Si autobuzë unaze, që nuk takohen kurrë
“Rinis beteja epike e llogoreve politiko-financiare për parkun e Liqenit ku të gjithë betohen ta mbrojnë, por ai çuditërisht tkurret sikur e sulmojnë alienët. Të dielën, po buzë liqenit, pati dhe betejë mes demonstruesve dhe policisë. Trup më trup si dikur partizanët me gjermanët në Tendën e Qypit. Në Tiranë, partizanë e gjermanë janë bashkë, kurse Gjermania është ëndrra për azil e gjithë nipërve të sotëm të partizanëve të djeshëm”…
Nga Lorenc Vangjeli
Po të ndiqet një javë politike në Tiranë ngjan se është duke u ndarë pushteti dhe ka ndeshje pushteti në një vend me mbi 250 milionë banorë, me të ardhura vjetore rreth 100 mijë dollarë për frymë, me ushtrinë e dytë më të madhe në botë, me rezerva të pafundme nafte dhe uji, me armë bërthamore dhe rritje të qëndrueshme ekonomike rreth 13 për qind në vit. Edhe java e tretë e shkurtit ishte rregulli fatkeq që nuk njeh përjashtim. Ende pa ikur nga Tirana Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry, Tirana u rikthye në anormalitetin e saj normal. Duke nisur me trafikun e rrëmujshëm, me mimozat që bëhen çdo vit flija e trishtueshme për të dashuruarit dhe hipokritët e dashurisë, me politikanë e profanë të politikës dhe një shumicë të heshtur që rend në heshtje për mbijetesën e përditshme. Vetë vizita dhe mesazhet e Sekretarit Amerikan të Shtetit u trajtuan si rebus që duhej zgjidhur. Si ekuacion me shumë të panjohura, ku të gjithë tentonin privatizimin e variablit më të lartë të dashurisë amerikane në këmbim të besnikërisë e shërbesës shqiptare.
Duke nisur me të hënën dhe me një kulm drejt fundit të javës, në Tiranë ndodhi gjithçka. Në fillim Rama e Basha sulmuan njëri-tjetrin me të gjitha vezët e zakonshme bardh e zi të shportës së tyre politike. Po në të njëjtën ditë, arsyet e takimit të munguar të Sekretarit Amerikan Kerry me kryetarin e Kuvendit Meta, morrën përmasa konspiracioni. Të hënën debati për daljen e presidentit në aeroport për pritur shtetarin e lartë amerikan, u bë thikë me dy presa që priste nga të gjitha anët. Rama thotë se i kishte ardhur keq që e kishte parë Presidentin me kostum si shef protokolli, Nishani përgjigjet se i kishin thënë amerikanët të dilte tek shkallët e avionit. Të martën e njëjta zallamahi vazhdoi me të njëjtin intesitet deri në momentin që largimi i ministrit të financave dhe zëvendësimi i tij me firmë të kryeministrit, shkaktoi vetëm një moment frymëmbajtjeje: iku ai që normalisht ikën i parafundit.
Si rregull, ministri i financave është si ndihmëskapiteni i një anijeje, e braktis atë vetëm një çast para kapitenit. Por kaq. Lehtësia me të cilën trajtohen situatat në serioze në Tiranë janë thjesht qesharake.
Kryeministrit i sulet edhe Basha, edhe Blushi për këto lëvizje, kurse ish-ministrin e financave më fort se kushdo e mbron ish-kryeministri që rrëfen se ka vetëm një pasion: t’i dalë e të trembë ëndrrat e Ramës!
Rinis beteja epike e llogoreve politiko-financiare për parkun e Liqenit ku të gjithë betohen ta mbrojnë, por ai çuditërisht tkurret sikur e sulmojnë alienët. Të dielën, po buzë liqenit, pati dhe betejë mes demonstruesve dhe policisë. Trup më trup si dikur partizanët me gjermanët në Tendën e Qypit. Në Tiranë, partizanë e gjermanë janë bashkë, kurse Gjermania është ëndrra për azil e gjithë nipërve të sotëm të partizanëve të djeshëm.
