Sociologu Gëzim Tushi: Covid-19 dhe deontologjia e profesioneve të “lëkurës njerëzore”…
Nga Gëzim TUSHI *
Të gjithë, pavarësisht punëve që kryejnë apo profesioneve që ushtrojnë kanë shumë paqartësi deontologjike e profesionale, lidhur me raportet e reja që po determinon virusi Covid-19 për të gjithë profesionet. Sidomos për ato që quhen profesione të “lëkurës së njeriut”, të cilët ndoshta më shumë se të tjerët kanë të drejtë që në këto momente të vështira janë më shumë se kurrë të shqetësuar. Profesionet janë vënë përballë imperativit për të ndryshuar shumë gjëra të etikës dhe sjelljes profesionale si kusht i panegociueshëm, për turbulencat me sukses e thella që ka shkaktuar në shoqërinë shqiptare virusi Covid-19.
Ndryshimet në thelb por si domos në format e komportimit interpersonal midis profesionistit (mjek, mësues, pedagog, politikan, administrator, etj) janë të pashmëngshme. Sidomos në këto moment kur situata është evidente dhe ultimative. Këto ndryshime thelbësore në mënyrat, mjetet, metodat, deontologjinë etike, etj, janë të domosdoshme qoftë për rreziqet për shëndetin individual dhe public. Por ato janë të dobishme për të qënë në koherencë me nevojat, shqetësimet e shumta e të gjithanshme të jetës private e paqartësive të funksionimit të strukturave familjare. Por jo vetëm kaq. Këto ndryshime duhen vlerësuar utilitare edhe në raport me detyrat, rolet dhe përgjegjësitë që lidhen me profesionin. Në thelb ajo që kërkohet është një konceptim I ri më bashkëkohor dhe në përputhje me rrethanat e ndryshuara të kushteve në të cilat do të bëhet procesi i ndryshimit të formave të realizimit profesional tradicional. Sepse është tashmë fakt i pakundërshtueshëm, që Covid-19 është bërë shkak i shfaqjes jo vetëm në jetën tonë të përditshme por dhe atë profesionale, të një lloj krize polivalente e shumëdimensionale me natyrë ekonomike, psikologjike, financiare, dhe sociale.
U bë një kohë jo edhe aq e vogël, madje tejet e mjaftueshme për të vlerësuar këto ndryshime në deontologjinë e disa profesioneve të “lëkurës njerëzore” dhe të nxirren disa konkluzione për të ardhmen. Sepse pandemia jo vetëm që po shfaq komponentët e një shqetësimi të papritur dhe me përmasa të jashtëzakonshme në raport me shëndetin individual dhe publik por po kaq edhe me shfaqjen e vështirësive, madje të një lloj krize evidente në kuptimin dhe pranimin pa rezistencë klasike në mënyrat e ndryshuara të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive profesionale. Duke parë format e reja të koportimit professional sikurse janë përdorimi I telepunës apo përdorimit të shtëpisë si një alternatuvë e zyrës publike apo vendit të punës, telendihma mjekësore apo kontaktet jo fizike por më shumë on-line dhe përmes rrjeteve sociale të pacientit me mjekun e familjes apo specialistin e institucionit spitalor, realizimi I mësimit në shkollat e larta me teleleksione, etj, janë disa pasoja apo ndryshime të thella që virusi ka treguar “forcë”, na ka detyruar të ndryshojmë shumë skema profesionale etike dhe deontologjike, duke prekur thellë dhe gjërësisht tërë tabutë e zakoneve njerëzore, sjelljeve profesionale e sociale të njohura dhe të zbatuara me standartet e njohura klasike të “shoqërisë paracoviane”.
Është fare evidente që pandemia e virusit Covid-19, pati ndikime të shumta dhe me natyra te diversifikuara në të gjitha këto fusha e drejtime standarte të shoqërisë tonë. Qoftë në aspektin mjekësor dhe teknik, por dhe në ndryshime të dukeshme në mënyrën e sjelljes profesionale që po reflektohet edhe në disa aspekte ekstra profesionale dhe me ndikim në etikën dhe parimet morale të komportimit ndryshe midis njeriut në “nevojë” dhe profesionistëve të dedikuar profesionalisht. Sepse virusi e ka vendosur shoqërinë shqiptare, por jo vetëm atë por dhe profesionistët e fushave të ndryshme në një zonë shumë të ndërlikuar të ekzistencës, e cila kërkon ndryshime në formë dhe metodologjinë e realizmit të kredos dhe detyrimit profesional.
