Si e njoha Hashim Thaçin…

Nga Blendi Fevziu

Nuk e di nëse fati e ka sjellë gjithnjë më momentin e duhur dhe vendin e duhur, apo Hashim Thaçi e ka kërkuar vetë fatin e tij! Javën e shkuar, ndërsa nga foltorja e Parlamentit paralajmëronte shpalljen e shpejtë të pavarësisë, ideja e parë që më erdhi ndër mend është se nëntë vjet më pas, më në fund historia i kishte dhënë të drejtë. Të drejtë deri në atë masë, sa po i rezervonte atij dhe jo dikujt tjetër, të drejtën për të formëzuar togfjalëshin historik që do t’i japë Kosovës pavarësinë. A mund të ndodhte ndryshe, pyeta veten dhe sinqerisht nuk dija se cila ishte përgjigjia më e saktë për këtë. Ende adoleshent e kishte kuptuar se lufta dhe vetëm lufta do të ishte shpëtimi për vendin e tij; kishte jetuar për vite më rradhë në ilegalitet; si një donkishot modern kishte besuar të pabesueshmen, fitoren e një lufte kundër Serbisë dhe Kosovën e lirë; pa mbushur të 30 tat ishte bërë Shef Politik i UÇK dhe partneri më i rëndësishëm në terren në luftën më të madhe të perëndimit të bashkuar kundër Millosheviçit; kishte zënë faqet e para të gazetave dhe ekranet e televizioneve. 29 vjeç ishte bërë Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme dhe një ditë, kishte hyrë fitimtar, së bashku me aleatët amerikanë në Prishtinën e lirë. Jam i sigurtë se atë moment besonte se ylli i tij ishte ngjitur lart dhe se asgjë nuk do ta perëndonte atë. Por i qe dashur pak kohë dhe qe venitur. Askush s’dinte të thoshte, si, pse? Kishte humbur dy palë zgjedhje, qe rrethuar nga mosbesimi i përgjithshëm, i kishte shtyrë shumë vetë të besonin se tashmë kish marrë fund dhe befas qe ringritur. Por jo një ringritje e zakonshme. Qe ringritur në një moment tejet të rëndësishëm të vendit të tij, thuajse historia e thërriste gjithnjë në një moment të tillë, për të firmosur në të, përfundimisht emrin e tij.
– Ti e di, ma tha një ditë në Prishtinë, në vigjilje të fitores së tij në zgjedhje, duke folur për rreziqet që e prisnin kur të shpallte pavarësinë. Në momente të rrezikshme unë dal gjithnjë mbi ujë!
Kishte të drejtë! Në fund, shpjegimi ishte fare i thjeshtë: njeriu që kishte ndihur aq shumë në çlirimin e Kosovës, do të firmoste edhe zyrtarisht pavarësinë përfundimtare të saj.
Ka qëlluar që në vitin 1999, në momentet e stuhisë politike të Kosovës ta njoh nga pranë. Nuk mbaj mend ekzaktësisht se ku e kam dëgjuar fillimisht emrin e tij. Padyshim në një ndër rrëfimet e miqve të mij, këshilltarë të Kryeministrit Nano që më kishin rrëfyer se si një ditë, ai kishte pritur në zyrën e tij ekipin e rëndësishëm të UÇK – së. Ishte fillim vjeshte i vitit 1997 dhe ata ishin tashmë një realitet. Ai duhej të ishte më i riu, me disa njohje të forta në Prishtinë dhe i aktivizuar, siç mësova më vonë, që herët me problemet që shqetësonin vendin e tij. Si student kishte trokitur në derën e Rugovës por nuk kishte marrë përgjigje prej tij. Dhe ishte strehuar në organizatat ilegale, gjysëm marksiste e nacionaliste dhe kishte besuar se shpëtimi është vetëm ky.
– Po iki, i kishte thënë Dukagjin Goranit, siç dëshmon Baton Haxhiu në librin e tij dhe qe zhdukur realisht për shumë vjet. Për t’u shfaqur sërish, 10 vjet më vonë, si komandant politik i UÇK – së. Njeriu i shënjuar për të çliruar Kosoëvn dhe për t’i dhënë asaj aleatin dhe ushtrinë më të madhe në historinë e globit, koalicionin e NATO – s.
