Si do sillej sot një parti islamike shqiptare?
Forum E Premte, 16 Prill 2021 08:21
Nga Andi Bushati
Ngjarja e tmerrshme në Paris dhe zhdukja e një redaksie të tërë me plot 12 karikaturistë dhe gazetarë, nuk ka hapur vetëm debatin e lirisë së shprehjes, ndeshjes së civilizimeve dhe problemeve të identitetit që ka sot Europa. Përpos tyre ajo është shoqëruar, në Shqipëri, edhe me ringritjen e zërave se mos kriza sociale, kriza ekonomike dhe kriza e besimit në shoqërinë që po ndërtojmë këto dy dekada, mund të pasohet me krijimin e një force politike islamike.
Islami politik, një anë të portretit të të cilit e pamë të synonte pushtetiin në vendet ku pranvera arabe rrëzoi regjimet e korruptuara dhe të degraduara (në shumë aspekte të ngjashme me Shqipërinë), sipas dikujt mund të ketë një të ardhme edhe këtej nga ne nëse degradimi i sistemit çerekshekullor vazhdon me të njëtat ritme. Po të marrim vetëm shembujt e kohëve të fundit, një forcë e tillë mund të kishte shumë argument në terrenin e sotëm Shqiptar.
Nëse një parti islamike radikale do të ekzistonte sot, ajo mund t’i bënte thirrje njerëzve të tuboheshin rreth saj, pasi këtu të gjitha partitë janë provuar (të gjitha janë njësoj), mbrojtëse të së njëjtës kastë që po shkatërron këtë vend, duke shfrytëzuar pasuritë e tij, ndërtuar pa kriter, vjedhur pas hesap, harbuar pa limit e kështu me rradhë. Duke u bazuar në besimin se të gjithë përpara zotit duhet të jenë të barabartë, ajo mund t' i bënte thirrje elektoratit të fshikullonte njësoj si Sali Berishën, që erdhi në pushtet duke premtuar se do të ndëshkonte ata që laheshin në vaska të florinjta, si Edi Ramën, që po mundohet të koptojë për vete klientelën që Berisha s’pati fuqi ta prekte (por përkundrazi ta pasurojë edhe më tepër) po ashtu edhe Ilir Metën që është bërë si transportuesi i mëkatit nga njëri pushtet tek tjetri. Lufta kundër pabarazisë galopante dhe përndezja e zemrës së qindra mijra të vobektëve do të ishte kali i saj i betejës.
Nëse një parti islamike radikale do të ekzistonte sot, ajo nuk do ta mbante gojën mbyllur kundër këtij vendi të begatë për kriminelët, që mbeten gjithnjë jashtë burgjeve, herë se i shërbejnë njërës forcë politike dhe herë i shërbejnë tjetrës, për të ardhur në pushtet (rasti i fundit është tipik). Në këndvështrimin e tyre fondamentalist, denoncimi dhe më pas linçimi I këtyre elementëve, është një nga pikat kyçe që i shërben pushtetit totalitar që kanë ndërmend të ndërtojnë në të ardhmen.
Nëse një parti islamike radikale do të ekzistonte sot, ajo da ta kthente në kauzë të sajën përdorimin politik të trupës së mësuesve nga të gjitha palët. Ajo do të ngrinte zërin kundër përdorimit të këtij profesioni si një mall që shitet dhe blihet (me 3 mijë euro) në tregun e fëlliqur shqiptar. Ajo do ta ngrinte me të madhe shfrytëzimin seksual për të fituar një vend të tillë pune. Dhe me siguri, ajo do të bënte thirrje për t’i dhënë fund një tradite që fillon me rilindjen (feja e shqiptarëve është shqiptaria) e që vazhdoi me metodat arbitrare të komunizmit ateist (feja opium për popujt), traditë sipas të cilës, jo feja por kultura, jo kleriku por mësuesi, do të vendoseshin në qendër të jetës së një komuniteti. Një organizatë ‘vëllezërish muslimane” do të kërkonte rikthimin e hoxhës në qendër të jetës së fshatit.
Nëse një parti islamike radikale do të ekzistonte sot, ajo do ta shrytëzonte në maksimum rastin e turpshëm të videoskandalit seksual të një minoreneje, që ndodhi në një spital publik dhe që u shpërnda masivisht në You Toube. Thirrja e saj do të qe e qartë: më mirë mijëra femra të mbuluara me shami, apo qoftë edhe me burka, sesa vajza që trullosen me alkoool deri në mëngjes, e që pastaj bëhen pre e instikteve shtazarake të miqve të tyre. Qëndrimi i saj do të qe këmbëngulës: një femër e mbuluar as nuk është pre e joshjes, as nuk bie pre e instikteve shtazarake (sa përdhunime kemi sot në Shqipëri, nga meshkujt të frustruar nga mungesa e seksit, që i shohin adoleshentet e gjimnazeve dhe vajzat e universiteteve, me fundet që u lënë tu duket e gjithë gjatësia e kofshës dhe me dekolte që e lënë të shpërthejë gjithë joshjen e gjioksit). Në këtë rast, refreni i fondamentalistëve do të qe i qartë: “vajza mbulohuni”, kjo nuk ju pengon të studioni dhe të mësoni, por vetëm ju mbron nga fati i hidhur i simotrave tuaja fatkeqe.