Sepse tani duhet të nxjerrim disa mësime për sot dhe për të ardhmen. Në mënyrë të qartë Covid 19 si sëmundje e panjohur, dinake, agresive po shoqërohet me shfaqjen e problemeve të reja, që kërkojnë jo vetëm mënyra të ndryshuara të sjelljes individuale por dhe të mjeteve të “lidhjes profesionale”. Në mënyrë sintetike kjo do të thotë, se praktikisht jemi në një situatë të përgjithshme kur do të duhet të ndryshojnë jo vetëm paradigmat dhe parametrat e njohura të sjelljes por dhe format, mënyrat e deontologjisë së realizimit të lidhjeve dhe marrëdhënieve me natyrë profesionale.
Në të gjithë sferat e jetës, të institucioneve të sigurisë morale apo atyre me natyrë më abstrakte, në administratë, shkolla, spitale, institucione të riedukimit nën ndikimin e drejtpërdrejtë dhe të tërthortë të virusit Covis-19 po ndodhin ndryshime jashtëzakonisht thelbësore, të rëndësishme që e bëjnë të domosdoshme diskutimin serioz të disa parimeve të “ngurta” në deontologjinë e profesioneve të caktuara. Sidomos të atyre që janë të lidhura fort me “lëkurën e njeriut”. Mbase këto ndryshime duke qënë të thella, të gjithanshme dhe nga që kanë kapur një gamë të gjërë të sferës profesionale, e bëjnë të dobishme nevojën imediate të fillimit të një “Dialogu te Madh” social dhe profesional, për të kuptuar esencën dhe nevojën e kuptimit coherent, të dobishëm të këtyre ndryshimeve të reja, të paparashikuara.
Sepse është imperative, urgjente, e domosdoshme reflektimi i “presionit të virusit” mbi “lëkurën tradicionale” të profesioneve të caktuara. Po kaq të domosdoshme është edhe pasqyrimi këtyre ndryshime formale dhe esenciale, në standartet dhe parametrat e Kodit Etik, në logjikën standarte të deontologjisë së lidhjeve dhe marrëdhënieve profesionale me njeriun. Sidomos me ato që kanë lidhje me administratën dhe punonjësit e saj, shkollat, mësuesit, nxënësit, mjekët dhe pacientit apo gamën e gjërë të punonjësve të llojeve dhe natyrave të larmishme të shërbimit social, qoftë ky institucional apo i personalizuar.
E para dhe mbi të gjitha është të mësojmë të ruajmë distancat e jetës private, fizike e sociale, si zona me rëndësi të madhe personale për jetën. Kjo do të thotë se me siguri që do të ndryshojë tipologjia e formave të vjetra të ndërtimit të bashkësisë së grupeve të interesit, që kanë lidhje dhe nevoja për këto institucione, profesionalizmin dhe dijen e punonjësve të tyre, të atyre njerëzve që profesioni i mban të lidhur me “lëkurën njerëzore” (në kuptimin e kontaktit fizik të drejtpërdrejtë). Kjo situatë nga profesionistët e institucioneve të “lëkurës njerëzore” nuk duhet marrë me shaka, sepse ndodhemi përballë një situate me rreziqe ekzistenciale. Zakonet tradicionale që janë ndjekur, format klasike të kontakteve dhe tipet e marrëdhënieve midis institucionit dhe publikut, profesionistit dhe “klientit” duhet të ndryshojnë, duke rivendosur “kode të reja” të marrëveshjeve dhe bashkëjetesës profesionale, sociale dhe individuale. Në thelb kjo do të thotë që institucionet e “lëkurës njerëzore”, ato që janë ekskluzivisht të edukimit dhe shërbimeve, duhet të kultivojnë një kulturë të re profesionale.
Në këto kushte, duhet menduar për zgjidhje më oportune, më optimale duke kultivuar tek profesionistë por dhe “klientët”, kulturën e ngritjes së digave të natyrshme mbrojtëse ndaj vetes por dhe qytetarit që i shërben. Fjala vjen, në kushtet e pandemisë, por mbase edhe në kohen dhe hapësirat përtej saj, është imperative të vlerësohet nevoja e ridimensionimit ndryshe të sjelljes dhe etikës personale të nxënësve dhe mësuesve, mjekëve dhe pacientëve, punonjësve të administartës së shërbimeve publike e private, duke nxitur ndryshime që mund të jenë të ngadalshme për shkak të inercisë së modeleve tradicionale të shërbimit dhe edukimit, por që janë urgjente, të mënjëhershme.
