Si lexohet deklarata e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë?
Endri Xhafo
Ajo është një deklaratë tipike e diplomacisë amerikane, shpesh e patakt, direkte, që mbështetet mbi imponimin e një vullneti të caktuar politik. Dikush mund ta interpretojë si "futje hundësh në punët e brendshme të shtetit tonë sovran", kurse dikush tjetër si "përpjekje të sinqertë të një vendi të madh mik, për të mbajtur në udhën e arsyes një klasë politike që ka treguar se di të jetë shumë e paarsyshme".
Në çdo rast, deklarata e amerikanëve është shumë e qartë në "fajësimin" që i bën deputetit Tom Doshi, kur thotë se "Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të përjashtuar Z. Tom Doshi, i cili pretendohet se është përfshirë në veprimtari kriminale". Për të shtuar në fjalinë pasardhëse se "Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht kanosjen e krimit dhe korrupsionit ndaj shoqërive të lira dhe demokratike".
Pra, sipas këtij formulimi, "kanosje e krimit" është pikërisht deputeti Doshi, mirëpo përfshirja e të cilit në aktivitete kriminale thjesht sa "pretendohet". Kështu shkruhet e zeza në të bardhë në deklaratën e ambasadës, që është e publikuar në faqen e saj. Por, a nuk duhet ambasada e shtetit më demokratik në botë që të respektojë ca parime si prezumimi i pafajësisë, që buron nga e drejta e çdokujt për një proces të rregullt ligjor, etj. etj.? Nejse…
Tom Doshi në fakt ka rekorde negative me ambasadën amerikane, qysh se goditi kolegun Besar Likmeta, të rrjetit investigativ ballkanik BIRN, rrjet që përfiton fonde amerikane. Ambasadori Withers asokohe dha një konferencë shtypi urgjente, ku kërkoi heqjen e imunitetit për deputetin Doshi dhe fillimin e një procedimi penal për të. Dhe i kërkoi disa televizioneve, të afërt me ambasadën, që ta jepnin këtë si lajm të parë në edicionin qendror. Mirëpo kur u diskutua në Parlament 5 vjet më parë projekligji i shumëdebatuar për SHISH-in, që u kundërshtua aq fort nga opozita socialiste dhe nga ambasadori Withers, u kërkua me ngulm prania e deputetit Doshi në seancën plenare ku pritej të sillej për votim projekligji. Deputeti socialist Doshi ndodhej jashtë Shqipërisë dhe ai, por edhe ca të tjerë, erdhën urgjentisht në Tiranë për seancën e pritshme. Për ambasadorin Whithers situata ishte pak e sikletshme, por arsye madhore e bënin që të kishte nevojë, – dhe ta shprehte këtë, – për deputetin Doshi.
Më pas Tom Doshi u pa në një aktivitet në Washington DC., që kishte të bënte me hebrenjtë dhe rolin e Shqipërisë në mbrojtjen e tyre, çka të lë të kuptosh se atij nuk iu refuzua viza amerikane! Gjatë kësaj vizite në DC., ai u ftua madje edhe në studion e Zërit të Amerikës. Në fakt te VOA e kanë zakon që ftojnë çdo deputet shqiptar që ndodhet për një aktivitet zyrtar në DC, por, prania e Tom Doshit në studion e VOA-s, në mos ishte shenjë e ndonjë mbështetjeje, dëshmonte të paktën të kundërtën, mungesën e ndonjë rekomandimi negativ nga ana e Departamentit amerikan të Shtetit për të.
Deklarata e sotme e ambasadës, që rimerr "atë që flitet" për Tom Doshin – hiq rastin e shëmtuar të provuar ndaj kolegut Likmeta, – plotësohet me ftesën për "të gjitha partitë politike në Shqipëri (që) të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive". Kjo në fakt nuk është gjë tjetër veçse një delegjitimim i çdo pohimi të mundshëm që mund të bëjë nesër Tom Doshi. Pra, me fjalë të tjera, ambasada ndjek praktikën e avokatëve që tentojnë të cënojnë besueshmërinë e dëshmitarëve në një proces gjyqësor, për të zhvlerësuar, për të delegjitimuar më pas dëshmitë e tyre. Pra, nuk merren me thelbin, çfarë thotë dëshmitari, por me më atë se çfarë përfaqëson dëshmitari.
Si lexohet kjo politikisht? Përkthimi politik i kësajështë që "çfarëdo që të thotë Tom Doshi, në Shqipëri NUK ka dhe NUK mund të ketë më një tjetër 21 janar ".
Pra, në thelb, mesazhi është për të djathtën shqiptare! Sepse, në zbatim të teorisë së kompensimit, në fund vihet theksi te puna e Kuvendit për të hartuar legjislacion në përputhje me Rezolutën e 24 dhjetorit 2014 (për dekriminalizmin e institucioneve), që në fakt është një aksion politik i opozitës! Në këtë mënyrë ambasada me një gur vret dy zogj: E thotë qartë se në konfliktin e brendshëm në PS mbështet Kryeministrin në përjashtimin që i bëri Tom Doshit; nga ana tjetër mbështet nismën e PD-së, nismë që e angazhon opozitën në frontin parlamentar, me pjesmarrje në procesin legjislativ, dhe jo atë të rrugës, të protestës. Pra, përpiqet për të ruajtur status quo-n politike në vend, të paktën deri në zgjedhjet e 2017-ës. Në këto kushte, a mund t'i thotë kush ambasadës se e ka gabim?