Sikur dikush të kishte denoncuar në kohë të Berishës, Edi Ramën?
Nga Mero Baze
Tani që skenari u zbërthye dhe personazhi kryesor pranoi autorësinë e kësaj farse kundrejt shpërblimit, nuk ia vlen më të harxhojmë energji për të disktuar rreth asaj çfarë u sajua, por rreth sjelljes politike ndaj këtij problemi të shpikur.
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në deklaratën e tij shpjegoi të gjitha përpjekjet për të implikuar shtetin dhe drejtësinë në mënyrë informale, pa pranuar kurrë të bënin një denoncim ligjor për rastin dhe se si policia ishte vënë tri herë në lëvizje pas çdo kontakti informal, duke ndaluar personin e akuzuar dhe duke verifikuar vërtetësinë e fakteve, të pretenduara që rezultonin false. Gjëja më e rëndësishme që tha Tahiri, është se janë arkivuar procedurat e këtyre veprimeve. Pra, është arkivuar dëshmia informale e Doshit dhe e të pretenduarit për atentator dhe se janë administruar dhe përfundimet e çdo hetimi operativ, të bërë në këtë rast. Shteti shqiptar, ka një dosje të plotë pas çdo bisede informale të Doshit me autoritetet, që kanë verifikuar dhe nuk kanë konstatuar asgjë të vërtetë. Dhe për këtë Tahiri deklaroi në mënyrë zyrtare se të gjitha akuzat që Doshi kishte hedhur ndaj Agim Ramës, kunatit të Sali Berishës, Agron Kuliçit, Eugen Becit dhe çdokujt tjetër janë të rreme dhe se ata nuk janë të përfshirë në këtë histori.
Kjo më duket e vetmja gjë e rëndësishme dhe moderne në këtë histori. Unë e njoh Agim Ramën, kunatin e Sali Berishës dhe qyshkurse i dëgjova emrin të përfshirë në këtë histori, nuk e pranoja dot që ai të ishte pjesë e këtij skenari. Kjo sepse, çdo njeri pavarësisht se kush i bie për pjesë të ketë kunat ka dhe një profil të vetin që nuk del dot nga vetja.
Por, përtej kësaj deklarate zyrtare të Ministrit të Brendshëm, që Agim Rama, Fatmir Mediu, Agron Kuliçi dhe të tjerë nuk janë të përfshirë në këtë histori, është një gjest i madh emancipues për politikën shqiptare, pasi kemi një shkëputje të shtetit nga politika në raport me krimin.
Sikur kjo ngjarje komplet e sajuar të kishte ndodhur në kohën e Sali Berishës dhe një tip i ngjashëm me Doshin të shkonte tek Berisha e t’i thoshte që kërkon të më vrasë Edi Rama, përmes Kuantit dhe ish-nëndrejtorit të Policisë së tij, të jeni të sigurtë, se shteti kishte hyrë në luftë me opozitën pa verfikuar asnjë fakt. Në kohën e tij, Berisha ngriti njësi të posaçme policore për përndjekje deputetësh, përgjim telefonash dhe sajim të ngjarjeve kriminale. Të gjithë e mbajmë mend, se si vet Berisha u referohej historive të krijuara prej tij, duke akuzuar Taulant Ballën se ka dashur të përdhunojë një të sëmurë me Sida( Kjo s’kishte dhe kuptim se dukej sikur donte të vetëvritej), apo se si improvizonte prova për babain e Saimir Tahirit, për ta kapur me qese me ilaçe.
Lajmi i vetëm pozitiv në këtë histori është qëndrimi i Saimir Tahirit si Ministër i Brendshëm, që del publikisht dhe shfajëson opozitën nga pretendimet për komplot, të sajuara kundër saj, duke deklaruar se ato nuk janë të vërteta.
Nuk e kuptova pse Fatmir Mediu nxitoi të dilte e ta përgënjeshtronte një gjë që e përgënjeshtroi vet Ministri, lidhur me ish-shoferin e tij. Askush nuk tha që ai kishte paguar për vrasjen dhe as që kishte ndonjë përgjegjësi. Përkundrazi, u tha që u ndalua tri herë, u kontrollua, u verifikua dhe nuk rezultoi gjë. Këtu nuk ka asgjë për të kundërshtuar Ministrin e Brendshëm, por vetëm për ta falenderuar për etikën politike që ka treguar në këtë rast. Gjëja qesharake që po ndodh me opozitën në këtë rast, është se ata janë më shumë dakord me atë që ka tentuar të prodhojë fakte kundër tyre, sesa me shtetin që i shfajëson ata në mënyrë zyrtare. Madje bash tani të mbushet mendja, sikur opozita ka qejf të ishte pjesë e kësaj historie banale.
Këtu avokati i vetëm i opozitës është bërë shteti dhe vet Ministri i Brendshëm. Ai tha zyrtarisht që Agim Rama nuk ka lidhje në këtë histori, që Agron Kuliçi nuk ka lidhje me këtë histori, që ish-shoferi i Mediut nuk ka lidhje me këtë histori, që Eugen Beci nuk ka lidhje me këtë histori… Të vetmit që po e kundërshtojnë këtë, janë pikërisht të shfajësuarit prej pushtetit dhe të akuzuarit prej Doshit. Dhe e gjithë kjo, se nuk tërhiqen dot nga këneta ku u zhytën nga skizofrenia e Berishës, për të bërë politikë me gjak dhe vrasje në çdo rast.
Qëndrimi zyrtar i Tahirit, është shenja e parë e një shteti modern në Shqipëri, e një Ministri të Brendshëm që nuk shfrytëzon rastin për të goditur opozitën në një sajim banal faktesh dhe mbi të gjitha që e ka administruar gjithë këtë proces të vështirë psikologjiko-politik me profesionalizëm. Tani që skandali u bë publik dhe që ka mekanizma ligjor për të filluar hetimi, i vetmi krim që mbetet të hetohet është ai që ka të bëjë me nenin 267 të Kodit Penal, “Përhapja e informacioneve të rreme që ngjallin panik”, ku parashihet kryerja e krimit përmes përhapjes së informatave apo njoftimeve të rreme me fjalë, shkrim apo çdo mënyrë tjetër për të ngjallur panik në popull. Kur këto informata nuk i përgjigjen së vërtetës, Kodi Penal parashikon konsumim të veprës penale dhe rruga e duhur është që deputeti Doshi t’i dorëzohet drejtësisë. Këtu telenovela mbaron dhe e vetmja gjë që kemi fituar është një identitet i ri pushtetit, që nuk joshet të përdoret kundër opozitës edhe kur dikush ofron vullnetarisht fakte kundër saj.
Gazeta Tema