Situatë dramatike rreth Greqisë
Edhe njëherë tjetër dështuan në Bruksel bisedimet midis përfaqësuesve të kreditorëve dhe të qeverisë greke. Presioni kohor po shtohet, mirëkuptimi për taktikën e negociatave të Greqisë po bie.
Mesazhi serioz vjen nga Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Mario Draghi: drama e situatës greke nuk do të thotë se përgjegjësinë për të e mbajnë të tjerët. Ai tërhoqi vëmendjen në faktin që ndihma e likuiditetit për bankat greke aktualisht është 118 miliardë euro, kjo është e barabartë me 66 përqind të produktit kombëtar grek. BQE vazhdon të mendojë se bankat greke kanë aftësi paguese dhe se garancitë janë të mjaftueshme, për t'i furnizuar ato ende me para. Megjithatë gjendja po avancon dhe duhet vërejtur shëndeti i bankave greke. Një sinjal se në rast të një falimentimi shtetëror në fund të muajit, situata mund të ndryshojë me shpejtësi rrufeje. "Na nevojitet një dakordim serioz dhe i gjerë me Greqinë", paralajmëron Draghi. Po ta mbyllë ai rubinetin e parave, Athina merr fund.
Edhe Presidenti francez, Francois Hollande paralajmëron: duhet të zhvillohen me shpejtësi sërish negociata, sepse tani afatet për Greqinë janë shumë të shkurtra. Gjëra të ngjashme dëgjohen edhe nga Berlini. Vetëm Alexis Tsipras vetë duket se ka në dispozicion të gjithë kohën e botës dhe i deklaron një gazete greke, se do të presë me durim, derisa institucionet të kalojnë në një "pozicion më realist".
Raundi i fundit i bisedimeve dështoi
Të shtunën pasdite, një delegacion grek, i përbërë nga drejtuesi i negociatave, Euclid Tsakalotos dhe dy të besuar të ngushtë të Tsiprasit u takuan në Bruksel me një përfaqësues të Presidentit të Komisionit Evropian. Biseda do të sillte më në fund kthesën. Pas një masazhi të ri shpirtëror disa orësh javën e kaluar nga Angela Merkel, Francois Hollande dhe Jean-Claude Juncker, Tsiprasi donte të paraqiste një propozim të ri, me të cilin të kapërcehej hendeku midis borxhlinjve dhe kreditorëve. Por oferta nuk mbërriti.
Meqenëse të shtunën Tskalatos dhe kolegët e tij nuk sollën me vete ndonjë dokument me propozime, palët u ndanë shpejt. Në mbrëmje pastaj u zhvillua një raund tjetër bisedimesh, në të cilin grekët paraqitën një dokument jozyrtar. Sipas tij, qeveria greke tregon gatishmëri për kompromis përsa i përket tepricës në buxhet pas heqjes së borxheve, por reformat dhe kërkesat për shkurtime refuzohen. Në vend të kësaj grekët kërkojnë një falje tjetër të borxheve si dhe një paketë investimi për ekonominë. Por mbi këtë bazë nuk qe e mundur të bihej dakord. Kreditorët e llogarisin diferencën e debatueshme në buxhetin grek në rreth dy miliardë euro.
Pasditë vonë të dielën u zhvillua takimi tjetër. Ishte takim i shkurtër: brenda 45 minutave u bë e qartë se nuk mund të kishte dakordim. "Ata janë në yll tjetër", deklaruan diplomatët e BE për sjelljen e pakuptueshme të grekëve.
Dakordim në takimin e nivelit të lartë?
Koha po mbaron: që sot nuk është më teknikisht e mundur të arrihet një kompromis deri në takimin e ministrave të financave të Euros të enjten. Po ndoshta Tsiprasi as nuk e do një dakordim të tillë. Për këtë flet intervista më e fundit e ministrit të Financave, Varoufakis, dhënë gazetës Bild. Ai kërkon një lloj oferte të jashtëzakonshme shpëtimi personalisht nga Angela Merkel. Me sa duket grekët duan t'u shkëpusin kreditorëve lëshime të reja në nivelin e kryetarëve të shteteve dhe të qeverive. Një takim i tillë mund të zhvillohet më e vonta fundjavën e ardhshme, si takim i jashtëzakonshëm i nivelit të lartë të vendeve të euros. Sepse pa arritur fundi i muajit, parlamentet e disa shteteve anëtare, midis tyre Bundestagu gjerman duhet të kenë dhënë miratimin për një zgjatje të re të programit të ndihmave.
DWelle