Si t’ua shpjegoj fëmijëve Shën Naumin dhe pyjet maqedonase?

Nga Artur Zheji/Vizituam Shën Naumin, pak kilometra nga Tushemishti në Pogradec. Një ruajtje perfekte e manastirit të vjetër shndërruar në një pikë tërheqesë turistike. Sigurisht asnjë shenjë apo simbol shqiptar. Sepse pakkush e di, që Shën Naumi, ka qene tokë shqiptare që në vitin 1912 dhe 1919 e deri në vitin 1924.

I shpjegova femijeve hallet e Mbretit të asaj kohe dhe faktin që edhe Serbia e asaj kohe ishte shumë e fuqishme, agresive dhe që e kishte pushtuar me kohë Shën Naumin e të tjera detaje historike që i kalova përciptas. Por ndërkohë i kisha edhe rrëfyer për cmendurinë komuniste që shkatrroi kisha e xhamia dhe i mbylli ato për 23 vjet.

Dhe ata më pyetën: “Po mirë, nëse Shën Naumi kaq i bukur, do të ishte në atë kohë tokë shqiptare, a do ta prishnin komunistët edhe këtë Manastir kaq të bukur?”

Mbas një pauze i thashë, që ndoshta “Po!”. “Epo këta maqedonasit e paskan shpëtuar Manastirin dhe sot ne mund ta marrim përsëri! Se është vërtet shumë i bukur, shumë i pastër dhe shumë madhështor!…” ishte përgjigjja e tyre naïve. I lashë me këtë shpresë, sepse vizita ishte turistike dhe jo politike.

Rrugës për në Manastir, që maqedonasit sot e thërrasin Bitola, i shpegova fëmijëve se Manastiri, është një qytet nga më të famshëm në historinë e Shqipërisë. Sepse aty, është bërë Kongresi i madh i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, që ne kemi sot, sepse asokohe Manastiri ishte banuar në 97% shqiptarë. Ndërsa sot shqiptarët, që janë përzënë disa herë në shekullin e kaluar, derisa sot, Manastiri ka vetëm 3% shqiptarë dhe 97% jo shqiptarë.

Mirëpo fëmijëve u kish bërë përshtypje, sepse kishte kaq shumë pyje, sapo futeshe në territorin e Maqedonisë, ndërkohë që toka shqiptare shtetërore që lamë pas, ishte drurë prerë, e shkretuar dhe pa gjelbërim.

liqeni-pogradec“Sepse ne këtej kufirit, i presim dhe i rrafshojmë pyjet dhe i përdorim drutë për t’u ngrohur dhe pjesën më të madhe e shesim te të tjerët! Sepse neve nuk na dhimbsen pyjet, kurse këtyre këtu u dhimbsen. Këta këtej nuk i presin kuturu pemët dhe pyjet dhe bile, po të kapën me sopatë në dorë, këta këtej të fusin në burg 2 vjet, fare pa gygj!”

“Po ne skemi ligje për pyjet, që ti mbrojmë dhe ti shpëtojmë dhe ti kemi edhe ne si Maqedonia?”

“Kemi ligje, por ne nuk i zbatojmë, sepse jemi të korruptuar! Sepse inspektorët e pyjeve, janë tregëtarë druri dhe kryetarët e bashkisë, marrin edhe ata pjesën e tyre nga kjo tregëti që vret pemët dhe vret pyllin dhe kështu ngelemi pa pyll. Dhe kur duam pyll, liqen të pastër dhe bukuri natyrore, neve duhet të kalojmë kufirin, këtej nga Shën Naumi, apo Qafa e Thanës, në ish-tokën tonë, që na e kanë marrë gjatë historisë, por që e mbajnë më pastër, më bukur dhë më mrekullisht se sa ne shqiptarët…”

“Ti dashke shumë këta maqedonasit!” më tha i zhgënjyer djali, por unë nuk gjeja dot një përgjigje bindëse dhe nuk doja të shuaja dilemat e tija realiste, me një përgjigje rrumbullaksuese “patriotike”, që do të ishte një gjë krejt pa vlerë.

“Dua shqiptarët, por vlerësoj maqedonasit, për atë që dinë të bëjnë shumë më mirë se sa ne!” e mbylla bisedën midis pyjeve të mrekullueshme, që ne nuk kemi më. 360gradë.al

SHKARKO APP