Sigurimi i Shtetit – A ka një tjetër anë të medaljes?!
Sigurimi i Shtetit ose Shërbimi i saj Sekret ishte një strukturë që sot mban mbi vete mëkatin e të gjithë sistemit, që e kemi lënë pas. Mjafton ta përmendësh dhe diskutimi mbyllet me ngrysje vetullash dhe reagime negative. Gjithçka e kuptueshme, për një institucion represioni të një sistemi diktatorial. Por, a ka pasur mes kësaj trashëgimie të rëndë, edhe ndonjë vlerë pozitive ky shërbim, fjala vjen në dobi të interesave të vendit? Studiuesit e historisë nuk na ndihmojnë dot, prej frikës së linçimit, kurse politika e ka zvetënuar dhe përçudnuar aq shumë rolin e tij saqë gjynahet po i përjeton edhe Shërbimi i sotëm Informativ. Po a ishte kaq i sofistikuar vallë Sigurimi? Ka bërë kaq shumë krime? Shpenzoi shumë? Si u përball me të huajt?, – janë të gjitha pyetje delikate, që ndoshta meritojnë më shumë se një përgjigje të thatë…
Nga Ben Andoni, JAVA
Miti i “Shtëpisë me gjethe” ka qenë i ngritur kaq shumë në vitet post ’90, saqë të dridhte vetëm mendimi se po ia hidhje sytë. Ekzistonte një frikë patologjike se nëse do e këqyrje, një gjë e panjohur, mbase një dorë, kushedi ndonjë verdikt, do fluturonte nga aty brenda, e do të kapte kudo që të gjendeshe. Dhe, ku do shkoje vallë? Në askund. Menjëherë kujtimi tretet vite përpara, kur jeta jote ndryshonte, nëse do ishte diku i skeduar në “Shtëpinë me gjethe”. Nëse nuk do përfundoje i akuzuar për agjitacion-propagandë me të paktën 15 vite në kurriz , apo ndonjë akuzë tjetër, jeta jote ishte e shënjuar ndryshe.
Objekti i punës së Sigurimit të Shtetit shqiptar ishte në mënyrë të precizuar: zbulimi i veprimtarisë kundërshtare sipas krimeve të paraqitur në kapitujt e Kodit Penal të asaj kohe. Ishte e kopsitur me ligj. “Shtëpia me gjethe”, që mbeti si simbol i saj, shpesh e tejkalonte këtë detyrë, kur përgjonte ose hapte korrespondencën private, por ishte brenda “Platformës”.
Në fakt, godina ishte shumë afër qendrës së qytetit dhe mbi të gjitha ngjitur me Postën Qendrore, një nevojë teknike, që asaj ia lehtësonte punën. “Më ka surprizuar fakti që sipas kreut të shërbimit por dhe specialistëve të pyetur për zhvillimin e projektit, edhe pse Shqipëria e kohës ishte larg së qeni një fuqi e standardeve të larta teknologjike në këtë godinë ka pasur pajisje më të sofistikuara për kohën, të cilat gjatë dekadave janë ndërruar duke i zëvendësuar me pajisje më të reja të asaj kohe të sjella nga Perëndimi kapitalist me të cilën edhe kjo godinë luftonte”, u shpreh kryeministri Rama me rastin e inaugurimit. Është pak për të qeshur se megjithë masën e sofistikimit që na mveshin, ne kishim mbetur aq shumë pas, na thotë një nga teknikët e kohës së Sigurimit, që nuk do të identifikohet-sa është turp ta përmendim. Për të realizuar përgjimin telefonik në “Shtëpinë me Gjethe”, nga Posta shqiptare kalonte një kabllo, nga ku mund të përgjoheshin 10 abonentë telefonikë në Shqipëri, ku nga këto 4 ishin vazhdimisht me defekt. “Në ambjentin përfundimtar të regjistrimit të ‘Shtëpisë me gjethe’, punonin nga tre operatorë për çdo turn. Ato realizonin, zbardhnin edhe përgjimin e të gjitha përfaqësive diplomatike në Tiranë, ku ngarkesa ishte e plotë nga këta abonentë. Pra, kuptohet sa modest ishin këto veprime. Pajisja me teknikë moderne përgjimi e survejimi, me automjete etj. ka qenë jo vetëm shumë nën nivelin e shërbimeve të huaja, por pa frikë mund të thuhet se ishte mjerane” . Niveli teknik dhe shkencor i saj nuk mund të krahasohej me zhvillimin e atëhershëm bashkëkohor, por, vetë karakteri shumë sekret i veprimtarisë së strukturës përhapte idenë e punëve të sofistikuara e rezultateve të mbinatyrshme të saj, vazhdon tekniku, që nuk kërkon të identifikohet. Elementi i fundit është problemi i sotëm me një sërë punonjësish të këtij institucioni, që edhe pse janë krenarë nuk kërkojnë të identifikohen.
