Si po përçan BE-në kriza e emigrantëve!

Shumica e emigrantëve dëshirojnë të fitojnë të drejtën e azilit në Gjermani ose Suedi, por këto dy shtete dëshirojnë që partnerët e tyre në Bashkimin Evropian të dëshmojnë "solidaritet" dhe të ndajnë hisen e barrës së rëndë.

Evropa Qendrore është qendra e re krizës së emigrantëve.

Pse po vijnë në shprehje këto tensione ndërmjet fqinjëve të BE-së?

Hungaria

Njësitet speciale të policisë hungareze kanë përdorur topa uji dhe gaz lotsjellës kundër turmës së emigrantëve në kufi me Serbinë më 16 shtator. Zyrtarët hungarezë kanë thënë se shishe dhe gurë janë hedhur në drejtim të policisë, që po mundohej të parandalonte hyrjen e emigrantëve nëpërmjet rrethojës gjembore kufitare.

Ka kritika të ashpra anembanë ndaj Hungarisë për shkak të vendimit të saj për të ndërtuar murin gjembor dhe për persekutimin e emigrantëve që kalojnë ilegalisht kufirin. Shumë evropianë mendojnë se masat e reagimit hungarez janë drakonike. Por të dhënat tregojnë se shumica e hungarezëve mbështesin masat e serta të Qeverisë së tyre.

Serbia, Kroacia dhe Rumania fqinje kanë kritikuar bashkërisht politikat e Hungarisë. Refugjatët sipas të drejtës ndërkombëtare kanë të drejtë të kërkojnë mbrojtje dhe azil. Është shkelje e kësaj të drejte vendimi për t’i kthyer ata prapë, kanë thënë shumë organizata me renome anembanë botës.

Shumica e emigrantëve kanë ikur prej konflikteve dhe abuzimeve në Siri, Irak, Afganistan e Eritre. Por ka edhe shumë emigrantë ekonomikë nga Ballkani.

Të dhënat e autoriteteve gjermane tregojnë se prej janarit deri në gusht të këtij viti, sirianët janë grupi më i madh i të drejtës së azilit (55.587), pasuar prej emigrantëve nga Shqipëria, Kosova dhe Serbia.

Kryeministri konservator hungarez, Viktor Orban, ka deklaruar se trashëgimia e krishterë e Evropës po kërcënohet për shkak të emigrantëve myslimanë. Ka akuzuar Gjermaninë për inkurajimin e ardhjes së emigrantëve dhe ka hedhur poshtë propozimin e Komisionit të BE-së për kuota të detyrueshme për shpërndarjen e 160 mijë emigrantëve nëpër shtete anëtare. Hungaria sivjet është bërë pika kryesore e vlimit pse ndodhet në Evropën Qendrore dhe në zonën pa viza  Schengen – një portë që emigrantët të arrijnë deri në Gjermani. Rruga nëpërmjet Greqisë dhe Ballkanit është bërë e famshme për shkak se ishte jashtëzakonisht e rrezikshme ajo prej Libisë nëpëmrjet Mesdheut drejt Italisë.

Kroacia

Ministrja e Jashtme kroate, Vesna Pushiq, ka thënë se vendi i saj do t’u japë azil vetëm «disa mijëra sish emigrantëve», por nuk mund të akomodojë me dhjetëra mija. Qysh se Hungaria mbylli kufirin e saj me Serbinë, ka pasur valë të madhe emigrantësh që kanë hyrë në Kroaci.

Kryeministri Zoran Milanoviq ka deklaruar fillimisht se Kroacia do t’i lejonte emigrantët të kalonin nëpër territorin e saj. E ka quajtur «të dëmshme dhe të rrezikshme» politikën e Hungarisë fqinje.

Por vetë Kroacia mbylli më 17 shtator tetë pika të kalimit kufitar me Serbinë. Emigrantët më parë ishin detyruar të kalonin në radhë para policisë kroate në stacionin e Tovarnikut në kufirin serb. Kroacia ka bërë të ditur se më shumë se 13 mijë emigrantë kanë hyrë pas mbylljes së pikave kufitare për emigrantët në Hungari.

Hungaria planifikon gjithashtu të mbyll me rrethoja gjembore kufijtë me Kroacinë e Rumaninë, që t’i mbajë sa më larg emigrantët. Kroatët kanë paralajmëruar emigrantët për rrezikun e fushave të minuara nëse ata ndjekin fushat anësore të rrugëve në zonën kufitare, ku serbët e kroatët luftuan në fillim të viteve nëntëdhjetë. Por shumë emigrantë raportohet se ende po hyjnë në Kroaci nëpër këto fusha, duke u shmangur pikave kufitare të kontrollit.

Serbia

Serbët kanë treguar në përgjithësi tolerancë dhe mikpritje ndaj emigrantëve, ka raportuar gazetari i BBC-së në terren, Guy Delauney. Serbia po përgatit qendra shtesë strehimi për emigrantët që pritet të kalojnë kohë më të gjatë në Serbi pasi nuk mund të kalojnë në Hungari.

Vendi mezi ia ka dalë të menaxhojë krizën prej momentit të hyrjes së fluksit që vjen prej Greqisë veriore. Por autoritetet lokale po mundohen të respektojnë standardet e BE-së për të drejtat e njeriut, meqë Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, ka denoncuar sjelljen e Hungarisë, duke e quajtur «brutale» dhe «joevropiane».

Sllovenia

Shtrirë ndërmjet Kroacisë dhe Austrisë, Sllovenia pret një valë të re emigrantësh, meqë Evropa veriore më e pasur po vepron si magnet. Logjikisht është shtet transit për emigrantët që i shmangen Hungarisë.

