Sociologu Gëzim Tushi: Sa rrezikohet shëndeti i demokracisë nga pandemia?
Nga Gëzim Tushi –
Mbase nga që jemi në prag të fushatës së zgjedhjeve parlamentare, është e natyrshme që të ndihet serioz shqetësimi politik dhe qytetar, për format e kufizuara zhvillimit të propagandës partiake, për përmasat e reduktuara në minimum të tubimeve elektorale dhe interferimet kapilare jo masive me individë, grupe sociale e shtresa të caktuara. Ky shqetësim nuk është vetëm elektoral dhe as thjesht i lidhur me situatën e demokracisë në Shqipëri, tani në prag të zgjedhjeve të 25 prillit të vitit të ardhshëm. Problemi me sa është më i gjërë dhe global. Në këtë kontekst pyetja që bëhet është: sa ndikim ka patologjia virusale, efektet dhe kundërefektet e saj, jo vetëm për shëndetin e shoqërisë, (që tashmë është rrezik i njohur), por sa do jetë ndikimi deformues edhe për funksionimin normal dhe me standarte të demokracisë elektorale? Sociologu i shquar Ivan Krastev, duke analizuar fenomenologjinë e ndikimeve politike në shëndetin e demokracisë të virusit Covid-19, mendon se “Ekziston mundësia që në vend të disa muajve, Covid-19 të na mbajë larg rrugëve për disa vite me rradhë, cka përbën dhe rrezikun më të madh për demokracinë liberale europiane”. (I Krastev, “Mbërriti e nesërmja thua”, faqe41)
Kjo është arsyeja pse tema e ndikimeve polivalente të virusit Covid 19, e pandemisë që e shoqëron atë në shoqërinë shqiptare pikërisht tani që jemi para zgjedhjeve të reja politike e parlamentare, është bërë shqetësim polyvalent, me shumë dimensione gjykimi dhe interpretimi. Jo vetëm në sferën e shëndetit dhe ndikimeve patologjike shëndetërisht vrastare, por dhe në ndikimet që ajo ka mbi institucionet private, ato të sigurisë morale. Besoj që edhe ne sociologët duhet të jemi sinqerisht të shqetësuar dhe njëherësh tejet të interesuar për disa ndikime reflektuese të pandemisë, mbi politikën dhe shëndetin dhe funksionet e “demokracisë elektorale. Kjo mbase për shkak të shumë tekave të virusit, që ka si konditë mbajtjen e distancimit fizik dhe rregullat e hapësirës sociale nga njëra anë që është e lidhur me aspektin mediakal, por nga ana tjetër edhe të një lloj abuzimi të mundshëm të politikës dhe politikanëve, të cilët patologjinë virusale mund ta kthejnë në patologji me natyrë politik-elektorale.
Kjo është evidente me shfaqjen e detyruar nga pandemia të formave të restriktimit të parimeve, moduleve të njohura të sjelljes, cilësisë dhe nivelit të demokracisë qytetare. Pra duket qartë ajo që parashikojnë sociologët politikë, se në kushtet kur distancimi social po bëhet i “detyruar” dhe në momentet që ai po interiorizohet në etiketën e sjelljes sociale si mënyrë e përgjegjëshme, e domosdoshme për mbrojtjen e shëndetit, duke u bërë një limfë e re e funksionimit të shoqërisë postcovidiane. Por kjo mund të bëhet shkak për të cënuar gjënë më të rëndësishme, thelbësore, ose atë që në politologji njihet si “mistika e demokracisë”, e cila duket kur kufizohen takimet direkte elektorale, shfaqjet me pasion të orientimit militantesk, të cilat janë atribute thelbësore, konstante të mandryshueshme, kuintesenca e veprimit demokratik.
Politologjia e demokracisë e vlerëson shumë që njerëzit në kohë fushate të jenë “pjesë e një turme, e një organizimi kolektiv”. Në një kuptim akoma më të thejshtëzuar, në kohë fushate “politika e rrugës” ka bukurinë, emocionin dhe spektakularitetin e vet. Madje konsiderohet si një nga “mjetet” për funksionimin e duhur të demokracisë. Aktiviteti dhe komunikimi on-line, apo ajo që sociologët politikë e sintetizojnë si “politikë e kliktivizmit” të rëndomtë (clikimet on line), e cila është e “ftohtë”. Kjo është arsyeja pse ata duke analizuar shfaqjen e “sëmundjeve të demokracisë on-line, të diktuar nga pandemia, deklarojnë se “..në qoftë se njerëzit rrinë në shtëpi demokracia nuk mund të funksionojë”.
