Si do reagojë Moska ndaj Prishtinës dhe Tiranës pas…
Nga: Artur ZHEJI
Arrestimi që i bëri Policia e Kosovës, Marko Gjuriçit, drejtor i zyrës për “Kosovën dhe Metohinë” pranë qeverisë së Serbisë, ishte një xhest i fortë dhe një sfidë e fortë.
Ndoshta mund të evitohej forma e përzgjedhur e arrestimit dhe ashpërsia e tepruar e forcave policore, të pajisura deri në dhëmbë me armatim anti-terror, ndaj politikanëve të paarmatosur serbë që u shfaqën në video. Mund të kishte një teknikë më soft, që të mos ushqente makinën e propagandës serbe.
Por arrestimi ishte një mesazh i qartë: “Provokimet në territorin e Kosovës nuk tolerohen më!”
Sigurisht Serbia dhe presidenti Vučič mund ti lejojë vetes një telefonatë direkte me super presidentin rus, Vladimir Putin dhe kjo është shqetësuese, ndërkohë që në dukje, ai vetëquhet si prooksidental. Ndoshta duhet të kishte kërkuar një lidhje direkte me Brukselin apo me kancelaren Merkel, ku edhe kërkon mbështetje financiare dhe reformatore.
Por ja që në momente ligështie dhe ankthi, presidentin serb, me sa duket e kanë lëshuar nervat dhe dora i ka shkuar te “telefoni i kuq” me Vladimir Putinin, si një mbështetje inkurajuese apo si një shantazh ndaj Prishtinës, por edhe ndaj Brukselit, Berlinit apo Uashingtonit.
Nga njera anë, kjo e forcon pozicionin e Kosovës, porse e vendos Kosovën e Vogël në qendër të tensioneve shumë të mëdha Lindje-Perëndim. Shpejt dhe dukshëm i doli “koka”, krahasimit gjeo-politik që Vladimir Putin bëri ca kohë më parë, ndërmjet Krimesë në Detin e Zi dhe Republikës së Pamvarur të Kosovës.
Ka padiskutim një lidhje, herë të dukshme dhe herë të padukshme, ndërmjet tensionimit në Kosovë, arrogancës dhe shpërfilljes që u bëri thirrjeve të autoriteteve shqiptare zoti Gjurič, arrestimit të tij, telefonatës Vučič-Putin dhe luftës së ftohtë, krejtësisht reale ndërmjet Perëndimit dhe Federatës Ruse.
“Loja” gjeopolitike do të jetë e ashpër dhe sapo ka filluar.
Shërbimet inteligjente janë në alarm të plotë dhe në aktivitet të ethshëm dhe padyshim Moska dhe krenaria e lënduar e Putinit, do kërkojë shpagim dhe fushëveprim, në Kosovë dhe në Shqipëri.
Sfida e kombinuar dhe aspak e rastësishme, e Prishtinës me Gjurič dhe e Tiranës me diplomatët rusë, do të ketë kundër reagime dhe qeveritë tona duhet të tregojnë se kanë sadopak “bythë”, për të qëndruar me dinjitet në krah të aleatëve Perëndimorë, jo vetëm me llafe dhe jo vetëm duke fryrë me babëzi, xhepat e tyre… /360grade.al/