Sociologu Gëzim Tushi: Pandemia dhe rreziku i “infeksionit nacionalist”…
Nga Gëzim Tushi –
Shumë analistë, sociologë, studiues të efekteve në kohë të ndryshme të efekteve socio-politike të pandemive, që kanë kapur në kohë të ndryshme shoqërinë planetare, janë të mendimit se përvec ndikimeve degraduese dhe efekteve shkatërrimtare shyëndetësore, epidemitë për fat të keq janë shoqëruar nga shfaqjet e dukshme të ndjenjave të ashpra të ksenofobisë. Ata mendojnë se kohët e fundit nën presionin e virusit Covid-19 janë shfaqur veprime dhe janë marrë masa rinacionalizuese, të propaganduara si të operacione gjeopolitike të detyruara, kalimtare, me efekt të përkohshëm apo si masa të diktura nga veprimet kundër infeksionit virusal dhe për mbrojtje nga përhapja e pandemisë. Sipas tyre “mbyllja e kufijve” nuk duhet konsideruar si shprehje flagrante apo qëndrim brutal, shprehje e mungesës së solidaritetit europian, por duhet parë me kujdes dhe thjesht si “version gjeopolitik i distancimit social”, si masë kufizuese për kapërximet pa pengesa të virusit nëpër kufijtë inter-europianë.
Virusi mikroskopik u tregua më i fuqishëm se projektet europianizuese dhe tendencave globalizuese. Në mënyrë të paparishikuar Europa u kthye në të kaluarën gati identike të lidhjeve dhe marrëdhënive gjepolitike nacionaliste të saj. Njerëzve po u rishfaqet përsëri “fantazma e kufijve”, e cila sipas J. Clod Junker është një nga shpikjet më të shëmtuara që kanë sjellë politikanët në realitetin kontinental. Por ja që jemi në një situatë të re, në të cilën gradualisht dhe në mënyrë të pabesueshme, pandemia u bë një shkak për rishfaqjen e befasishme dhe të papritur të “caqeve të nacionalizmit”, të kësaj shëmtire politikisht makabre dhe izolacioniste, të cilës i Europa i dha fund me rrëzimin e Murit të Berlinit.
Nuk është fare për tu habitur që një pjesë e politikanëve europianë janë të prirur të mendojnë se midis rrugëdaleve të tjera të mundshme në luftën me pandeminë është edhe “,mbyllja e kufijve”. Është e habitshme se si politikanët në mënyrë të menjëhershme dhe me një të menduar dhe të vepruar “konsensualisht kontinental”, e menduan se një “rikthim i butë” i një lloj “nacionalizmi pandemik” mund të jetë një nga rrugët e shumta në përballjen me “përhapjen kontinentale” të virusit Covid-19. Por ky riorientim nacionalist, që u shoqërua në mënyrë të menjëhershme me mbylljen e kufijve shtetërorë, restriktimin dhe kufizimin e lëvizjeve nuk është reagim vetëm i politikës por edhe i një lloj orientimi instiktiv të qytetarëve europianë. Kjo logjikë perceptimi e rrezikut kontinental, që lidhet me penetrimin e kufijve u bashkua me përvojën e njerëzve, sepse gjithnjë në “caste rreziku është shfaqur në mënyrë të logjikshme, të parashikueshme, të mundshme ajo ndjenjë, që sociologu i Krastev e quan “impuls qytetar” i cili sipas tij i shtyn njerëzit të “përqafojnë mbylljen e kufijve kombëtarë”.
Është interesant se megjithëse po bëhen më shumë se 300 vjet që gjeopolitika dhe logjika e vjetër ultranacionaliste e shekullit të 19-të dhe 20-të është përmbysur, dhe mbyllja hermetike me “gardhë nacionalë” është bërë me poroze dhe lehtësisht e depërtueshme, përsëri do të gjënden ngjarje të natyrave të ndryshme herë politike, patsaj kulturore apo edhe shëndetësore që synojnë të ringjallin “gjarprin e nacionalizmit” dhe të sjellin helmin nacionalist që po bëhet planetarisht paralizues. Sidomos kohë të arta të ringjalljes së ndjenjave të shëmtura të nacionalizmit të ngushtë, të shfaqjes së bujshme të tendencave ksenofobike, janë momentet e krizave të gjëra që kalon herë pas here shoqëria europiane. Të paktën në tre krizat e mëdha të këtij shekulli, sikurse kanë qënë kriza financiare e vitit 2008, e pasuar nga kriza e refugjatëve të vitit 2015 dhe e vazhduar me krizën aktuale të pandemisë së virusit Covid-19, kanë ngritur kokë dhe kanë tentuar të ringjallen demonët e vjetër të nacionalizmit të ngushtë.
