Si Rilindi mbas 40 vitesh “Rrota” e Pirro Manit
Nga Artur Zheji
Asht e vërtetë, Ndre Mjeda n’vjershën e tij t’thjeshtë por t’amël sa më ska, “Dimni”, e ka n’vargje t’veta, at rresht që m’asht ngulitë që n’fëmini si me kenë i Gjergj Fishtës, e që thotë ndër tjera: “Po vjen dimni me kosë ndorë, struku, struku i shkreti plak!…”
Duke kenë se Fishtën e kam pasë dhe e kam n’zemër prej kohësh, që kur ish i ndaluem si poet reaksionar, ashtu si edhe padyshim Mjedën, ktë prift t’dashtun t’malcorëve, bana një ngatrresë t’paqëllimshme. E ndoshta t’randë, që m’mbet e m’bartet, mu si t’ish nji gur n’shpinë. Mirëpo, kjo ngatërresë, shkaku t’cilës, u “vërsulën” dhe shpërthyn shumë fshikulla e britma, të mirpritme gjithësesi, kreu, n’vetvedi, një sprovë apo një test, t’formalizmit tonë. Një sprovë ma shum’ e dashtnisë t’papame për lvozhgë e t’mos pamit n’thelb t’Gjanave t’shkrueme. Mirpo, ky asht pasioni i sodit, t’atyne që janë rreshtue n’kuadratet pasionante, që kqyrin pa pra’, politikë korrrente dhe bythfije. Ithtarë pra, t’formalizmit, t’Ushtrisë së Re e Çlirimtare, Klik-Klik.
Kjo shprehje e t’dashtnisë sonë, për t’sipërfaqshmen asht tashma nji huq apo nji risi brezash, a thue se, krejt reflesioni jem, mvarej veç nga emri dhe autori i vargut t’vjershës s’përmendun dhe jo nga përmbajtja e saj. Ose nga drithmat që vargu: “struku, struku…”, përcjell ndër këndonjësit, të asaj armate të Klik-Klikut tonë Kombëtar.
I xanun n’faj, po e uli kryet n’gjykimin e këtyne “xhahilave”, që u rrfyen t’rreptë sa ma s’ka, por, si edhe m’shkroi një mik i vyem, asht një dhimbë e madhe me harxhue fjalë, veç për një lapsus, pa n’xanë ma parë, kshillë apo meditim, n’strukjen e detyrume që duhet me pasë, edhe për kët dimër që asht tue ardhë, e me sa shof, ky Dimër pra, na gjen veç me tesha verore dhe me diskutime entuziaste, që bahen ma mirë në Prendverë.
++++
Por m’u kujtua me këtë rast Pirro Mani. Një regjisor i shkëlqyer, por edhe “dinak” i madh, në të hedhur të censurës trashamane dhe pedante, së kohës komuniste. Kur punonte në Teatrin e Korçës, menjëherë pas Pleniumeve të tmerrshme të Partisë së Punës, në frontin ideologjik dhe kundër liberalizmit, që e përkthyer për klikuesit e rinj, donte të thoshte prerje kokash, burgosje dhe internime, qoftë edhe për një fjalë që “nuk shkonte me vijën e Partisë”, Pirro Mani pra, po vinte në skenë një shfaqje të re.
Të vije një shfaqje të re në atë kohë, por që të kishte edhe pak sukses, ishte njëkohësisht edhe një sfidë, që mund të ndëshkohej rëndë dhe shumë, qoftë edhe për “gabimin” më të vogël ideologjik. Profesor Pirro pra, ngriti një kurth të guximshëm.
Në provën e përgjithshme të shfaqjes, kur n’vend të spektatorëve të nesërm, uleshin sekretari i parë i partisë së rrethit, aparatçikë të komitetit të partisë, poetë provincialë të shquar për mostalentin e tyre, por njëkohësisht të shquar për partishmërinë e tyre të padiskutueshme, si edhe “të deleguar” nga Komiteti Qendror, e pra nga Tirana, Pirro Mani kish porositur punëtorët e skenës që të varnin një rrotë makine, me litarë, pikërisht në mes të skenës. Rrota pra, rrinte e varur si një lavjerrës dhe nuk kishte asnjë lidhje me subjektin e shfaqjes dhe, si e thonë në gjuhën e teatrit, nuk kishte asnjë funksion regjisorial.