E kam njohur për herë të parë në Hotel Rogner në Tiranë në Maj të 1999 në kulmin e fushatës ajrore të NATO –s kundër Millosheviçit. Në korridoret e hotelit ndodheshin kudo roje të shërbimeve sekrete, jo vetëm shqiptare. Garda e Republikës kishte rrethuar gjithçka, por ai ishte fare i çlirët. Dukej se ishte mësuar me rreziqet dhe ky i këtushmi, thjeshtë teorik, nuk e shqetësonte aspak. Kishte dalë nga Kosova nëpër po ato shtigje që i njihte vetëm UÇK dhe priste të nisej për në Bon, në një takim me Sekretaren e Shtetit Ollbrajt. U ul pak minuta me ne dhe ato çaste tentoi të përqëndrohej në bisedë. I takonte asaj kategorie njerëzish që janë tejet të vëmendshëm për bashkëbiseduesin, që e respektojnë atë, pavarësisht se sa rëndësi ka për të atë moment. Nuk ndenji gjatë, por m’u duk i vendosur dhe i qetë. Një qetësi që do ta përsëriste më vonë, fare thjeshtë, në të gjitha rastet e rrezikut, pa asnjë lloj alarmi brenda tij.
Ishte një moment i rrezikshëm, kur mbi 1 milion kosovarë kishin lënë vendin e tyre dhe disa qindra mijëra të tjerë jetonin të mbrojtur nga UÇK në brendësi të vendit, nën një kërcënim permanent. Por UÇK kishte filluar një ofensivë në Koshare dhe ai besonte se tashmë fitorja do të ishte e shpejtë.
Herën e dytë, u takuam në kushte krejt të tjera në zyrën e Arbën Xhaferrit, në selinë e PDSH – së në Tetovë. Prishtina ishte çliruar prej 24 orësh dhe ai me një pjesë të qeverisë së tij priste të hynte në Kosovë. Ishte i ri, kishim një moshë, në prag të të 30 – tave dhe nuk e di pse çdo moment më ngjante më i madh. Ishte i kujdesshëm në çdo gjë, dinte t’i vlerësonte gazetarët dhe të sillej me ta me afërsi. Na premtoi se do të shkonim bashkë ne Kosovë, me një helikopter ushtarak gjerman dhe kështu ndodhi vërtet. Ne fluturuam me të dhe ata që e shoqëronin dhe ato filmime mbeten pjesa padyshim më e bukur dhe dëshmia e vetme e rikthimit në Kosovë. I takonte të ishte euforik, por druaj se një eksperiencë e vjetër e luftës e frenonte ta shprehte këtë. Ajo që më binte në sy është se kërkonte aleancë me Prishtinën dhe protagonistët e saj, pavarësisht ndihmës dhe angazhimit të tyre në luftë. Gjë që komandantët e tjerë nuk vrisnin mendjen dhe as donin të dukeshin se e kishin ndër mend. Kishin fituar luftën, ishin triumfatorë dhe po fusnin në krahinën 90 vjet të shtypur ushtrinë më të madhe të globit. Kjo mjaftonte për ta. Thaçi duket se mendonte ndryshe. Me një instikt të vjetër si ai qe shqetesoi Napoleonin, ai e dinte se beteja e fituar në front duhet të fitohet edhe në qytet dhe padyshim, ushtria e tij ishte këtu më e pamundur se kudo.
Nuk e shlyej dot nga mendja vështrimin e tij nga dritarja e helikopterit. Shihte vazhdimisht poshtë dhe fliste pak. Nuk e di a e dinte se tashmë fillonte një betejë tjetër, më pak e lavdishme, më pak mediatike, por padyshim edhe e vështirë: beteja për çarmatimin e UÇK – së, kontrollin e saj civil, beteja për të fituar politikisht me Rugovën dhe mbi të gjitha, ajo që e shqetësonte më shumë: beteja për të fituar statusin e politikanit të çertifikuar në Prishtinë. Thaçi kish kuptuar atë që të tjerët nuk e ndjenin dhe ky ishte edhe fati i tij.
