Si i blen biznesi zërat kritikë në media ose jashtë saj
Nga Robert Reich, Huffingtonpost.com
Jo shumë kohë më parë më kërkuan të flisja përballë një kongregacioni për shtimin e pabarazisë. Pak para se të filloja, kreu i kongregacionit kërkoi që të mos mbroja rritjen e taksave për të pasurit. Ai tha se nuk donte që të acaronte disa anëtarë të pasur të kongregacionit, në zemërgjerësinë e të cilëve varej kongregacioni. Vitin e kaluar pata të njëjtën bisedë me presidentin e një kolegji të vogël, i cili më kishte ftuar të mbaja një leksion ku do të merrnin pjesë anëtarët e bordit. “Do ta vlerësoja nëse nuk do ta kritikoje Wall Street-in [qendra financiare],” tha ai, dhe shpjegoi që disa nga anëtarët e bordit ishin bankierë.
E njëjta gjë ndodhte gjithandej. Një grup jo fitimprurës i përkushtuar ndaj të drejtave të votimit vendosi të mos e niste një fushatë kundër bizneseve të mëdha nga frika se mos armiqësonte donatorët e pasur të tij. Një institut [think tank] në Uashington publikon një studim mbi pabarazinë që nuk e përmend rolin që korporatat e mëdha dhe Wall Street-i kanë luajtur në dobësimin e ligjeve kundër trusteve dhe të punës, për shkak se nuk dëshiron të armiqësohet me donatorët e vet në ‘Wall Street’ dhe korporata. Një universitet i madh e orienton kërkimin dhe kurset rreth temave ekonomike me interes për donatorët e mëdhenj të tij, sidomos duke shmangur përmendjen e rritjes së fuqisë të korporatave të mëdha dhe Wall Street-it në ekonomi.
Sikur s’mjaftonte blerja e politikanëve nga bizneset e mëdha. Ata po blejnë grupet jo fitimprurëse që kanë qenë burime investigimi, informacioni dhe ndryshimi social, nga kritika kundër bizneseve të mëdha. Burimet e tjera të financimit po shterojnë. Grantet kërkimore po zhduken. Fondet për shërbimet sociale të kishave dhe grupet e komunitetit po pakësohen. Legjislaturat po shkurtojnë fondet e universiteteve. Atëherë çfarë të bëjnë institucionet jo fitimprurëse? “S’ka rrugë tjetër,” më tha një rektor universiteti. “Duhet të shkojmë aty ku janë paratë.” Tani më shumë se kurrë më parë, që nga shekulli i 19-të, paraja është xhepat e korporatave të mëdha dhe të super të pasurve. Kështu, presidentët e universiteteve, kongregacioneve think tanks, dhe të tjerë jo fitimprurës puthin të pasmen e të pasurve si kurrë më parë. Paraja shoqërohet me kushtëzime. Kur Comcast, për shembull, financon një subjekt jo fitimprurës si Qendra Ndërkombëtare e Ligjit dhe Ekonomisë, Qendra mbështet propozimin e Comcast për shkrirjen me Time Warner. Kur Fondacioni Charles Koch i dhuron 1.5 milionë dollarë departamentit ekonomik të Universitetit Shtetëror të Floridas, ajo vë kushtin që një komitet këshillimor i zgjedhur nga fondacioni Koch do të përzgjedhë profesorët dhe do të bëjë vlerësimet vjetore. Vëllezërit Koch tani financojnë 350 programe në rreth 250 kolegje dhe universitete në gjithë Amerikën. Mund të vini bast që financimi nuk e vë theksin te kërkimi për pabarazinë dhe drejtësinë mjedisore. Donacioni prej 23 milionë dollarë për televizionin publik i siguroi David Koch poste në bordet e dy stacioneve publike kryesore. Ai garantoi gjithashtu që një dokumentar kritik për Koch-in nuk u transmetua. David Koch ka dhuruar gjithashtu dhjetëra milionë dollarë për Muzeun Amerikan të Historisë Natyrore në Një Jork dhe Muzeun Kombëtar Smithsionian të Historisë Natyrore, dhe është anëtar i bordeve të tyre. Pak javë më parë një duzinë shkencëtarësh ambientalistë dhe grupe mjedisore kërkuan që muzetë e shkencës dhe historisë natyrore të “presin gjithë lidhjet” me filantropë si vëllezërit Koch. “Kur disa nga kontribuesit kryesorë në ndryshimet klimaterike dhe themelues të keqinformimit për shkencën klimaterike sponsorizojnë ekspozita… ata minojnë besimin e publikut në vlerën e institucioneve përgjegjës për transmetimin e dijes shkencore,” thuhej në deklaratën e tyre.
Megjithëse marrëveshje dhurimi të universiteteve, muzetë, dhe subjekte të tjera jo fitimprurëse i ndalojnë donatorët të marrin pjesë në vendime se çfarë është nën hetim apo për publikim, institucione të tilla nuk duan të kafshojnë dorën që i ushqen. Kjo nuk është çështje ideologjie. Progresistët e pasur mund të ndikojnë në heshtje në agjendat e subjekteve jo fitimprurëse po aq sa konservatorët e pasur. Kjo është çështje e të pasurve që ndikojnë çfarë duhet hetuar, publikuar ose diskutuar – sidomos kur bëhet fjalë për lidhur fijet mes pasurisë së përqendruar dhe fuqisë politike, dhe se si pushteti zgjeron bizneset e mëdha. Filantropia është fisnike. Por kur është kryesisht në duart e pak super të pasurve dhe korporatave gjigante, dhe është e vetmja lojë në dispozicion, ajo mund të abuzohet lehtë. Demokracia jonë është e kërcënuar kur të pasurit blejnë politikanët. Por jo më pak e rrezikshme është blerja e institucioneve tek të cilat demokracia është e varur për kërkime, hetime, publikime dhe të mobilizojë veprim kundër asaj që po shfaqet. Nga postbllok.com