Si mund të ndalet një fitore e madhe, e panevojshme?
Nga Mero Baze
Mënyra sesi opozita hyri thuajse duke u tërhequr zvarrë në zgjedhjet vendore dhe sidomos vendimet e pasigurta të Bashës për një koalicion solid dhe kandidatura të përbashkëta, kanë rritur në opinion dëshpërimin se opozita mund të dalë e humbur nga zgjedhjet. Por më shumë sesa kjo, për shumëkënd është dëshpërues fakti që shumica mund të rikonfirmohet shumë fortë, pa e merituar atë.
Ky është një problem serioz, i cili deformon në thelb demokracinë dhe zvogëlon shanset për korrigjimet e duhura.
Së pari, dobësia e opozitës për të qenë e qartë ndaj ndarjes administrative qysh në fillim, refuzimi i saj për të mos marrë pjesë në reformën territoriale, deklaratat e saj patetike, se kurrë nuk do të hyjë në zgjedhje etj si këto rritën pritshmërinë, që ajo nuk do ta njihte këtë proces. Por në fund ajo jo vetëm që njohu procesin, por hyri aty fare pa u përgatitur me kandidatura që akoma nuk i ka vendosur. Kjo natyrisht që është dëshpëruese për shumë mbështetës të saj dhe një privilegj i pamerituar për shumicën.
Së dyti, Basha dështoi në ndërtimin e një koalicioni serioz me partnerët e 23 Qershorit, duke u ndarë me ata për arsye aspak parimore, por thjesht për çështje emrash, të cilët nuk i shkojnë për shtat Klanit të Berishës. Në këtë mënyrë, ajo humbi aleatët e saj parlamentarë dhe lokalë, duke qenë më e vetmuar se kurrë qysh nga viti 1997. Kjo ka bërë nga ana tjetër, që shumica të fryjë një koalicion gjigand, me parti reale dhe informale, me individë të fortë dhe qesharakë, me komunistë e të persekutuar, me ish pronarë dhe koperativistë, me gjithçka që ka gjetur rrugëve ku i ka lënë opozita.
Ky koalicion i stërmadh, edhe pse nuk është se mund të përsërisë vetveten në vota, është një rrjet që frenon rrjedhjen e votave normale nga konsumimi i qeverisë dhe bën që të mos duket sesi e vlerësojnë realisht shqiptarët qeverisjen e deritanishme, pasi sasia e votave mekanike, mbyt votën politike pro ose kundër saj.
Së treti, kauza më e fortë politike, ajo e dekriminalizimit që PD-së duket se i doli rrugës rastësisht u varrosë në këto zgjedhje më shumë nga PD-ja, duke futur në garë kandidatë që janë në hetim, që janë të dënuar dhe që kanë disa procese penale. Përveç Mziut, që shkëlqen me dënimin e tij dy vjet burg ditën që u prezantua, Grida Duma në Durrës është person i dënuar për mashtrim dhe ka së paku dy procese hetimi nga prokuroria, ndërkohë që është në garë. Nuk po flas pastaj për nja katër kandidatë të bashkive të vogla, që ose janë në kërkim ose në proces gjykimi.
Edhe ky detaj, e bën dëshpëruese situatën për opozitën dhe rrit rrezikun që shumica të bëhet arrogante dhe fituese edhe atje ku nuk e meriton.
Situata të tilla nuk janë të shëndetëshme për demokracinë dhe prodhojnë një fitore false të shumicës. Situata e tanishme më ngjan me situatën e zgjedhjeve të Tetorit vitit 1996, kur Berisha humbi vetëm 6 bashki, por që nuk i duheshin më për asgjë, pasi i ktheheshin në barrë pushteti. Dhe atëherë mbaj mend se më shumë të dëshpëruar ishin kritikët e Berishës në PD, që opozita nuk po ringjallej sesa vet opozitarët. Në këtë kontekst dhe shpërthimi i Blushit ndaj superpushtetit të Ramës, është logjik. Si shumë të tjerë kritik me Ramën, ai është nervoz nga një fitore e re, e pamerituar e Ramës dhe Rilindjes në këto zgjedhje. Fitore, që nuk reflekton mbështetjen reale që duhet të ketë shumica, sikur të kishim një opozitë normale. Për këtë ai përpiqet të bindë mbështetësit e PS-së se ata që po fitojnë me votat e tyre, nuk janë socialistët, por një grusht njerëzish në krye të tyre. Nëse Blushi është njeri që dëgjohet në PS dhe ka mbështetës, kjo do të shihet sesa vota socialistësh do mund t’i heq Ramës në këto zgjedhje. Por ashtu si opozita jashtë PS-së dhe ai brenda, ka problem faktin që janë më shumë patetikë sesa politikë dhe nuk kanë asnjë betejë të tyren, për të cilën të votohen ose të injorohen.
Një fitore e madhe e shumicës në këto zgjedhje, është vërtetë një problem që nuk reflekton meritat e shumicës, por dobësitë e opozitës brenda dhe jashtë saj. Dhe detyra e opozitës dhe opozitarëve të Ramës nuk është vetëm të bëjnë hartime të dëshpëruara, por dhe ndonjë hap që ngjall shpresë, se dinë ta ndalin atë.
Gazeta "Tema"