Si shkohet në zgjedhje të parakohshme
Eduard Zaloshnja/Në ditët e fundit, si brenda Shqipërisë, edhe jashtë saj, po përmenden zgjedhjet e parakohshme, si një rrugëzgjidhje për ngërçin politik që mund të shkaktojë një votim i reformës në drejtësi vetëm nga PS-ja. E cila nuk ka 94 deputetë në Kuvend.
Por ndryshimet kushtetuese të 2008-ës, të cilat u iniciuan nga Rama dhe u miratuan edhe nga Berisha, e kanë vështirësuar shumë provokimin e zgjedhjeve të parakohshme nga partia kryesore në pushtet, kur ajo nuk e ka mbështetjen e aleatëve të saj për to.
Deri më 2008, kushtetuta parashikonte mocione besimi e mosbesimi ndaj qeverisë, të cilat mund të shkaktonin njësoj zgjedhje të parakohshme, kur qeveria nuk merrte 71 vota në Kuvend. Ndërsa pas 2008-ës, mocioni i mosbesimit NUK shkakton më zgjedhje të parakohshme – kur 28 deputetë paraqesin një mocion mosbesimi, paraqesin edhe një kandidat për zëvendësimin e kryeministrit aktual. Në qoftë se ky kandidat fiton 71 vota, i zë menjëherë vendin kryeministrit aktual dhe krijon kabinetin e vet ministror.
Ndërsa mocioni i besimit nuk ndryshoi në vitin 2008, por një kleçkë iu fut në mes.
Në qoftë se në protokollin e Kuvendit është regjistruar një mocion mosbesimi nga 28 deputetë, qoftë edhe disa minuta para se ta paraqesë atje kryeministri mocinonin e tij të besimit, mocioni i dytë duhet të presë rradhën për t’u shqyrtuar pas votimit të mocionit të parë.
Me pak fjalë, nëse Rama dorëzon në Kuvend një mocion besimi pas një jave, ka gjasa të gjejë të regjistruar atje një mocion mosbesimi nga 28 deputetë, të cilët do ta kenë përcaktuar edhe një zëvendësues të tij. Dhe në qoftë se fiton 71 vota, ky zëvendësues do të jetë kryeministër deri në zgjedhjet e kohshme të rradhës… Respublica.al