Tej Kushtetutës dhe shpenzimet “e frikshme”
Ka një paqartësi për identifikimin e tyre, teksa nga njerëz të ndryshëm, që kanë dalë në vitet e fundit para medias, referohet për një Armatë të tërë. Një nga drejtuesit e strukturave ekonomike të saj, Besnik Shamblli referon për gati pak më shumë se 1000 elementë afër viteve ‘90, ku kryesisht pjesa dërrmuese ishin oficerë operativë, mbështetës dhe drejtues. Nuk kishin privilegje të veçanta, ndërsa trajtimi ekonomik i tyre ishte i njëjtë me oficerët e ushtrisë, shpjegon. “Fillonte rroga me 6.900 Lek dhe përfundonte me 9.000 Lek, që ishte rroga e atëhershme e kryetarit të Degës. Mesatarja e jetës së tyre nuk i kalonte të 55 vitet”, saktëson specialisti i vjetër. Të gjithë ishin të betuar që të zbatonin korrektësisht rregullat e normat e punës, që i atribuoheshin kryesisht prej Platformës së Punës së Organeve të Punëve të Brendshme. Dokumenti sekret, me anë të cilit ata operonin, hartohej nga struktura që e mbante të gjallë këtë organ dhe ai përshtatej gati për çdo vit nga Byroja Politike e Partisë Komuniste, që u transformua pastaj në Parti e Punës. Me pak fjalë, ato që nuk ia lejonte Kushtetuta, ky organ i zgjidhte falë respektimit të Platformës së Sigurimit, që në disa momente ishte më shumë se Kushtetuta. Me pak fjalë, edhe pse ishte e ndaluar në Kodin Penal hapja e korrespondencës, Platforma i jepte atribute Sigurimit ta censuronte korrespondencën e njerëzve të dyshimtë brenda vendit, por edhe atë që shkonte e vinte jashtë vendit, pa marrë fare vendim gjykate. Njësoj si në vendet e tjera komuniste, një strukturë e posaçme merrej me të gjithë këtë operacion, ku operonin tre oficerë për kontrollin kimik të korrespondencës dhe rreth 40 punonjës që e lexonin korrespondencën në gjuhë të ndryshme. I gjithë aktiviteti kryhej në të famshmen “Shtëpia me gjethe”. “Është për t’u theksuar se megjithatë metodat e punës së Sigurimit po t’i krahasojmë me homologët e tij në botë, nuk janë më të ashprat. Mjetet e përdorura prej tij, kanë qenë nga më të prapambeturat. Pajisja më e shtrenjtë e blerë dhe e përdorur ishin magnetofonët e tipit UHER, që kushtonin jo më shumë se 200 USD copa. Gati në të gjithë vitet e ekzistencës së Sigurimit, u blenë jo më shumë se 40 deri 50 aparate të tilla syresh. Ishin edhe mikrofonat e përgjimit, të cilat kishim rreth 50 ekzemplarë, por që kushtonin jo më shumë se 50 dollar copa. Ato u prodhuan me lehtësi në të njëjtën cilësi nga specialistët shqiptarë me një kosto 12 USD, pas viteve ‘80 e që kishin një cilësi modeste në punë. Për të parë harxhimet në Buxhetin e Shtetit, që bëheshin në këtë sektor, mjafton të analizohet një zë, që është shpenzimi për realizimin e detyrave me agjentët e Sigurimit, që ishin jashtë shtetit. Shifra që shpenzohej nuk e kalonte shifrën nga 30.000 deri në 50.000 USD gjithsej, për Drejtorinë e Pestë”, kujton Shamblli.
