Si e sulmonin komunistët shqiptarë festën e pashkëve në shtypin ateist
Nga Sokol Paja –
Në propagandën ateiste të regjimit komunist shqiptar, feja cilësohej si një helm për ndërgjegjen e njerëzve. Pashkët sipas propagandës ateiste në shtypin komunist, përgjatë diktaturës, etiketoheshin si mbeturina të besimeve të kota të lindura mijëra vjet më parë, në kohën kur njerëzit nuk ishin në gjendje të shpjegonin fenomenet e natyrës.
Ritet fetare dhe festat fetare propaganda komuniste në shtypin ateist i shihte si forma me qëllim errësimin e mendjeve të njerëzve, që synonte mbajtjen në kontroll dhe errësimin e botës psikologjike dhe shpirtërore të besimtarëve dhe mbajtjen e atyre që besojnë sa më larg botës reale, duke i gënjyer dhe ushqyer me iluzione të kota hyjnore. Shkrimi ateist “Pashkët dhe origjina e tyre”, botuar në gazetën Luftëtari të datës 9 prill, në numrin 29, në faqen 3, të vitit 1967, propagandon ndër të tjera se Pashka, ngjallja e Krishtit prej së vdekuri është një legjendë që nuk ka asnjë bazë reale dhe si Pashka dhe Krishtlindja sipas ateistëve të kohës janë fund e krye një trillim. Gazeta ateiste ngulmon festën e Pashkëve duke shkruar se nga faktet historike nuk vërtetohet asgjë rreth jetës së Krishtit.
“Ai është vetëm një qënie fantastike që nuk ka jetuar asnjëherë. Ashtu si vetë kristianizmi, edhe Pashka nuk është gjë tjetër veçse një përsëritje e dogmave dhe besimeve të kohëve të vjetra”- thuhet në shkrimin ateist. Festa e Pashkëve sipas autorit të shkrimit ateist e ka fillin gjithashtu, tek festat që organizonin popujt e lashtë për ringjalljen e perëndive të tyre dhe se besimi tek Zoti, tek Krishti dhe festat fetare si Pashkët u kanë shërbyer gjithmonë interesave të klasave sunduese, argumentonin komunistët ateistë.
Gazeta shkoi më tej në shkrimin propagandistik teksa citon se me qëllim për ta mbajtur të gjallë dhe për ta përforcuar, këto besime që probagandonin nënshtrimin e të varfërve dhe pajtimin midis klasave, kisha, kleri dhe e gjithë veprimtaria dhe ideologjia fetare kanë përdorur të gjitha mjetet për tu rrënjosur thellë në popull, akuzonin komunistët në shtypin ateist. Komunistët sulmonin fenë katolike se gjoja propagandon të jetojnë njerëzit në varfëri e përvujtëri si Krishti. Sipas shkrimit ateist të kohës “Klasa sunduese duan ti bindin me këta masat e shtypura se po të durojnë, po t’i nënshtrohen fatit, vuajtjeve, shtypjes dhe shfrytëzimit të klasave sunduese, do të fluturojnë në qiell si Krishti”.
Komunistët akuzonin krishtërimin se mashtronte më anë të legjendave. Feja sipas shkrimit të gazetës Luftëtari të datës 9 prill, në numrin 29, në faqen 3, të vitit 1967, duhet luftuar dhe zbuluar me këmbëngulje çdo shenjë e besimeve dhe paragjykimeve fetare dhe bëhej thirrje që të bëhej një punë e gjallë propagandistike e bindëse me njerëzit, duke ndikuar që edhe shokët, të afërmit dhe prindërit të flaknin çdo besim fetar që komunistët e quanin neveri, opium, helm për ndërgjegjen e njerëzve. Në shkrimet ateiste të periudhës komuniste, kisha katolike akuzohet pa fakte e pa prova si gjoja qendër spiunazhi dhe imoraliteti. Pashka për besimin katolik është festa më e rëndësishme ku themelohet baza e këtij besimi që është trinia e shenjtë, ati-biri-shpirti i shenjtë që në Pashkë simbolizon ngjalljen e Krishtit dhe ngjitjen e tij në qiell te Ati.
Sistemi propagandistik antifetar komunist duke sulmuar dhe bindur njerëzit gjoja për kotësinë dhe trillin e të pavërtetat që qarkullojnë rreth këtyre festave, tentonte të bindte njerëzit se besojnë në një mashtrim dhe se duhej të hiqnin dorë sa më parë. Servet Pëllumbi në shkrimin “E vërteta mbi Pashkët”, botuar në gazetën “Zëri i Rinisë” të datës 21 prill, të vitit 1962, me numër 32, në faqen 5, deklaron se historia e festës së Pashkës që vjen nga greqishtja që do të thotë “Passiejn” vuajtje, është një histori e pabesueshme pasi sipas komunistit Pëllumbi, nëse perendia sakrifikoi të birin e vet për të shlyer mëkatet e njerëzimit, perendia mund ta shpëtonte njerëzimin pa tragjedi, pa e vrarë djalin e tij të vetëm. Sipas propagandistit komunist Pëllumbi, ky besim që përbën bazën e Pashkës është një tregim fantastik, një fabul që s’pasqyronte asgjë reale. Propagandisti komunist K. Xhavara në shkrimin “Si ka lindur Pashka”, botuar në revistën “Vatra e Kulturës” në numrin 1, në Janar – Shkurt të vitit 1963, në faqen 28, deklaron se festa e Pashkës nuk është asgjë tjetër veçse përsëritje në mënyrë të stërholluar të perëndive që vdisnin dhe ngjallëshin që në kohen përpara lindjes së Kristianizmit.
Kjo festë sipas propagandistit ateist Xhavara, është përdorur nga kisha me qëllim që “të propagandojë nga njëra anë idetë që i leverdisnin shfrytëzuesve dhe në dëm të punonjësve, pra idenë e nështrimit, të përuljes, të durimit, të vuajtjes dhe nga ana tjetër atë të dashurisë dhe të paqes midis shfrytëzuesve dhe të shfrytëzuarve, midis të pasurve dhe të varfërve”. Në këtë shkrim propagandistik thuhet se ideja e dashurisë dhe kuptimit të fesë së Pashkës është komplet reaksionare në jetën e klasave. Pasi sipas shkrimit ateist të cituar më lart, feja katolike që feston Pashkën, me anë të kësaj feste propagandon dashuri për besimtarin e njërit besim dhe jo të besimeve të tjera.
Sipas propagandistit ateist Xhavara, kjo festë është intolerante dhe armiqësore pasi “feja propagandon në popull mungesën e durimit ndaj besimtarëve të besimeve të tjera dhe ndaj ateistëve, megjithëse ata mund të jenë vëllezërit e tij punëtorë apo fshatarë. Intoleranca fetare i ka ndihmuar dhe u ndihmon klasave shfrytëzuese të mbajnë të nënshtruar popullin e tyre si dhe popujt e tjerë – akuzonin komunistët. Ateistët në shtyp e quanin festën e Pashkëve si një festë katolike në kundërshtim me shkencën dhe moralin komunist të kohës.