Kjo dialektikë e ndryshimit të sjelljes profesionale, e marrëdhënieve të reja interpersonale në binomin profesionist-klient është imperative. Kjo do të thotë se institucionet sociale sikurse janë shkollat, spitalet, institucionet e dënimit dhe edukimit, duhet të vihen në dispozicion me “profesionistë të rinj”, të aftë për tu përshtatur me kërkesat e një “shoqërie postpandemike”, e cila me sa duket nga pikëpamja e lidhjeve dhe marrëdhënieve midis nevojave njerëzore dhe detyrimeve profesionale, duhet të jetë më shumë se kurrë e koordinuar në gjithcka. Pra dilema është e hapur për të gjithë njerëzit që kanë dhe kryejnë detyra apo ushtrojnë profesione të caktuara të “lëkurës njerëzore”, të kontakteve të vazhduara me njerëzit sikurse janë mjekët, mësuesit, punonjësit e policies, punonjësit social, bankierët, shitësit, etj.
Ose do mësohemi të reflektojmë në deontologjinë e profesioneve tona dhe të adoptohemi me sistemin imunitar të mbrojtjes nga infeksioni dhe sulmet e Covid 19 duke garantuar “triumfin” mbi rreziqet e tij, ose për fat të keq, mund të ndodhë që të lodhemi nga nevoja e “kujdesit të tepërt”, të na lënë nervat dhe të lejojmë “triumfalizmin virusal”, ose do dimë të rezistojmë duke u mbrojtur dhe ndryshuar shumë komponentë të stilit të ndryshuar profesional. Vetëm kështu mund ta bëjmë virusin që të “thyejë kokën” përballë rezistencës dhe optimizmit të shëndetshëm profesional. Nuk është qëndrimi pesimist apo disfatizmi profesional rruga e duhur. Në se frika bëhet dominante, atëherë pesimizmi profesional bëhet i pashmangshëm dhe njëherësh “aleat i virusit”, i cili pastaj mund ta detyrojë njeriun që të bëjë “divorc” të detyruar por të pakuptimtë me profesionin e vet.
Kjo dinakëri e Covid 19 është fare evidente. Ajo ka në “programin e vet të sëmurë shpirtërisht të gjithë: njeriun e zakonshëm dhe profesionistët apo njerëzit që kanë pushtetin e dijes dhe profesione të caktuara me natyrë humane, tejet të lidhura me “lëkurën njerëzore”. Të prek më shumë shëndetin e shoqërisë si një e tërë, më shumë se sa trupin individual të njeriut. Beteja është në këtë rast me natyrë ekzistenciale, sepse situata është e tillë, kur “planet” e virusit duan të trondisin deontologjinë, normat etike të disa profesioneve që janë bërë të vështira për tu realizuar me cilësi në kohën e pandemisë. Bashkë me të, synon të krijojë shqetësime ekzistenciale edhe në strukturat e jetës shoqërore.
Ndryshimi I paradigmave të vjetra në raportet e njeriut me lidhjet e tij me njeriun e profesionit, kërkon të lëvizet nga mënyrat arkaike dhe standartet e vjetra, duke rishikuar format tradicionale si i kemi rregulluar raportet e njeriut me profesionistët e fushave të dijes dhe shërbimeve utilitare. Kjo do të thotë se tani priten ndryshime të kodeve të etikës humane dhe sjelljes profesionale, duke ndryshuar hapësirat dhe mënyrat e realizimit të kontakteve, në favor të digjitalizimit dhe kryerjes së veprimeve dhe shërbimeve on-line. Besoj se këto raporte që po ndryshojnë, e do të kenë impakt pozitiv individual, efekte të gjëra sociale në rregullimin e raporteve të profesionistëve me “klientin”. Ato do të mundësojnë kushte adekuate për plotësimin e nevojave të njerëzve për shërbime të shpejta, të personalizuara, pa hallakatje sociale dhe bezdira individuale…
*Sociolog, Mjeshtër i Madh