë se ç’them.
• Kjo gjendje është veçanërisht problematike në rastin e medias online në Shqipëri.
o Ka me qindra faqe interneti që thjeshtë nxjerrin lajme pa cilësi, duke kopjuar trillime.
o Shumë informacione janë tejet të interpretueshme dhe mund të shihen si shpifje; ndërsa informacione të tjera janë thjesht shpifje dhe kaq.
o Pronësia e këtyre faqeve interneti shpesh është jotransparente. Është gjetur një në Kolumbi. Interesante.
o Burimet e financimit të këtyre faqeve janë të paqarta.
o Rregullimi i mediave online është i nevojshëm, por kjo duhet bërë, sikurse thashë më herët, në mënyrë përpjestimore dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut përcakton standardet dhe udhëzimet.
Lejomëni të jem i qartë: Shqipëria sot është demokraci. Media dhe gazetarët këtu nuk përballen me kontrollin politik dhe me shtypjen e egër tipike të regjimeve diktatoriale ose autoritare. Ama, nuk duhet të fshehim as faktin që Shqipëria ka shumë rrugë për të bërë deri në hartimin, miratimin dhe zbatimin sistematik të standardeve më të mira në fushën e rregullimit të medias.
Barabar, vetë mediat shqiptare nuk kanë arritur atë nivel profesionalizmi, sjelljeje etike dhe vetërregullimi kolektiv, që është i domosdoshëm për pavarësinë dhe zhvillimin e mëtejshëm të tyre. Kur them pavarësi, e kam fjalën për pavarësi si nga forcat politike, ashtu edhe nga manjatët e medias.
Prandaj, jam i lumtur të shoh që forumi i sotëm po trajton problemet e vërteta, problemet e ditës, të medias në Shqipëri. I uroj këtij forumi përfundime të frytshme dhe shpresoj që ai do të shërbejë si nxitje e mëtejshme për përparimin e kauzës së lirisë të medias në Shqipëri.
*Fjala e Kryetarit të Prezencës së OSBE në Shqipëri, ambasadorit Bernd Borchardt, në Forumin IV Vjetor për Zhvillimin e Medias, të organizuar nga Prezenca.