Si kapërcehet frika nga fluturimi me avion?
Pas tragjedisë së fundit ajrore shumë pasagjerë hipin në avion me një ndjenjë tjetër. Por a është e justifikuar frika nga fluturimi? Dhe si kapërcehet ajo?
DW: Dr. Stoll, çfarë ka të bëjë profesioni juaj me frikën nga fluturimi?
Dr. Keith Stoll: unë jam psikolog klinik dhe jap prej 25 vjetësh kurse të British Airways mbi frikën nga fluturimi. Unë jap pjesën psikologjike. Në këto kurse paradite flasin pilotët dhe shpjegojnë përse avioni fluturon dhe cila është puna e tyre. Unë jam përgjegjës për programin e pasdites dhe shpjegoj, përse njerëzve u krijohet frikë dhe çfarë mund të bëhet kundër saj. Pastaj ne fluturojnë me një avion të British Airways.
Programi është shumë i suksesshëm. Mendoj për arsye se në rradhë të parë në këtë kurs takohen aq shumë individë me të njëjtin problem. Është me të vërtetë një kënaqësi, kur sheh se si këta njerëz vijnë në mëngjes dhe duken shumë të shqetësuar dhe të trishtuar. Dhe pastaj në fund të ditës ata ndjehen shumë më mirë. Shumë prej tyre e humbasin frikën krejtësisht. Shumica bëjnë një hap të madh në këtë drejtim.
A ka pas një katastrofe ajrore më shumë njerëz me frikë nga fluturimi?
Pas çdo fatkeqësie ajrore njerëzit kuptohet se shqetësohen më shumë. Kryesisht për shkak se duhet të ballafaqohen më fort me frikën e tyre nga fluturimi. Ka njerëz, që në këtë moment ankohen se kanë më shumë vështirësi. Pas një farë kohë gjërat kthehen sërish në nivelin e mëparshëm. Kjo është njëlloj sikur të udhëtosh përsëri me anije, ose të hipësh në tren, apo të ngashësh makinën në autostradë, edhe pse ka pasur aksidente. E njëjta gjë është me frikën nga fluturimi. Njerëzit fluturojnë përsëri me të njëjtën qetësi, që kanë patur më parë. Por për këtë duhet kohë.
Çfarë u thoni ju njerëzve, që kanë frikë nga fluturimi, qoftë pas një aksidenti ajror si tani me Germanwings, apo në përgjithësi? Shumicën e njerëzve, që kanë frikë nga fluturimi me avion, nuk i qetëson dot me fjalët: "mos u shqetësoni, gjithçka është e sigurt".
Në një farë mënyre duhet të jetojnë me faktin se nuk ka siguri 100 për qind, madje edhe për të kaluar një rrugë. Vetëm se ne nuk mendojmë për këtë, edhe kur makinat dalin jashtë kontrollit dhe kalojnë pa marrë parasysh dritën e kuqe. Ne priremi që gjera të tilla të mos i pranojmë.
Kur fluturon është ndryshe. Sepse ne papritmas largohemi nga ajo, me të cilën jemi mësuar. Gjërat e pazakonta i shikojmë me sy tjetër. Ka më shumë se 1200 individë, që kanë humbur jetën në vitet e fundit në aksidentet ajrore. Ka shumë më shumë njerëz, që i zë korenti duke thekur bukën, apo që rrëzohen dhe vdesin. Por njerëzit nuk e shohin me këtë qartësi dhe as nuk mund të presësh prej tyre.
Por ka edhe një dallim ndërmjet frikës dhe fobisë. Një farë frike e ka secili prej nesh. Fobia arrin një pikë, në të cilën ne i evitojmë gjërat. Fobia na krijon frikë. Kjo është diçka krejt tjetër.
Fluturimi nuk është një sjellje e natyrshme për ne. Një pjesë e madhe e trurit të zogut merret me përjetimine fluturimit. Sikur zogu të kishte frikë të fluturonte, ai do të jetonte shumë pak. Por truri i njeriut nuk është zhvilluar në atë drejtim, që të kuptojë fluturimin. Dhe kur truri nuk kupton diçka, bën fillimisht evitimin e veprimit. Truri ynë na thotë: Nëse nuk e kupton, atëherë mos shko aspak atje.
Një gjë e tillë ka një efekt disproporcional dhe imagjinata është shumë e fortë. Kur ndodh një aksident ajror, imazhet janë shumë të forta dhe mbeten në kujtesë.
Unë nuk do të thoja se kam fobi, por unë nuk ndihem mirë gjatë fluturimit. Prandaj gjithmonë përpiqem të marrë një vend pranë kalimit. Edhe pse është joracionale, kam ndjenjën se mund të iki, nëse ndodh diçka. Nuk ka kuptim, por kjo më bën të ndihem më mirë. A tregojnë pacientët tuaj për mënyra të tilla sjelljeje?
Gjëra të tilla na ndihmojnë, janë gati gati supersticion. Ne gjithmonë mendojmë se supersticioni është në njëfarë mënyre çmenduri, por ne të gjithë jetojmë me të dhe ndjehemi më të sigurt. Nëse ju hipni në një avion dhe merrni vendin pranë kalimit, ndiheni më mirë. Rëndësi ka që t'jua heqë frikën. Ka njerëz, që fluturojnë vetëm në kohë me diell. Të tjerë vetëm me një talisman.
Është njerëzore, që ne përpiqemi për sa më shumë siguri të jetë e mundur. Ne ndjehemi më mirë. Realiteti është se ne nuk kemi kontroll mbi këtë, dhe kjo e bën të vështirë.
Kur udhëton me makinë, e sheh rrugën, që të çon djathas dhe e ndjek atë. Ne shohim se çfarë ndodh. Kur fluturojmë, i kuptojmë ngjarjet, pasi ato kanë ndodhur. Avioni kthehet në një drejtim dhe ne e kuptojmë se avioni paska ndërruar pozicion. Pra ne kapemi fort pas çdo gjëje, që është e mundur dhe nëse është vendi te kalimi, atëherë mrekulli, uluni aty!
A mund të rekomandoni teknika frymëmarrjeje për pasagjerët, që shqetësohen shumë nga fluturimi?
Gjëja më e rëndësishme është të nxjerrësh njëherë frymën dhe pastaj të marrësh frymë. Duhet të kujdeseni, që frymëmarrja të shkojë më tepër në diafragmë dhe të mos jetë shumë e sheshtë.Trupi reagon ndaj frikës me një frymëmarrje shumë të veçantë.
Ajo që unë u këshilloj atëherë njerëzve, është që ta ndërpresin këtë gjendje me një teknikë të qetë frymëmarrjeje dhe me fërkim të muskujve të ndryshëm. Por ka edhe teknika të tjera, p.sh. akupresurë.
Njerëzit mund të provojnë shumë gjëra për ta vënë nën kontroll frikën. Kur truri mëson që ta mbajë frikën nën kontroll, atëherë frika e kaplon atë gjithnjë e më rrallë.
Dr.Keith Stoll është një psikolog klinik dhe punon në Londër. Ai drejton edhe kurset "Flying with Convidence" të British Airways, që u ndihmojnë njerëzve me frikë nga fluturimi, që të kapërcejnë fobitë.