Struktura e Sigurimit të Shtetit
Sigurimit i Shtetit vepronte në kuadrin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Këtu funksiononin tre drejtori. Drejtoria e Parë ishte ajo e kundërzbulimit, që ishte kryesorja për nga rëndësia dhe Drejtori i saj automatikisht ishte Zv/Ministri i Parë; Drejtoria e Dytë ishte ajo e Sigurimit të Udhëheqjes së Partisë e Shtetit shqiptar; dhe Drejtoria e Tretë ishte ajo e Zbulimit, e cila organizonte veprimtarinë inteligjente jashtë vendit. “Kryesorja dhe me e rëndësishmja mbeti Drejtoria e Parë si për detyrat që kryente, por edhe efektivat dhe shtrirjen e aktivitetit të saj”, kujton Vladimir Bregu, oficer dhe pedagog në Shkollën e Sigurimit. Në formë kapilare po bëjmë një përshkrim të Drejtorisë së Parë:
- DREJTORIA E PARE.
- Dega e parë. Ajo duhej të organizonte punën kundërzbuluese në Rang Republike, në drejtim të zbulimit të veprimtarisë kundërshtare, që kryenin zbulimet e huaja në territorin shqiptar.
- Dega e dytë. Ajo ishte e ngarkuar në drejtim të veprimtarisë së përfaqësive të huaja, të akredituara në Tiranë.
- Dega e tretë. Ajo ishte e ngarkuar në drejtim të zbulimit dhe goditjes së veprimtarisë kundërshtare, që kishte si objekt repartet dhe forcat e kufirit dhe policisë. (Njëlloj SHKB-je sot)
- Dega e katërt. Kjo kish të bënte me evidencat agjenturore operative. Në materialet që ajo përpunonte, pasqyrohej, dokumentohej dhe evidentohej e gjithë puna e Drejtorisë së Parë të Sigurimit. Afërsisht ishte një lloj serveri.
- Dega e pestë. Ajo kish të bënte me një organizëm që organizonte dhe ndihmonte zbulimin e veprimtarisë kundërshtare me anë të përdorimit të përgjimeve elektronike apo zbulimin e veprimtarisë armiqësore të mundshme, nëpërmjet shfrytëzimit prej tyre të kanalit të korrespondencës nëpërmjet postës.
- Dega e gjashtë. Ajo kish të bënte me organizimin e punës për zbulimin e veprimtarisë të mundshme armiqësore e keqbërëse në strukturat e ushtrisë.
- Dega e shtatë. Ajo organizonte punën për zbulimin dhe mbrojtjen e ekonomisë shqiptare dhe objekteve kryesore prodhuese, nga krimet e diversionit, sabotimit, dëmtimit me dashje, shpërdorimet e detyrës etj., në të gjithë sektorët ekonomikë dhe territorin e vendit.
- Dega e tetë. Ajo organizonte punën për zbulimin e veprimtarisë armiqësore të elementit kundërshtar të kategorizuar dhe evidentuar më parë, si dhe për mbrojtjen e inteligjencës, e rinisë nga kjo veprimtari.
- Dega e nëntë. Ajo organizonte dhe kontrollonte punën për përdorimin dhe ruajtjen e shifrës sekrete të shtetit.
- Dega e dhjetë. Kjo ishte një strukturë me më pak se 10 veta, e cila organizonte e planifikonte punën që do të kryente Sigurimi, në kushtet e situatave kërcënuese ndaj vendit apo në kushtet e pushtimit të tij nga armiqtë e huaj.
Duhet të kuptohet se kjo strukturë ishte përgjegjëse në qendër dhe ky organizim projektohej pak a shume në degët e brendshme në rrethe. Kryetari i degës së brendshme ishte eprori në rrethe. Degët e qendrës kishin në bazë oficerin, ku kuptohet se numri respektiv, varej nga karakteristikat e rrethit. Kështu, në Kukës e Dibër, Dega e Parë kishte më shumë operativë, ndërsa në Fier, që kishte ekonomi të zhvilluar, mbizotëronte Dega e Shtatë. Në formë kapilare, oficerët e terrenit në zona rurale kishin po këtë prioritet detyrash. Arma më e fortë, që përsosi në vite Sigurimi i Shtetit Shqiptar kishte të bënte me sekretin dhe veprimet e tij. Si në kohën e luftës, nga ku kish pasur fillesat e saj, shkelja e rregullave të ruajtjes së sekretit, ndëshkohej pa mëdyshje menjëherë dhe rreptësisht nga kushdo që bëhej dhe kushdo që ishte, kujton Vladimir Bregu.