Po si paraqitet kjo situatë në shoqërinë dhe politikën shqiptare? Si janë dhe si do zhvillohen këto muaj të fushatës elektorale, lidhjet politike e kapilare të qytetarit me politikën, të elektoratit me drejtuesit e partive respektivisht përkatëse?
Padyshim edhe pse kemi dalë me pasoja nga disa muaj restriktivë të “bunkerizimit social”, mbylljes totale për t’u mbrojtur nga virusi, akoma veprimtaria publike e qytetarëve dhe veprimet e institucionalizuara politike janë të vakta e nën kontroll. Sociologët të shqetësuar nga ky fakt kanë filluar të reagojnë, duke paralajmëruar se vërtet virusi është I rrezikshëm, por jo më pak e rrezikshme është tentative e politikanëve, që për qëllime pushteti, autoriteti apo ato synimet elektorale, janë të kënaqur me një lloj tentative për ta bërë shoqërinë e hapur, politikisht të mbyllur, të izoluar, pa kontakte e interferime të gjëra publike.
Sociologët, njohës të mirë të kurbave social-politike të reflektimit ndaj faktorëve të jashtëm mbi shëndetin e demokracisë, mendojnë se nuk është e pamundur që disa restriktime të thella të moduleve të funksionimit të demokracisë, nën ndikimin e virusit, efekteve degraduese të pandemisë mund të tkurren. Ky është një rrezik eminent, i cili ka mundësi që në mënyrë pandjeshme të “mjegullojë kufijtë midis demokracisë dhe autorotarizmit”. Ky i fundit (autoritarizmi) shihet si pasojë e frikshme, që buron nga ndikimet sociale të virusit patologjik, i cili përmes nevojës së distancës fizike dhe sociale, kufizon hapësirën dhe kohën e nevojshme të veprimit demokratik, të drejtën e protestave, tubimeve elektorale të pakufizuara. Thellimi i distancës së politikës nga elektorati zgjedhës, është një rrugë që cënon demokracinë direkte e pjesëmarrëse dhe favorizon autoritarizmin.
Përzjerja e rreziqeve të vërteta të pandemisë, me synimet momentale të politikës apo me shfrytëzimin e këtyre rreziqeve, për të kufizuar disa të drejta dhe liri demokratike, duhen parë me kujdes jo vetëm në aspektin mjekësor, por dhe me vigjilencë demokratike. Në këtë pikë besoj se është lehtë të kuptosh dhe të parandalosh sjelljen demokratike nga ajo autoritariste, apo nevojën e ekzagjerimit të tepërt të restriksioneve penguese për zhvillimet e natyrshme demokratike. Padyshim nuk jemi në karantinë të plotë por jemi në një situatë kur fushata zgjedhore për zgjedhjet e 25 prillit nuk do të jenë me masshtabet e aktiviteteve politike të zakonshme.
Kjo do ketë efekte dhe kundërefekte elektorale, politike dhe emocionale tek zgjedhësit. Në mënyrë të vecantë me siguri që do ketë probleme lidhur me shkallën e besimit elektoral për rezultatin e zgjedhjeve. Fushata e zhvilluar pa kontakte të drejtpërdrejta fizike midis zgjedhësve dhe atyre që do zgjidhen, është pikërisht e lidhur edhe me besimin e njerëzve për legjitimitetin e vërtetë të parlamentit të ardhshëm, meritokracinë e mandateve të fituara nga betejat on-line. Distancimi social është një mjet me pasoja edhe mjekësore edhe politike, i domosdoshëm për shëndetin individual e publik, por në të njëjtën kohë i dëshmëm për testimin e drejtpërdrejtë të elektoratit mbështetës të partive politike.