Ajo që ndryshon në këto raste është forma, trajta, intensisteti dhe shkalla e rrezikut të tij. Duke analizuar këtë simbiozë diabolike të ndjenjave nacionaliste për të qënë në koherencë me krizat që Europa kalon në momente të caktuara, dialektikën dhe fenomenologjinë dinake dhe këmbëngulëse të kësaj ndjenje penguese për “unitetin kontinental”, destruktive për ekonominë, financat, kohezionin dhe shëndetin e familjes europiane, duhen dalluar edhe “maskat” që përdoren për ta mbrojtur dhe justifikuar rishfaqjen e prirjeve nacionaliste. Sociologët më në zë që janë marrë me fenomenologjinë e nacionalizmit dhe shfaqjet e tij në shekullin tonë, kanë treguar se në kohën e krizës së madhe të refugjatëve nacionalizmi u shfaq e maskuar nën sintagmën e “luftës kulturore”, ndjenjën e mbrojtjes së puritanizmit kulturor europian nga deformimet dhe shtrëmbërimet që mund të sillnin entitetet e ndryshme kulturore jo europinae të refugjatëve.
Sidomos të atyre që nuk ishin bashkëqytetarë kontinentalë. Nuk ka kaluar shumë kohë që nga ajo krizë, që në planet të shfaqej një krizë e re sikurse është pandemia e virusit Covid-19. Pikërisht në këtë kohë po shfaqen fenomenet e “mbylljes së kufijve”, izolimit nacionalist nën parrullën se tani është më mirë dhe më e domosdoshme që njerëzit të qëndrojnë në “shtëpinë e tyre”. Kjo “porosi” jo aq në kuptimin fizik të shtëpisë si institucion i jetës private të njeriut, por dhe në kuptimin e përkatësisë së identitetit kombëtar. Në këtë logjikë koherente të prirjeve ambiguide të shfaqjeve të nacionalizmit, sipas natyrës dhe përmbajtjes së krizave që shfaqen në kohë të ndryshme, sociologu Ivan Krastev mendon se “Covid-19 e zëvendësoi nacionalizmin kulturor me nacionalizmin e orientuar nga shëndeti publik…” (I. Krastev, “Mbërriti e nesërmja thua”, f 25)
Padyshim tani jemi në moment ekzistencialisht të vështira për jetën dhe shëndetin personal dhe publik. Njerëzit duke qënë në ankth e panik, që ka përfshirë edhe politikanët e shteteve europiane por dhe drejtuesit e BE-së, nuk e kanë shumë mendjen se masat që po marrin për mbrojtjen e popullatave të tyre, që janë përgjegjësi ekskluzive të qeverive për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve të tyre, dhe nuk e kanë shumë në mëndje se cfarë korniza të bashkëjetesës kontinentale shkellen, apo sa patologjike janë këto masa për shëndetin biologjik por të dëmshme për shëndetin gjepolitik kontinental. Sepse po dominon logjika sipas të cilës, mbyllja e kufijve në kohë pandemie, është një instikt i vjetër historik. Por jo vetëm kaq, mbyllja e kufijve është konsideruar si mënyra më klasike, tradicionale për të luftuar epidemitë. Madje ajo konsiderohet “mënyra tradicionale e “praktikimit të distancimit social nga ana e shteteve”.
Duhet shpresuar se logjika europianizuese do të triumfojë mbi idetë eksluziviste se pandemia është përgjegjësi e mbyllur e shtetit komb dhe qeverive respektive, sepse ndryshe shumë rreziqeve të vërteta mjekësore, mund të bëhen shkak që të shfaqjen disa patologji politike e sociale “shoqëruese”, të cilat ne qytetarët europianë i kshim harruar, apo më sakt i kemi konsideruar “sëmundje të kapërxyera” që nga koha e rënies së murit të Berlinit dhe zgjerimit të përmasave të tendencës globalizuese.