Ishte pra një hiçmosgjë e varur.
Dukej pra kjo Rrotë, si një “gjetje formaliste” apo si një “modernizëm” krejt i shëmtuar, një mëkat i rëndë dhe krejtësisht i pafalshëm, simbas estetikës marksiste të enverizuar.
Pirro dinaku, njësoj si Uliksi, e dinte që po rrezikonte. Por i duhej të bënte një regji të dyfishtë, e të shpërqendronte vëmendjen nga shfaqja dhe nga “gabimet e mundshme”, që ndoshta gërmoheshin në brendësi të zhvillimit të saj dhe sidomos nga poetucët e patalentuar e të zellshëm. Pas përfundimit të shfaqjes, perdja ra dhe sakaq, u ngritën të stuhishme diskutimet. Të cilat, nga mungesa e përmbajtjes reale, ranë të gjitha në kurthin e Uliksit, Pirro Mani.
U morën të gjithë me “Rrotën”.
Diskutimet pra, filluan e mbaruan me “Rrotën” që ishte varur në mes të skenës, duke anashkaluar thelbin e shfaqjes dhe duke e “dërrmuar” regjisorin për këtë formalizëm të papranueshëm skenik.
“Dinaku” nuk foli, veçse në fund.
Dhe thuhet se tha fare pak fjalë. Ku kërkohej ndjesë, se “Rrota” ishte varur aty gabimisht nga punëtorët e skenës, pak përpara fillimit të shfaqjes dhe kështu mbeti aty si një aksident. Por Pirro, thuhet se falenderoi “skuadrën e censurës”, që mund të ishte edhe një skuadër pushkatimi. Ai u rrëfye mirënjohës, për vërejtjet e tyre të spikatura në lidhje me “Rrotën” e harruar gabimisht. Duke nxjerrë si përfundim, që rrjedhimisht, ata që u morën veç me Rrotën, e kishin pëlqyer pra pjesën tjetër të shfaqjes.
Dhe kështu u bë. Rrota u hoq dhe shfaqja shpëtoi nga censura. Pasiqë Rrota i kish marrë mbi vete të gjitha rrufetë dhe të gjitha “mallkimet”.
Thuhet që kjo ka ndodhur në mes viteve 1973-‘74, them thuhet, nga “frika” se mos gaboj përsëri.
Por nëse Pirro ishte i qëllimshëm në “hilen” e tij, ngatërresa ime, n’mes Mjedës dhe Fishtës ishte aksidentale, duke ngatërruar, një vjershëtor geg të dashur, me një tjetër vjershëtor, po aq të dashur. Dhe nëse regjisori ia hodhi me mjeshtëri censurës, shkrimit tim i ndodhi e kundërta.
“Ushtria Çlirimtare” dhe e rreptë Klik-Klik, braktisi thelbin dhe bjerri mjaft energji me lapsusin e bamun pavetdijë.
Dhe në arsenalin e pafund të të sharave, që jo pak prej tyre kanë në grykë të pushkës model KlikKlik, shtuan edhe ca të tjera.
Por asgjë nuk e ndrron thelbin e Çashtjes që: “Dimni po vjen me kosë në dorë!…” dhe uroj të mos kositë edhe Klikuesit e mi të shumtë, pavarësisht në më mburrin apo më shajnë vënçe. E pavarësisht bindjeve apo veseve të tyre personale apo politike. Por, nëse lypset, një Këshillë: “le të ruhen më mirë nga Kosa dhe nga Dimni, që nuk se i kam unë në dorë” se me mua, gjithsesi rregullohen. Personalisht jam i regjur me dashurinë e Ushtrisë Çlirimtare KlikKlik, që shprehet më mirë, për stilin e tyre, me të shara. Shpesh, t’ndyta sa ma s’ka!
Dimri është te dera, merrni masat e duhuna!…
Dhe mirëmbetshi dhe mirupafshim në më të parën Klik-Klik Party.
MAPO