Këtë situatë sociologët politikë shqiptarë duhet ta analizojnë me kujdes. Sipas tyre këto forma të reja të kontaktit të tërthortë të politikës me elektoratin, janë sinjal se në botën postcovidiane do kemi shoqëri dhe elektorat më pak të ideologjizuar, por në të njëjtën kohë ka shumë mundësi që demokracia të bëhet më e pastabilizuar. Ka të tjerë që janë akoma më pesimistë për ndikimet restriktive e ndoshta autoritariste, të cilët janë të mendimit se pandemia ka rrezik ta “ngrijë demokracinë” direkte, të drejtpërdrejtë, apo rrezikun që politika të kthehet në një teatër të madh videopolitike. Padyshim sot në Shqipëri ka një situatë që ka të dy anët, qoftë imagjinatën e paqartë të publikut se si do jetë demokracia postcovidiane dhe në të njëjtën kohë edhe një mpirje të elitave politike, të cilët vazhdojnë të bëjnë politikën e ditës dhe debatet elektorale me idenë se kjo është një situatë që po ndikohet nga efektet e virusit Covid 19, dhe që mendojnë se pasi të kalojë kjo krizë pandemike, gjërat do të kthehen sikurse kanë qënë. Të dy palët nuk mendojnë saktë. As për atë si po zhvillohet sot situata elektorale në Shqipëri, as për atë se si do të jenë nesër gjërat. Padyshim ka nga ata që kanë bindjen se politika është “art”, që i ka mundësitë t’i rregullojë gjërat dhe raportet me demokracinë pasi pandemia të mposhtet.
Sidoqoftë në se do analizojmë me përgjegjësi situatën e shëndetit të shoqërisë, dhe në anën tjetër reflektimet dhe ndikimet e saj në “shëndetin e demorkacisë, mund të themi se ajo (pandemia) evidentoi anën e mirë dhe anën e errët të shoqërisë nga njëra anë, por dhe të politikës dhe qeverisë në anën tjetër. Qoftë për respektimin e detyruar nga individët dhe shoqëria shqiptare (edhe pse me të meta të bollshme) të protokolleve mjekësore, që filluan në muajin mars me “bunkerizimin shtëpiak” dhe izolim total. Që tani po vazhdon me nevojën e respektimit të distancimit fizik e social. Nga ana tjetër edhe pse qeveria, vecanërisht MShMS ka qënë e angazhuar me marrjen e masave preventive dhe kurative, të metat në këtë proces kanë qënë evidente.
Shqetësimi universal i politikës dhe shoqërisë në këtë “kohë postcovidiane” është një lloj rreziku, që e injekton virusi por që ka rrezik t’i pëlqejë politikës, e cila mund ta shfrytëzojë këtë moment dhe të bëhet “aleate” me virusin për të cënuar standartet, modulet dhe paradigmat e demokracisë liberale. Virusi nuk mund të pranohet si shkak, ca më pak si pretekst për të asfiksuar statusin e demokracisë shqiptare. Qoftë edhe në ato nivele jo fort të kënaqshme që është sot. Virusi Covid 19 duhet përballuar dhe “goditur” në të gjitha frontet dhe synimet e tij të shumëanshme. Qoftë ato që kanë të bëjnë me shëndetin individual e publik, apo me synimin fatal për të bërë një kalim të butë nga ky nivel demokracie që ka shoqëria shqiptare në një lloj autoritarizmi. Qoftë ky edhe i butë.
Sociologët duke vlerësuar rreziqet komplekse e polivalente të Covid 19, qoftë ato mjekësore, kulturore e social politike janë të mendimit se pikërisht në kohë pandemish e krizash lulëzojnë “politikanët autoritarë”, të cilët bëhen mjeshtra për të luajtur duke qënë tejet “elokuentë me politikën e frikës”.
Sepse pandemia ka krijuar një situatë sociale, që vetë kushtet e frikës i detyrojnë njerëzit të kenë një “vetëdijshmëri të lartë”, dhe që bëhen të gatshëm të pranojnë, ndonjëherë në mënyrë të gabuar, pa kushte, kufizimet që ndërmer politika në emër të luftës për mbrojtjen e shëndetit. Në situata pandemike, është e natyrshme që njerëzit më shumë se mendojnë për “standartet e demokracisë” apo marifetet e cënimit të saj nga politika, kanë dëshirën e natyrshme për shëndet e siguri sociale. Psikologët socialë e kanë shpjeguar këtë situate, me faktin që në kohë rreziqesh dhe pandemish shfaqet njeriu me “mendje njëdimensionale e të frikësuar”. Koha Jonë
*Sociolog, Mjeshtër i Madh