Kjo kohë do ketë të papriturat e veta madje ka njerëz të trembur nga këto nuanca e parashikime ogurzeza, sipas të cilave pandemia mund të japë më tej edhe kundërefekte deglobalizuese, me rrezik të shfaqjes së tendencës patologjike të “rinacionalizimit përtej kulturor”. Madje sipas tyre, kaq shumë të forta do jenë efektet deglobalizuese, sa ka mundësi të ndodhemi përballë një procesi të bujshëm të kthimit drejt “shtetit komb”. Është batutë inteligjente dhe figurativisht e bukur thënia “U desh një virus që t’ia merrte mendtë botës: teksa shkruaj BE-ja përkohësisht është pezulluar dhe qytetarët gjejnë strehë në sigurinë që iu ofron shteti komb”. (I. Krastev “Mbërriti e nesërmja thua” f 16)
Tani të gjithë jemi të tronditur sepse pandemia e ka bërë gjithcka likuide, tejet të paqartë e të rrëshqitshme. Për pasojë jemi edhe në një kohë paradoksesh, imagjinatash dhe parashikimesh herë të sigurta, e në shumë raste paranojake apo thjesht utopike. Vecse ndryshimet që po ndodhin, janë aq të mëdha dhe frikërat e një rikthimi drejt një nacionalizmi të ri, më të zbutur apo më restriktiv (këtë do e tregojë koha), sa që kanë filluar të dalin në pah progrnoza të frikshme e parashikime që edhe “bashkimi Europian mund të bëjë hapa pas, të përfundojë me statusin e ri të “Shteteve të Bashkuara të Europës”.
Le të shpresojmë që situata e pandemisë të mos bëhet virus për rishfaqjen e “nostalgjive” dhe “infeksioneve nacionaliste” primitive dhe që të “infektojnë shëndetin” e Europës”. Virusi Covid-19 nuk mund të bëhet “ushqim” i nacionalizmit, që mund të shfaqet në formën e pandemisë politike. Shpresoj që ky rrezik të jetë e kapërxyer në mënyrë definitive, të pakthyeshme. Në se “virusi i nacionalizmit” do bëhet i pashërueshëm, atëhere për fat të keq do rifillojmë të sundohemi nga mistika e vjetër e kufijve. Nga kjo shpikje më e tmerrshme që kanë bërë politikanët ndonjëherë, do të thoshte me të drejtë Jean Clod Junker. Këto ditë të vështira, janë në qarkullim dy imagjinata pluskuese të kundërta. Njëra është e qytetarit europian, i cili nuk i pranon më kufijtë e ngurtë, gardhet e deformuara të nacionalizmit hermetik europian, por nga ana tjetër janë politikanët, të cilët të ndodhur përballë turbulencave, shqetësimeve gati të papërballueshme të ndikimeve të pandemisë, kanë filluar të kenë imagjinatën se pandemia mund të përballohet, në se përvec problemeve që kanë të bëjnë me funksionimin e sistemit shëndetësor, edhe me një proces të rinacionalizmit dhe vendosjes së kontrollit të kufijve.
Me idenë se kjo është një masë e domosdoshme, një “karantinë nacionale” që mund të bëhet edhe mbështetëse për barrierën mjekësore, për tu mbrojtur nga përhapja e zgjeruar e virusit Covid-19. Ideja e ringjalljes së “nacionalizmit të butë” përmes ringritjes së “mureve shëndetësore mbrojtëse” nuk është metaforë, por një ide që ju shkon në mëndje të sëmurëve nga nacionalizmi dhe ksenofobia, atyre që e duan Europën të katandisur në kufijtë patologjikë të “shoqërisë së mbyllur. Por kjo është e pamundur. Sepse historia e Europës asnjëherë nuk ka ecur me “marsh prapa”. Sikurse ka thënë intelektualja dhe politikania franceze Natthalie Goulet: “Mure janë ngritur gjatë gjithë historisë. Muret janë dështime. Shihni Murin e Madh Kinez, që tani përdoret vetëm nga turistët për të bërë fotografi”.(Douglas Murray, Vetvrasja e Europës, f 312)