Si funksiononin ato?!
Është e kuptueshme se strukturat duhej të përshtateshin me kohën, duke iu përshtatur sfidave, që kishin lidhje me Shqipërinë. Ato lidheshin me luftën për të kapur armiqtë e luftës, më vonë veprimtarinë kundër banditizmit dhe krimit, spiunazhin, dhe një pjesë të madhe të punës e mori puna kundër veprimtarisë së shërbimeve jugosllave, që thithi edhe më të shumat e energjive kundërzbuluese të Sigurimit të Shtetit. “Sfida ishte e madhe, por njerëzit që punonin kishin një vetëdije të tillë saqë nuk flitej për para”, kujton Vladimir Meçe, një punonjës i vjetër i Sigurimit dhe drejtues i organit të tyre të shtypit. Zgjuarsia, përkushtimi, impenjimi i bëri disa shqiptarë që të penetronin deri në shërbimet homologe.
Arritjet
Ky është kapitulli më i përfolur, ku kapen shumë shkrues, për veprimtarinë e tij, e megjithatë Sigurimi ka edhe anën e vet të artë. Ai mundi të kapë shumë nga kriminelët e luftës, bashkëpunëtorët e fashizmit, si edhe arriti të eliminojë banda, ku forcat e mbrojtjes se popullit, kryen rolin kryesor. Edhe pse Lufta kundër diversantëve, sot ka këndvështrim tjetër, ajo ia doli të fitojë në radiolojat me shërbimet kryesore të asaj kohe. Kjo pikë është e debatueshme, por edhe pak e sikletshme, kur mendon qëllimin e atyre që erdhën për të përmbysur regjimin dhe atyre që e mbrojtën. Teknikisht, paçka politizimit tonë, konsiderohen si fitore dy radiolojat e shërbimit të Sigurimit shqiptar ndaj 4 shërbimeve perëndimore dhe kjo është përmendur edhe nga vetë zyrtarët e tyre në vitet e fundit. Këtu Sigurimi përballet me argumentin e informacioneve të dobishme të Kim Filbit, por nëse do të analizohen profesionalisht, Sigurimi mund të konsiderohet se e luajti gjithçka në dobi të vetën. Dhe, pa asnjë dyshim, një sukses mbetet edhe veprimtaria kundër serbëve. “Veprimtaria e Jugosllavisë i ka marrë shumë energji Sigurimit, por që në fund, ajo ja ka dalë, që një pjesë të madhe të tyre, që ishin në veprim në Shqipëri t’i neutralizonte”, kujton Vladimir Meçe. Nëqoftëse elementët në ndjekje aktive si spiunë të shërbimit anglez apo amerikan nga Sigurimi mund të numëroheshin me gishtat e dorës, ata jugosllavë zinin mbi 50%, sipas specialistëve të këtij organi. Cinizmi sllav ishte se në veprimtarinë e tyre kundër Shqipërisë, ata përdornin vetëm elementë kosovarë dhe shqiptarë. “Ishte veprim cinik dhe i zgjuar, pasi në rastet e zbulimit dhe dënimit të tyre, ata e shfrytëzonin sërish, pasi në Kosovë ngjallej pakënaqësi në familjet e rrethet e tyre ndaj Shqipërisë”, do kujtojë Vladimir Meçe. Shtetasit jugosllavë ndërkohë kishin vetëm një kanal spiunazhi, ku mund të depërtonin vetë, dhe ky lidhej me imunitetin diplomatik të tyre dhe administrimin e rrjetit, që e kishin filluar me rekrutimet që nga vitet e para të pas luftës, kur zyrtarët jugosllavë kishin ndihmuar, e rekrutuar shumë oficerë e politikanë shqiptarë, që me kohë vazhduan veprimtarinë e tyre. Por, edhe Shqipëria s’mbetej pas. “Shërbimi ynë madje kujdesej për zyrtarë të ndryshëm në Kosovë dhe gjatë shërbimit tonë ka pasur lidhje specifike me zyrtarë kosovarë, të cilat bënë që Kosova të mos ç’bëhej, por edhe të dinim çdo lëvizje politike të serbëve”.
