Sociologu Gëzim Tushi: Pandemia dhe tronditjet “sizmike” të shoqërisë…
Nga Gëzim Tushi*
Pandemia nuk është vetëm një realitet mjekësor, që shfaqet dukshëm kritik për ekzistencën e individit dhe jetën e shoqërisë, por është një ngjarje që e ka vënë shoqërinë, mendimin intelektual filozofik e sociologjik përballë dilemave të reja, të panjohura më parë. Në këto kushte është e natyrshme, që duke qënë akoma në pjesën e butë të pandemisë dhe akoma më tasigurt për ecurinë dhe kurbën e saj në të ardhmen, jo vetëm që nuk jemi të sigurt, gjërat të duken jo shumë të qarta. Kjo problematikë komplekse mjekësore, sociale, ekonomike, politike e financiare shfaqet tejet e koklavitur, sepse pikërisht sepse ndodhemi në situatën kur ky “virusi mikroskopik”, që erdhi papritur në jetën tonë sociale, ka hapur shumë debate sociale dhe është shoqëruar me problematika të zgjeruara me natyrë të përgjithshme ekzistenciale, filozofike e sociologjike. Fenomene e probleme që nuk janë të lehta të tu vlerësuar sociologjikisht dhe interpretuar filozofikisht.
Shoqëria shqiptare dhe njerëzit tanë në përgjithësi nga goditja e pandemisë kanë marrë “tronditje sizmike”, dhe shfaqin problematika e shqetësime sociale e personale, që tregojnë se jemi në një moment kur duhet ti shikojmë me kujdes dhe nën optikën e ndikimeve eventuale të virusit Covid-19, të gjitha raportet dhe vartësitë reciproke, relacionet thelbësore midis të tashmes, të kaluarës dhe të ardhmes. Por për të qenë deri në fund I sinqertë, më duket se kjo situatë problematike, komplekse, e ndërlikuar nuk është aq e lehtë për të bërë interpretime elokuente e “shteruese” filozofike, sociologjike, psikologjike e morale. Sepse kanë ndodhur shumë ndryshime të paparashikuara që erdhën pikërisht pas tronditjes së thellë, me pasoja kolosale që ka sjellë pandemia në jetën individuale dhe sociale, në ekonomi, financa, shëndet, mirëqënie personale e kudo.
Në këto kushte jo vetëm që është e udhës që të përpiqemi së pari që të bëjmë gjithçka mundemi, për të rikuperuar dëmet materiale dhe rupturat psiko-sociale të shoqërisë. Porn ë të njëjtën kohë të përpiqemi të interpretojmë teorikisht zhvillimet kontekstuale, të gjëjmë idetë që na duhen, piketat sociale që na shërbejnë dhe paradigmat teorike filozofike e sociologjike që na orientojnë drejt, se ku dhe si do bazohet jeta e njerëzve në “epokën post-pandemike”.
Këto përpjekje e synime komplekse, empirike e teorike janë të domosdoshme të ndodhin. Madje sa më shpejt të jetë e mundur, si kusht për ta risjellë shoqërinë në normalitetin e duhur mental, shpirtëror e funksional. Por për ta bërë këtë gjë të mundur dhe realizuar një proces kaq të vështirë, është e nevojshme të ndalim shikimet pesimiste, një lloj disfatizmi që në këto kohë të vështira u bë një ndjenjë masive. Dikush mund të thotë, që pesimizmi social është ndjenjë organike në këto kohë tragjike të pandemisë. Mundet të jetë deri diku e vërtetë, por nuk është tërësisht e vërteta. Në se mendojmë në mënyrë racionale, shoqëria shqiptare ka nevoja të tjera, për veprime e perceptime që ndihmojnë për të kthyer normalitetin e saj.
Kështu që njerëzit edhe pse në situatë të vështirë, duhet të kuptojnë dhe të binden që shoqëria shqiptare sot, akoma më shumë nesër në kohën post-pandemike, do ketë nevojë për të vënë në lëvizje di instrumente destruksioni social por “mekanizma implozioni”, që të ndihmojnë në mbërthimin e institucioneve dhe bashkimin kompakt të shoqërisë, për të shmangur së pari ndjenjat e panikut dhe eksplozionit të dëshpërimit social, shpërthimit të pakontrolluar të disfatizmit psikik e deprimimit të thellë shpirtëror.