Kam qëndruar një ditë të tërë me të në një shtëpi të izoluar të malësisë së drenicës, ku ishte Shtabi i Përgjitshëm i UÇK – së. Një seli e mbushur me komandantë që e thërrisnin njëri – tjetrin gjeneral dhe që mbanin uniforma kamuflazhi dhe automatikë të sofistikuar. E vetmja gjë që të binte në sy qe se pak nga ata e njhinin frikën, por po kështu, shumë pak prej tyre qenë realistë. Nuk pyesnin sumë për të tjerët, nuk donin t’ja dinin për atë që ndodhte jashtë UÇK – së dhe besonin se ajo që kishin bërë me luftën dhe Kosovën, ju justifikonte gjithçka. Kam frikë se kishte brenda tyre shumë nga stili i partizanëve pas luftës më 1944 dhe druaja atë moment se pak shumë pak prej tyre do t’i mbijetonin stilit të ri të pas luftës, politikës në Prishtinë. Me përjashtim të Thaçit dhe Xhavit Halitit, vetëm Fatmir Limaj linte një përshtypje mbresëlënëse ndër ta.
Një ditë më vonë zbritëm në Prishtinë. Qyteti ishte i zbrazur, serbët endeshin ende nëpër ta, por miti i UÇK – së këtu ishte më i zbehtë. Druaj se qytetarët e saj, e kishin kuptuar se lufta nuk fitohej pa UÇK – në, por shumë syresh, nuk qenë të gatshëm të fitonin një luftë me një sakrificë të tillë. Një gjë që shumë zona më të izoluara e kishin bërë me shumë vetmohim.
U ktheva sërish në Prishtinë 10 ditë më pas. Qyteti kish filluar të ringjallej, Thaçi ishte vendosur në një godinë të shëmtuar të stilit jugosllav në Bulevardin Nënë Tereza dhe i kishte hyrë projektit tjetër të madh të jetës së tij, krijimit të një partie dhe konkurimit në politikë. Ishte entuziast, por druaj se e kuptonte se do t’i duhej kohë për t’u bërë i pranueshëm me mbështetësit e tij në Prishtinë. Miti i Rugovës qe aty i fortë dhe ai më shumë se kushdo tjetër e besonte këtë. Fatkeqësisht, diçka tjetër po ndodhte. Nën trysninë e qarqeve brenda tyre, nën kompleksin e bombave ndaj Serbisë apo të një pjese të shtypit botëror, ndërkombëtarët po tentonin të mbështesnin Rugovën. Ata sikur donin të tregonin se koha e guerriljeve kishte marrë fund ose i trembeshin afërsisë që Thaçi dhe mbështetësit e tij tregonin ndaj Shqipërisë.
Druaj se kjo klimë apo frikë ekzistonte edhe në Prishtinë. Kujtimi i Jugosllavisë së Titos ishte këtu më i gjallë se kurrë. Ajo lidhej me shumë gjëra njëherazi, me mirëqenien ekonomike të dikurshme, me kohën e lavdishme të zhvillimit të Prishtinës në fund të viteve ’70 – të, me ndërtimin e një klase intelektuale që tashmë kish mbetur mënjanë dhe me një lloj refuzimi të heshtur, ose mos pranimi të prishtinasve që shpëtimi dhe prosperiteti i tyre të vinte nga pak djem të provincës që nuk kishin pasur kurrë në Prishtinë vendin që duhej të kishte një shpëtimtar i tillë.
Shumë herë kam debatuar me përfaqësuesit e kësaj filozofie. Druaj se nuk kishin as argumenta dhe as të drejtë. Mbi të gjitha, druaj se shumë prej tyre,  ishin pjesa më pasive e Kosovës. Ata nuk shkonin dot më tej. Dhe e kishin vështirë ta kuptonin se pjesa vitale që do ta çonte vendin përpara, ishte pikërisht ajo që kishte kapur pushkën pa hezitim dhe që nuk kishte kalkuluar asgjë në jetë.
Ndoshta edhe Thaçi e kuptonte këtë. Por ai kish një tjetër filozofi. Tentoi ta konkuistojë qytetin me mjetet e tij, pa u trishtuar për moskuptimin, për sjelljen e shumë vetëve. Tentoi t’i afrohej filozofisë së tyre, pa e ndryshuar filozofinë e tij.