Kryeministri slloven, Miro Cerar, ka thënë se vendi i tij i vogël alpin do t’u qëndrojë besnik rregullave të lëvizjes së lirë në BE. Sllovenia planifikon të procedojë kërkesat për azil, por njofton se nuk do të krijojë «koridor» për refugjatët që thjesht udhëtojnë në drejtim të Austrisë.

Sllovenia anuloi më 17 tetor lidhjet hekurudhore me Kroacinë fqinje.

Rumania

Si Kroacia, edhe Rumania ka paralajmëruar Hungarinë kundër ndërtimit të mureve gjembore në kufijtë e saj.

Rumania ka protestuar ndaj Hungarisë për planin e paraqitur, duke e quajtur «të papranueshme në aspektin diplomatik» gjuhën e Hungarisë. Ministri i Jashtëm rumun, Bogdan Aurescu, ka folur për «një përpjekjeje të palës hungareze për të na futur ne në konflikt».

Rumania deri tash nuk ka qenë vend i rëndësishëm transiti për emigrantët, por gjendja duket se do të ndryshojë. Rumania, si shumica e fqinjëve të saj të Evropës Lindore, kundërshton kuoatat e detyrueshme të BE-së. Njofton se është e zonja të marrë maksimalisht 1.785 emirantë me një skemë vullnetare.

Migracioni është çështje shumë e ndjeshme për Rumaninë. Vendi është munduar për vite me radhë të bëhej pjesë e zonës së lëvizjes së lirë Schengen, por disa vende të tjera anëtare të BE-së – veçanërisht Holanda – kanë bllokuar nismën.

Romët e varfër janë shpërngulur viteve të fundit prej Rumanisë në drejtim të vendeve më të pasura të BE-së si emigrantë ekonomikë. Por kjo ka shkaktuar tensione, veçanërisht në Francë, ku janë rrafshuar me tokë prej policisë franceze kampet ilegale të romëve.

Austria

Emigrantët kanë vërshuar edhe Austrinë nga Hungaria, një rrugë që çon drejt Gjermanisë. Autoritetet austriake nuk i kanë kthyer emigrantët. Austria ka rikthyer kontrollet kufitare – qysh ka bërë edhe Gjermania në kufirin me Austrinë – si masë të përkohshme urgjente sipas rregullave të Schengenit. Sllovakia – në pjesën lindore kufitare të Austrisë – ka kthyer rgjithashtu kontrollet kufitare.

Austria ka dërguar 2.200 ushtarë për të ndihmuar me logjistikë, meqë po vazhdon vala e emigrantëve, megjithëse ata nuk po shërbejnë si gardianë të kontrollit kufitar. Kriza ka shkaktuar kaos të madh në trafikimin rrugor e hekurudhor ndërmjet Austrisë dhe fqinjëve të saj. Turma emigrantësh janë mbledhur në stacionet kryesore të Vjenës, duke pritur trena që t’i çojnë në drejtim të veriut.

Shërbimi hekurudhor Vjenë-Budapest – anuluar që nga 10 shtatori – do të ripahet të premten, kanë bërë të ditur hekurudhat austriake. Por e anuluar vazhdon të jetë linja hekurudhore që lidh Salzburgun me Gjermaninë.

«Amnesty International» dhe Kombet e Bashkuara kanë kritikuar ashpër në gusht kushtet në qendrën e stërmbushur austriake në Traiskirchen në jug të Vjenës, ku shumë emigrantë bëjnë gjumë në qiell të hapur. Austria ka bërë disa përmirësime në këtë qendër. Por bota është shokuar kur 71 emigrantë të vdekur u gjetën në një kamion të braktisur afër kufirit austriak me Hungarinë.

Gjermania

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, thotë se Gjermania do të kujdeset për refugjatët e vërtetë, duke përmbushur detyrimet sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare. Kjo ka bërë që të ketë admirim për Gjermaninë, si dhe emigrantë të rinj. Dashamirësi kanë shprehur edhe shumë gjermanë të rëndomtë.

Por Gjermania njofton se nuk i mirëpret emigrantët ekonomikë të vendeve jashtë BE-së. Gjermania dëshiron të sigurohet se do të ketë hyrje të rregullt të emigrantëve, që përfshin regjistrimin e secilit të porsaardhur. Fluksi i madh ka vënë në presion disa qytete të mëdha, si Munihun, ku janë stërmbushur shumë bujtina emigrantësh.

Gjermania pret që sivjet të ketë së paku 800 mijë kërkesa azili – rreth katërfish më shumë se vjet. Berlini zyrtar ka inkurajuar gjithashtu partnerët evropianë të zbatojnë politikën e kuotave të detyrueshme – diçka që mbështetet fort edhe prej Francës, Italisë e Greqisë. Aleatët e CSU-së së zonjës Merkel në Bavari, e kanë quajtur “gabim të pashembullt politik”qasjen e Berlinit ndaj migracionit. Krerë të tjerë rajonale gjermanë gjithashtu kanë kritikuar Qeverinë e Merkelit.

Gjermania ka njoftuar se dëshiron të marrë refugjatë sirianë pavarësisht se në cilin shtet anëtar të BE-së kanë shkelur për herë të parë. Edhe Suedia më parë ka lansuar politikë të ngjashme. Kjo nënkupton se në fakt janë hedhur poshtë Rregullat e Dublinit. Kjo platformë zyrtare e BE-së përcakton prerazi se pretendimi i emigrantit për të marrë azilin duhet të procedohet në vendin e parë evropian ku ka shkelur ai ose ajo./BBC-dialoguplus

SHKARKO APP