U bë një kohë relativisht e gjatë, që coronavirusi ka marrë “frenat” e situatës si factor terrorizues social, si forcë e madhe destruktive e antisociale, që e vuri shoqërinë shqiptare në shinat e pesimizmit, frikës individuale dhe ndjenjës së zgjeruar të ankthit social. Ne nuk kemi nevojë për këto instrumenta që sjellin ankth social, dëshpërim të përgjithshëm shoqëror. Përkundrazi tani është moment i duhur, kur na duhet të fillojmë të “pastrojmë” rrugën e shoqërisë shqiptare nga “gurët e pandemisë”, të cilët përpiqen të na pengojnë të ecim më shpejt dhe në drejtimin e duhur.
Tani të gjithë jemi ndërgjegjësuar dhe jemi plotësisht të bindur, për përmasat dramatike e tragjike të rrezikut të pandemisë që po kalojmë, si dhe po aq koshient edhe për pasojat aktuale dhe gjurmëve e thella të saj për të ardhmen. Këto janë llogari sociale të cilat përditë i bëjmë individualisht dhe si shoqëri. Shqetësimi I përgjithshëm në këto moment ka të bëjë me faktin se sa më shumë kohë ka kaluar, pandemia në vend të qetësimit ka marrë forma shqetësuese, me përmasa e pasoja të paparashikueshme. Një gjëndje e dukshme e “terrorit shëndetësor”, intensiteti i së cilës synon shkërmoqjen dhe përkuljen e shoqërisë, të integritetit të saj social dhe dinjitetit personal të njeriut. Beteja e virusit synon ta “përkulë njeriun”, ta bëjë atë disfatist e frikacak, deri në nivelin e kthimit të gjithë shoqërisë në një entitet social me “material njerëzor” të përthyeshëm nga rreziku e të përkulur nga pasha e frikës.
Padyshim jemi të ndërgjegjshëm që pandemia ka dhënë efekte të forta në gjëndjen mendore individuale, në përjetimin e situatave sociale që po përjeton nën efektet e saj shoqëria shqiptare. Këto kohë kanë qënë në qarkullim të gjitha shikimet semplise e parashikimet ogurzeza, për kurbën, pasojat e saj social-ekonomike dhe psiko-urbane. Krahas ideve të sakta, koherente e biofiklike janë evidentuar lloj-lloj idesh, prognoza fetare e ateiste, shkencore e sharlataneske, optimiste dhe eskatologjike.
Sikurse tregon historia e njerëzimit, gjithnjë në situata pandemike dhe gjendjeve stresante që ajo sjell në shoqëri, nuk mungojnë shfaqja e të gjithë llojeve të “psikovampirëve” dhe pseudo eksperteve, të cilët në situata të tilla kanë ndikim social, nga që dallojnë dhe pastaj me lehtësi spekulojnë me dyshimet dhe frikërat tona, duke sjellë situatën e panikut social dhe pasigurisë individuale. Është e vërtetë që për shkak të karakterit masivisht vrastar dhe dimensionit degradues të virusit Covid-19, në shoqërinë shqiptare përmasat e panikut kanë qënë të larta. Po jo vetëm tek ne. Kudo në botë ka qënë një situatë e ngjajshme. Madje, nuk kanë munguar të nxjerrin kokë jo vetëm pseudo ekspertët, por dhe njerëz që e interpretojnë pandeminë me “optikë neomaltusiane”, të cilët mendojnë se virusi erdhi në planet me qëllim që të pakësojë “popullsisnë e tepërt”. Në se duam të kemi më pak pasoja, duhet të kujdesemi më shumë për shëndetin tone mendor vetjak dhe publik. Sidomos për arsyen e thjeshtë që “zinxhiri I shkaqeve” të infektimit nga virusi është edhe i njohur edhe I panjohur.