Sa herë kthehesha në Prishtinë, në Tiranë e madje edhe në Nju Jork, qëlloja të flisja me të. Besimi tij ishte i patundur dhe si çdo njeri që e ndjen se fati e ka shënjuar për një projekt të madh, ai kishte bindjen se misioni i tij nuk kishte marrë fund. Se ai ishte bërë i famshëm në moshën 29 vjeçare, ishte ngjitur në majat e një karriere duke u bërë i famshëm ndërkombëtarisht, por se kjo nuk kishte qenë gjithçka. Jeta e tij nuk do të ishte thjeshtë një karrierë politike, por ajo do të kishte sërish një kulm. Kjo bindje m’u forcua akoma më shumë në janarin e 2006, kur nën një ngricë të acartë, Prishtina po përcilltë për në banesën e fundit, simbolin e saj më të fortë, Ibrahim Rugovën. Ylli i rrezistencës paqësore dhe miti i krahinës kish vdekur. Askush nuk mund ta zëvendësonte më dhe Thaçi, s’kish dyshim që e dinte se tashmë vinte ora e tij. Ora që do ta bënte nënshkrues të pavarësisë.
Në fakt, diçka kish ndodhur ndërkohë. Brezi skeptik ndaj luftës po zbehej ndërkohë në rrezistencën e tij, nostalgjikët e Jugosllavisë së Titos kishin mbetur mënjanë si një apendiks i shoqërisë, ndërsa të rinjtë që po hynin me vrull kishin një tjetër parim. S’ka dyshim se Thaçi e dinte këtë.
Përpara zgjedhjeve të nëntorit ai besonte më shumë se kurrë se fitorja ishte tija tashmë. Dhe kishte të drejtë. Skepticizmi kishte mbaruar dhe lufta kishte fituar legjitimitet. 10 vjet më pas.
Mbrëmjen e vonë të 17 nëntorit, ndërsa u përballëm rastësisht në një lokal të Prishtinës, në një orë të vonë, pata bindjen se ky ishte një ndër momentet e lumtura të jetës së tij. Një kulm tjetër, kur ai kishte fituar edhe me votë, atë që dikur kishte ditur ta fitonte me luftë. Tashmë, me aureolën e njeriut që i kish dhënë një tjetër dimension Kosovës përmes luftës dhe UÇK – së; me sharmin e një njeriu që ishte çertifikuar me votën e 2 milion kosovarëve, me raporte mjaft korrekte me Presidentin Sejdiu dhe me bindjen absolute të perëndimit se ai dinte të ishte vendimmarrës dhe i fortë në çdo kohë dhe situatë, Thaçi priste vetëm momentin final, firmosjen e pavarësisë. Gjestin, që do ta fuste atë personalisht në panteonin e madh të historisë së shqiptarëve.
Jeta është shpesh tekanjoze, fati vërtitet shpesh i verbër, por nuk ka asnjë dyshim se asgjë e madhe dhe e rëndësishme nuk ndodh rastësisht. Sa herë mendoj për Thaçin, kam bindjen se kjo është e vërtetë. Se pavarësisht komenteve, fjalëve, historive, ai e kishte shënjuar të ardhmen e tij atë moment të largët të vitit 1991 apo 1992, kur ende 20 vjeçar, një student i pasionuar dhe anonim, kishte braktisut formumet e kafeneve ku bëhej politika e Prishtinës, kishte lënë pas baballarët e kombit që diskutonin për Kosovën dhe siç dëshmon Baton Haxhiu në librin e tij, i kishte thënë Dukagjin Goranit frazën profetike:
– Unë po iki! Liria nuk vjen pa luftë, ju qëndroni në Prishtinë, po këtu ka vetëm fjalë.
Dhe kish ikur, qe zhdukur për shumë vite, ndoshta, pa e besuar edhe ai vetë, se një ditë do të kthehej me atë që Kosova e kishte ëndërruar plot 100 vjet, PAVARËSINË!

Blendi Fevziu

(shkruajtur dhe botuar per here te pare ne Shkurt 2008)

SHKARKO APP