Saga vazhdon. Kryeministri nga Kavaja bën humor me akuzat për dekriminalizimin, në një “retro wikileaks”-i një ish-kryeministër socialist u thotë amerikanëve të ambasadës se Rama ka të njëjtin stil drejtimi si Berisha dhe kështu me rradhë e me rradhë çdo ditë. Të enjten e Doktorit ndodh përjashtimi në rregullin ekstrem: Vokshi dhe Beqja shkëmbejnë urime njerëzore me njëri-tjetrin; Joleza jep një intervistë të mençur e serioze duke u tallur me të gjithë kritikët e saj sipërfaqësorë; mbi të gjitha, të gjithë rendën të urojnë me të njëjtat fjalë e gjeste Pavarësinë e Republikës së Kosovës. Dhe këto janë përjashtimet. Për rikthimin në normalitet mendoi Doktori e Balla që vazhduan duelin si çift, në kohën kur Rama nuk është në sallë për garën strikte me batuta me Doktorin.
Të premten, ndërkohë që ministri i financave dhe i ekonomisë nuk janë dekretuar ende, një ministre i kujton Presidentit se mund ta shkarkojnë nga puna. Vetë Presidenti i kërkon mendim Gjykatës Kushtetuese se çfarë duhet të bëjë, kurse kryeministri i hedh kunja nga larg. Një tjetër betejë që pas një jave do të ketë fatin që meteorologët i japin tundjeshkunjdes së gotës në tavolinë.
Rama vazhdon turin e antarësimeve nëpër qytete dhe Blushi vazhdon t’i përgjigjet me të njëjtat udhë.
Të premten ishin të dy në Korçë, por e panë njëri-tjetrin vetëm në darkë në televizor. Janë bërë si dy autobuzë unaze që janë gjithë ditën në rrugë, por nuk takohen kurrë. Përveçse në parking.
Në të gjithë këtë rrëmet lajmesh ku nuk përfshihen buletinët e ministrisë së brendshme apo procesi i “xhihadistëve” shqiptarë në gjykatën e Tiranës. Nuk përfshihet as zbulimi spektakolar për herën e pafundtë tashmë të së vërtetës për vrasjen e ish-kryeministrit Mehmet Shehu; së fundi dikush tregoi se i kishte thënë dikush që e kishte dëgjuar nga dikush se Shehun e kishin vrarë në shkallët e kryeministrisë. E tregoi kushëriri i parë i nipit të gruas së ndjerë të vëllait të komshiut të kuzhinierit të klubit të SHQUP-it. SHQUP-i është vendi ku dikur ushqeheshin vërtet oficerët e Hoxhës dhe sot gatuhet opozitarizma e kultivuar e Bashës. Në listën e lajmeve tronditëse të javës së tretë të shkurtit nuk përfshihet as Xhesika, natyrisht, për të cilën një djalë i përkorë si Kel Demi ka nisur një serial editorialesh.
Po të martën e tretë të shkurtit, media publikoi një fjalim me Muxhahedinë të dy viteve më parë në Paris të ish-kryeministrit Majko. Fjalimi i tij u duartrokit pafund. Njëlloj madje shumë më shumë se po të fliste në Tiranë. Me Ben Malajn pas shpine, duke cituar ish-presidentin amerikan Kenedi dhe duke perifrazuar Martin Luter Kingun në të njëjtën kohë, Majko tha se ishte Muxhahedin që kishte një ëndërr: ëndrrën që të hante një akullore iraniane në Teheran. Zoti Majko është dhe konsiderohet pa dallim nga miqtë e armiqtë si një nga politikanët më proamerikanë në Tiranë. Dhe ky është rregulli. Përjashtimi vjen kur me një ngut naiv ballkanas, shumëkush tjetër betohet për Amerikën në Tiranë dhe prodhon akullore me stil nga Teherani. Dhe kur pothuaj të gjithë vijnë vërdallë si autobuzë unaze që janë tërë kohës në rrugë, por nuk takohen kurrë! Njëlloj si në javën e tretë të shkurtit kur Shqipëria ngjau si zakonisht fusha e betejës për pushtet në një vend me armë bërthamore. (Java)