Megjithatë, në kohën e sotme ka një literaturë të gjërë psiko-sociale që flet për efektet pozitive dhe degraduese të pandemive. Duke e vlerësuar situatën duket se teorikisht dhe praktikisht, kjo kohë pandemie ka dhënë efekte gjithpërfshirëse edhe në jetën sociale të shoqërisë shqiptare. Ajo e ka turbulluar së tepërmi nivelin e dëshirave, qejfeve dhe kënaqësivë njerëzore, duke I kufizuar dhe prekur deri në thelbin e tyre ontologjik. Në të gjitha aspektet e jetës, coronavirusi ka cënuar së tepërmi statusin e mirëqënies personale, ndërpersonale dhe sociale.
U bë një kohë relativisht e gjatë, që shqiptarët përveç halleve të tjera si varfëria, papunësia, niveli I lartë I krimit, etj, po përpiqen ta bëjnë jetën të durueshme edhe në kushtet e pasojave jo të lehta të pandemisë. Në këto kushte njerëzit janë detyruar të pajtohen me shumë kufizime, duke vlerësuar në rradhë të parë “nevojën për mbijetesë” përballë rrezikut vdekjeprurës të virusit Covid-19. Cilindo nga instrumentet psikologjikë, sociale dhe materiale që të përdorim, për të matur rënien e nivelit të kënaqësisë në kohën e pandemisë, me siguri që do te kemi tregues të qartë të shfaqjeve konkrete të gjëndjes së privimit social dhe dëmtime të nivelit material të jetës. Nivelet e privimit dhe kufizimit të dëshirave dhe kënaqësivë të natyrshme të jetës, në këto kohë pandemike kanë qënë relativisht të larta. Padyshim e gjithë kjo betejë u bë në një terren të zgjeruar të pasigurisë shëndetësore dhe sociale, për shkak të dinakërive të zgjeruara dhe të paprirurave të virusit Covid-19.
Problemi që duhet vlerësuar ka të bëjë më situatat që kalojmë është ndërgjegjësimi social, sipas të cilit prania dhe aq më tepër zgjerimi i ankthit dhe frikës nuk i shërben luftës kundër pandemisë, përkundrazi ato bëhen nxitës, mbështetës dhe aleatë të përhapjes së virusit. Në këto kushte, ajo që duhet dhe që na duhet të bëjmë individualisht dhe së bashku si shoqëri, nuk është të kapemi nga paniku, frikërat dhe pasiguritë që ka sjellë virusi, por të ndjekim pretendimet e drejta të arsyes së shëndoshë, për të ndryshuar disa gjëra në mënyrë të shpejtë dhe të domosdoshme, sikurse janë disa paradigma e mënyra të sjelljes tradicionale. Shoqërisë tonë i ka lindur e drejta, që në rrethanat e reja në të cilat ndodhemi, duhet të mendojmë dhe rimendojmë vazhdimisht për ndryshimet që po ndodhin në jetën sociale e individuale.
Duhet të mendojmë për gjithçka, sepse gjërat që ndodhin janë historikisht të kushtëzuar nga faktorë të ndryshëm. Koha postmoderne e ka në “programin” dhe “Kushtetutën” e vet, kapërximin e kufirit ideologjik e dogmatik të shikimit dhe vlerësimit të fenomeneve sociale. Por tani, pikërisht nga ndikimet totale dhe influencat integralisht të pashmangshme të virusit Covid-19, nuk ekziston asnjë shans i joshjes apo interpretimit ideologjik të dukurive dhe pasojave sociale të pandemisë në jetën e shoqërisë tonë. Shoqëria, jeta e kornizuar ideologjikisht në të kaluarën e shoqërisë tone, ka përfunduar. Shoqëria unike, e ngurtë pa alternative ka marrë fund. Me siguri njëherë e përgjithmonë. Pandemia me siguri që është një impuls shtesë që do e bëjë shoqërinë dhe jetën e njerëzve tanë me alternative të shumta, të lira, likuide e provizore. Këto zhvillime të vrullshme, do bëjnë që shoqëria postmoderne e post-pandemike, të superojë e të sunduese mbi imazhet arkaike filozofike e sociologjike të shoqërisë tradicionale. Doemos duke hedhur “pas krahëve” disa mënyra sjelljeje dhe të menduari për jetën, që koha na I ka lënë trashëgim.