Sistemi mazhoritar me 100 zona zgjedhore

Nga EDUARD ZALOSHNJA

Në një emision televiziv të së hënës, Lulzim Basha ritheksoi se parapëlqen një sistem mazhoritar me 100 zona zgjedhore. Ndërsa në konsultën e para disa ditëve me partitë aleate të PD-së, ai nuk e përmendi këtë sistem, por e nënkuptoi, kur deklaroi se synonte një sistem zgjedhor që mundëson një lidhje sa më të drejtpërdrejtë mes votuesve e deputetëve.

Dhe, pa asnjë dyshim, sistemi që mundëson lidhjen më të drejtpërdrejtë të votuesve me deputetët, është ai mazhoritar. Deputeti që përfaqëson një zonë të caktuar zgjedhore, është i vetinteresuar të përcjellë shqetësimet e zonës në kuvend, dhe të mbrojë interesat e votuesve të tij, si gjatë miratimit të ligjeve, edhe gjatë ekzekutimit të tyre.

Po çfarë efektesh do të kishte në skenën politike shqiptare, kalimi në një sistem të pastër mazhoritar? Përgjigjja e kësaj pyetje, do të varej shumë nga versioni i mazhoritarit që do të përzgjidhej.

Në qoftë se fituesi, i çdo zone zgjedhore, do të përcaktohej pa balotazh, partia e tretë, e katërt, e me radhë, do ta humbitnin rëndësinë e tyre politike, për një kohë të gjatë. Në një mazhoritar pa balotazh, fitues është kandidati që del i pari në zonë, edhe në qoftë se merr më pak se 50% të votave (ai/ajo mund të marrë 34% të votave, ndërkohë që dy të tjerë, mund të marrin vetëm nga 33% secili).

Në qoftë se zgjedhjet do të ishin zhvilluar me këtë sistem në 2009-ën dhe në 2017-ën (vite kur PS-ja, PD-ja e LSI-ja zhvilluan një garë treshe ndaj njëra-tjetrës), shpërndarja e mandateve do të kishte qenë si vijon.

Mandatet në mazhoritarin pa balotazh, sipas rezultateve të 2009-ës*:

Në qoftë se PD-ja dhe aleatet e saj të vogla, do të kishin garuar me kandidatë të përbashkët (nga një për secilën nga 100 zonat), do të kishte fituar 50 mandate. Në qoftë se PS-ja dhe aleatet e saj të vogla, do të kishin garuar me kandidatë të përbashkët (nga një për secilën nga 100 zonat), do të kishte fituar 49 mandate. Ndërsa LSI-ja do të kishte fituar vetëm 1 mandat.

Mandatet në mazhoritarin pa balotazh, sipas rezultateve të 2017-ës*:

Në qoftë se PD-ja dhe aleatet e saj të vogla, do të kishin garuar me kandidatë të përbashkët (nga një për secilën nga 100 zonat), do të kishte fituar 31 mandate. Në qoftë se PS-ja dhe aleatët e saj të vogla, do të kishin garuar me kandidatë të përbashkët (nga një për secilën nga 100 zonat), do të kishte fituar 66 mandate. Ndërsa LSI-ja do të kishte fituar 2 mandate dhe PDIU-ja 1 mandat.

Përmbledhtas, rezultatet e këtij simulimi statistikor, paraqiten në Tabelën 1.

Tabela 1. Shpërndarja e mandateve sipas mazhoritarit pa balotazh

2009 2017
PD etj. 50 31
PS etj. 49 66
LSI 1 2
PDIU 0 1
Gjithsej mandate 100 100

Nga ky simulim statistikor i rezultateve zyrtare të 2009-ës dhe 2017-ës, vihen re disa dukuri të rëndësishme politike.

Së pari, një mazhoritar i pastër me 100 zona dhe pa balotazh, do ta minimizonte fare rolin e LSI-së si parti e tretë dhe të PDIU-së si parti e katërt.

Së dyti, PD-ja mund ta ketë shumë të vështirë të fitojë përsëri 50% të mandateve (si në 2009-ën), sepse ajo dhe aleatët e saj, në tetë vitet e fundit, kanë pësuar një firo prej 250 mijë votash.

Sidoqoftë, në qoftë se kalohet në një sistem të tillë zgjedhor, gara e ardhshme do të jetë vetëm mes dy partive kryesore, ku PD-ja do të synojë të rikthehet në kuotat e 2009-ës, ndërsa PS-ja do të mundohet të ruajë epërsinë e 2017-ës.

Mazhoritari me balotazh*

Në qoftë se sistemi mazhoritar, bëhet me balotazh, një kandidat e fiton garën drejtpërdrejt, vetëm nëse merr mbi 50% të votave në zonën zgjedhore. Përndryshe, ai/ajo duhet të garojë në balotazh me kandidatin e dytë.

Dhe këtu futen në lojë partitë e treta, të katërta e me radhë. Ato mund t’i ofrojnë ndihmë në balotazh partisë së parë ose të dytë, në shkëmbim të një marrëveshjeje për bashkëqeverisje, pas zgjedhjeve.

Nga një simulim statistikor i rezultateve të 2009-ës dhe 2017-ës, duke hamendësuar se LSI-ja do të kishte bashkëpunuar me PD-në në balotazh, dhe PDIU-ja me PS-në, rezulton shpërndarja e mandateve e paraqitur në Tabelën 2.

Tabela 2. Shpërndarja e mandateve sipas mazhoritarit me balotazh

2009 2017
PD + LSI etj. 53 44
PS + PDIU etj. 47 56
Gjithsej mandate 100 100

Në përfundim

Duket se Basha është i vendosur për sistemin e pastër mazhoritar, me 100 zona zgjedhore. Sidoqoftë, ai nuk ka dhënë indicie, nëse parapëlqen mazhoritarin me balotazh apo pa balotazh. Në qoftë se zgjedh të parin, ai do të jepte mesazhin se shpreson të vijë në pushtet falë koncensioneve që do të detyrohet t’i bëjë LSI-së. Në qoftë se zgjedh të dytin, ai ua bën të qartë votuesve të djathtë, se shpresën për ardhjen në pushtet e mbështet vetëm në rikthimin e tyre tek partia që mori 50% të mandateve në vitin 2009…

* Në këtë simulim statistikor, ndarja në 100 zona elektorale, bazohet në nëntëdhjetë  ZAZ-të aktuale, ku dhjetë ZAZ-të më të mëdha ndahen më dysh.

Albanian Free Press. AFP.al

 

SHKARKO APP