Skenari i vjetër i Ramës, nën lëkurën e Kumbaros

Nga: Shezai Rrokaj

Gjithë këto ditë opinioni publik është njohur me çështjen e Teatrit Kombëtar. Artistët e Teatrit Kombëtar kanë kundërshtuar projektin e Qeverisë për Teatrin Kombëtar, ku mendohet të ndërtohet një megandërtesë ”polifunksionale” brenda së cilës ne një qoshkë do të përfshihet edhe Teatri Kombëtar. Nga ana tjetër, artistëve u është thënë se duhet të zhvendosen te Turbina gjatë kohës së ndërtimit të kësaj qendre polifunksionale.

Ky debat nuk është i sotëm. Ai lidhet me një emër: ish-ministrin e kulturës dhe ish-kryebashkiakun Rama, i cili e ka të ngulitur këtë ide qysh atëherë.

Si shumë qytetarë të kryeqytetit, por edhe të mbarë vendit jam i shqetësuar me këtë dreq sindromi që na kap ne shqiptarëve për të anatemuar historinë, e cila pa monumente të tilla, siç është dhe Teatri Kombëtar, kthehet në një amnezi kolektive. Tundimi për të filluar nga pika zero na nxit të shkulim gurët e kështjellave për të bërë oborre avllish apo i kthejmë ato në mejhane gostish, prishim kinematë, si ishkinema 17 Nëntori, Republika, por 7 xhuxhat e mjerë po i strehojmë brenda rrokaqiejve, sikur të mos mjaftonte ajo që u mor për ta zaptuar hapësirën publike.

Amnesia kolektive fillon me tundimin për ta mohuar vijimësinë historike, që hera-herës shpërfaqet me delirin se e vetmja histori është ajo që lidhet me ardhjen time në pushtet. Shumë njerëz e lidhin edhe me mitin e Kështjellës së Rozafës. Ka edhe nga ata që mendojnë se një ndërtesë e re ‘moderne” është më ‘trendi’ sesa një monument historik jo aq i ‘hijshëm’. Gjithë këto vite të tranzicionit ideja e ndryshimit është shoqëruar me idenë e mohimit, duke anatemuar vijimësinë historike si koncept identitar. Pra, koncepti social i evolucionit është vënë nën trysninë e konceptit të revolucionit, dhe nuk po na ndahet.
Kujtesa kolektive përbën arketipin social të shoqërisë.

Njerëzit lidhin me monumentet e trashëgimisë kulturore vetë jetën e tyre shirtërore. I tillë është edhe ky teatër. Ai nuk është një godinë e thjeshtë. Në atë ndërtesë janë ikonat teatrale botërore e kombëtare, që janë vënë në skenë, janë emrat e pavdekshëm të aktorëve që kanë ndërruar jetë dhe ata që vazhdojnë t’i japin jetë teatrit, edhe pse në luftë për mbijetesën e tyre. Po aty është historia e çdo të riu e intelektuali që ky teatër, si pikë referimi, e lidh me Tiranën e kohërave të ndryshme të jetës së vet. Aty shumë të rinj janë dashuruar, të tjerë kanë përjetuar emocione, kanë qarë e kanë qeshur, apo kanë bartur në heshtje mesazhe të mëkimit artistik.

Pra, ky teatër është më shumë se një minister apo një kryeministër, një drejtor a një funksionar i radhës, të cilët vijnë e ikin, por ai duhet të mbetet. Më shumë sesa një artist kërrkush tjetër nuk e ndjen vlerën e këtij xhevairi, sepse çdonjëri prej tyre e ka lidhur jetën e karrierës dhe të familjes me të.

Prandaj, ministria Kumbaro, të ndërpresë urgjentisht shigjetimet e thumbimet nga llogorja në llogore dhe të ulet me artistët. Me Robert Ndrenikën dhe artistë të tjerë të kalibrit së tij nuk bëhet luftë llogoresh. Me ta bisedohet e dëgjohen se si ata e mendojnë funksionimin e këtij monumenti të historisë së kulturës. Artistët janë vetë trashëgimia dhe domethënia e tij. Ata nuk mund të trajtohen si rrogëtarë në ligjin e ri, sepse vlera e tyre është kombëtare, e ca më pak t’u mbyllet dera e shtëpisë.

SHKARKO APP