Nëse një parti radikale muslimane do të ekzistonte sot, ajo nuk do linte pa shfrytëzuar as rastin e politikanëve të koruptuar shqiptarë, që plackisin vendin dhe i bëjnë qefin Amerikës duke pretenduar se ajo u’a zgjat qëndrimin në pushtet. Nuk do harronte gadishmërinë e liderëve për të cuar misione në vendet muslimane, Irak e Afganistan (madje pa u marë ende vendimi) që në dokumentat e famshme të wikiliksit përmblidhej me shprehjen: “Udhëheqësit shqiptarë janë të gatshëm të bëjën më shumë sesa duhet.
Këto janë vetëm disa hamendësime për mënyrën se si do të silljej një parti islamike radikale shqiptare në lidhje me ngjarjet që kanë ndodhur në këtë vend vetëm javët e fundit. Nëse do të shtyheshim më shumë në kohë mund të kishte edhe më shumë argumenta më të fortë dhe më të mprehtë, që do të vërtetonin në fakt të njëjtën gjë: atë se gjendja ku e kanë katandisur shoqërinë forcat politike cerekshekullore, mund të jetë premisë e lindjes së çdo lloj ekstremizmi.
Por për fat të mirë, kjo sprovë deri tani është vetëm një hipotezë. Në Shqipëri janë ngritur vetëm zërat e parë, ndërsa në Europën perëndimore po bëhen gjithnjë e më të shumtë shqetësimet për islamizimin e ardhshëm të shoqërive që tashmë kanë konsoliduar një traditë laike me frymëzim iluminist.
Si për ironi të fatit, pikërisht ditën që dy teroristë në Paris vendosën të sulmojnë të përjavshmen satirike franceze “Charlie Hebdo” në libraritë e Francës po pritej me ankth, romani i gjashtë provokues i një shkrimtari sa kontrovers, aq edhe të mprehtë, sa cinik aq edhe realist, Michel Houellebecq. Në librin e tij “Soumission” (Nënshtrimi), Houellebecq, që ka si motiv qendror të veprave të tij degradimin e shoqërive perëndimore kapitaliste, ku njeriu është gjithnjë e më i vetmuar e gjithnjë e më i pa shpresë, jep një zgjidhje të re për këtë gjendje njerëzore. Nëse në romanet e tjera, ai i ka gjetur rrugëdalje kësaj agonie herë duke profetizuar krijimin e një rrace tjetër njerëzore dhe herë duke imagjinuar “një pushtim të perëndimit” nga vendet emergjente, këtë rradhë, ai parashikon se Franca e viteve 2020 do të jetë nën një regjim islamist. Ku profesorët e Sorbonës konvertohen në muslimanë që të vazhdojnë të punojnë, megjithëse para hyrjes në leksion tre truproja kontrollojnë se mos “motrat e tyre” nuk janë të mbuluara. Në këtë rrëfim Franca e ka kaluar krizën si pasojë e petrodollarëve të ardhur nga gjiri persik, gratë kthehen në vatrat shtëpiake dhe meshkujt të kastruar nga konkurrenca, paraja dhe vetmia u rikthehen dëshirave të seksit, sepse tashmë kanë mundësinë të kenë nga 3-4 gra.
Por nëse provokimi i Houellebecq është thjesht letërsi, ku autori (dikur ai ka qenë në një proces gjyqësor, sepse ka deklaruar që islami është feja më idiote) nuk mban qëndrim ndaj subjektit që trajton. Në Francë janë bërë gjithnjë e më të dëgjueshëm zërat që e parathonë këtë rrezik. Teoricieni i së djathtës ekstreme, Renoud Camus, gazetari i njohur Erik Zemur, filozofi dikur idhtari i lëvizjeve majtiste të ’68-ës, Alain Finkelkiraut , kanë shfaqur të njëjtat meraqe në veprat e tyre të fundit. Makthi është i qartë: frika e islamizimit gjithnjë e më të madh të Europës perendimore. Por këtyre tezave u vihet përballë shpresa se demokaracia kapitaliste është një sistem që ka ditur ta korrigjojë gjithnjjë vetveten, ndaj dhe këtë rradhë do të dijë të shmangë polarizimin, margjinalizimin e minorancave dhe për pasojë ekstremizminin e tyre. Në Evropë, ka njerëz që kanë ende shpresë dhe këta janë shumica.
Po në Shqipëri? Sistemi ynë i brishtë ende nuk ka dhënë prova se di të vetëpërsoset. Kapitalizmi po bëhet gjithnjë e më i egër. Diferencat gjithnjë e më të mëdha. Elita drejtuese (politika, biznesi, mediat, gjykatat) gjithnjë e më e distancuar nga problemet reale. Ndaj frika se këtu mund të lindë një lëvizje politike radikale është shumë më e madhe sesa në ato vende të cilat kanë filluar të shqetësohen realisht. Një pjesë të argumentave tanimë i ka gati. (lapsi)