Të këqijat
Por ka dhe një anë tjetër. Oficerët e saj, pas viteve ’60 filluan të bëheshin mendjemëdhenj, arrogantë dhe cedonin shumë nga ana intelektuale, që ua bënte punën ta kryenin në mënyrë shumë të hidhur. Kjo i shtohej edhe mungesa e profesionalzimit, në jo pak raste. “Duke veçuar njerëzit e dënuar për krime që i ndjek dhe i dënon e gjithë bota, si spiunazh, diversion, terror, vrasje, përdhunime, grabitje etj., akuzat ndaj tyre qëndrojnë sidomos në arrestimet për figurën e krimit te agjitacion dhe propagandës, krim i cili sipas nenit përkatës të Kodit Penal të asaj kohe kërkonte që propaganda të shoqërohej dhe vërtetohej patjetër edhe me dëshirën për përmbysjen e shtetit socialist. Ky element, në shumë raste nuk është vërtetuar nga Sigurimi, gjë që konstatohet në dosjet formulare (dosjet e ndjekjes se tyre të hartuara nga Sigurimi)”, kujton Shamblli. Si pasojë, shumë elementë, që kishin mungesa të figurës së krimit, janë dënuar për krime kundër shtetit. Kuptohet se përgjegjësia bie edhe mbi prokurorinë dhe gjykatat e asaj kohe, të cilat se kaluan dot në shumë raste politizimin e skajshëm. Po a do ta mund ta përmbyste ose minonte regjimin puna e Zef Malës, Maks Velos, Sherif Merdanit, Visar Zhitit, Sokol Ngjelës, Fatos Lubonjës e shumë e shumë të tjerëve? Për këtë mungon përgjigja. Pa përmendur këtu të gjithë pasojat që binin mbi familjet, që jetonin një izolim total me shumë pasoja në punë dhe sidomos i ashtuquajturi krimi i arratisjes. Ku një pjesë e të arratisurve ishin fare të rinj dhe me të vetmin “faj”, që donin të jetonin ndryshe. “Një nga përgjegjësitë më të rënda në veprimtarinë Sigurimit të Shtetit ka qenë edhe evidentimi dhe mbajtja në kontroll e elementit kundërshtar që nuk zhvillonte veprimtari, por që besohej se në një situatë oportune mund të aktivizohen e që sipas drejtimeve konsideroheshin kontigjente armik dhe evidentoheshin në librat e llogarive personale të oficerëve të Sigurimit në bazë. Këto materiale nuk i çonin ata në burg, por kishin privacione si edhe mund t’u ndalohej dalja jashtë shtetit, kuptohet se ata nuk emëroheshin në vende e poste të rëndësishme pune, nuk mund të bënin specializime etj”, thekson Shamblli. Evidentimi i këtij elementi në Librat e llogarive të oficerëve të Sigurimit kërkonte që të pasurohej, ndërkohë që me parimet e kohës dhe me propagandën, që thuhej se kishte rënë e keqja, ky numër normalisht duhej të zbriste. Por Sigurimit, nuk mund t’i mohohet dhe kontributi për internimet familjare të atyre që ishin të dënuar për krim kundër shtetit.
Këto e bënë atë para një shtresë të popullsisë jo vetëm të urryer por edhe të tmerrshme. E megjithatë, sërish në ditët e sotme, t’i japim çfarë meriton dhe të mos i ngarkojmë të tjera gjëra…
…
Pasi kjo është arsyeja që e bën për inerci të bezdisur edhe Shërbimin e sotëm Informativ. Që shtoi mbi vete dhe mëkatin e ’97, kur u përdor kundër popullit. Demaskimi i çdo segmenti të këtij institucioni ka bërë që njerëzit të mendojnë vetëm keq për organet inteligjente shqiptare. Dhe, sot, shterpësia e rrjetit informativ dhe mungesa e predispozitës së qytetarëve prej frikës se mos denigrohen nga ndryshimet politike e ka bërë Shërbimin tonë të jetë i dobët dhe i nëpërkëmbur. Të mendosh vetëm valën e fundit të shpërthimeve, apo ikjet në Siri, ngjarjet e shumta kriminale dhe e kupton që infrastruktura e sotme e shërbimeve asnjëherë s’u përball si duhet, edhe pse në lojë janë interesat e vendit. Ndaj, sa më shumë ta kalojmë kompleksin e Sigurimit, aq më shumë do i përsosim strukturat tona inteligjente. Që megjithatë, “Shtëpinë me gjethe”, mund ta kenë si simbol të punës së tyre me kushte të zakonshme…por cilësisht të lartë.