Sokol Balla: Me t’rraf Rrema! ­

Nga Sokol Balla/Nuk kam besuar në asnjë moment se ai do fitonte. Proporcionalisht kuptohet sesa imagjinoja që ai doktor i thjeshtë me një mënyrë buzëqeshëse të foluri, të arrinte të merrte 4500 vota më shumë se një prej njerëzve më të mençëm që njoh sot tek PD. Por ndërsa dilnin rezultatet e kutive njëri pas tjetrit, u binda se Muharrem Rama nuk ishte thjesht personi që mundi Sherefedin Shehun, as thjesht ai që prishi ëndrrën e parakohshme për pushtet të demokratëve. Rrema është Skema. Skema sesi një shumicë aritmetike votash, po kthen një koalicion tripolar, në furrnaltën e një pushteti afatgjatë. Dhe për më tepër e për më keq, edhe cilësor.

Vetëm kështu shpjegohet ajo që ndodhi të dielën në Dibër. Shukriu nuk është se vetem shkaktoi zgjedhjet. Por thuhet se fisi i tij i madh që përfshin edhe deputetë, më së paku nuk ishin entuziastë për zëvendësimin, më së shumti pastaj.. e dinë ata vetë. Paradoksalisht kjo pakënaqësi e fisit të tij duhet të punonte në të njëjtin drejtim me pakënaqësitë që shkaktoi sjellja që i solli shkarkimin.

Në këtë drejtim duhet t’i punonte pakënaqësia e atyre që ai nuk i ndihmoi, nuk i punësoi. Pra edhe pakënaqësia e LSI, njerëzit e së cilës në fakt nukse patën ndonjë angazhim serioz në këtë fushatë. Sepse ata ishin totalisht të pakënaqur me përfshirjen në fushatë, të PDIU.

Kundër Rremës duhet të punonte premtimi i pambajtur i kësaj qeverie për Rrugën e Arbrit. Kundër Rremës duhet të punonte ekonomia e përgjumur. Kundër Rremës duhet të ishte një PD tashmë e bashkuar dhe përballë tij një kandidat, me reputacion kombëtar, një ish funksionar i lartë dhe një djalë Dibre. Por Muharrem Rama fitoi përkundër gjithë këtyre arsyeve logjike që unë besoja se do të sillnin disfatën lokale të të majtëve në një bastion historik të të djathtës.

Dibranët e vlerësuan Shukriun një incident, Sherefedinin një aksident , premtimin e pambajtur ende të Ramës për rrugën e Arbrit më të besueshëm se gënjeshtrat tetë vjeçare të Berishës, projektin e Bashës të papjekur, ndërsa PD ende të plogësht për t’iu dhënë besimin politik në nivel lokal. Sherefedini mbeti një ish dibran që jetonte në Tiranë e që nuk votoi dot të dielën as për veten e vet, që nuk arriti dot të bindte as Sllovën e vet të lindjes. Që nuk fshehu lodhjen dhe hutimin personal dhe familjar për këtë zgjedhje që u duk ashiqare që nuk ishte e tija. Që u dha dibranëve mesazhin se integriteti i tij nuk do cënohej “tani që jam në fund të karrierës”.

Mesazhi më i gabuar për t’i thënë një komuniteti relativisht të ri në moshë se do t’i qeveriste një person që do dilte shpejt në pension. Por Sherefedin Shehu është i fundmi që mund të fajësohet për humbjen.Dhe as Basha nuk është fajtori kryesor Sigurisht që ishte e parakohshme prej tij të thoshte se në Dibër është Fillimi. Sepse pas të dielës të gjithë po mendojnë se Fillimi i Bashës dhe Fillimi real i asaj që po ndodh në fakt janë dy gjëra të kundërta. Basha nuk e bashkoi partinë në Dibër, përkundrazi, as nuk arriti ta ringrinte atë. Dhe ky është një problem që e ka edhe përtej Dibrës.

Basha nuk arriti të bindë dibranët për të gjithë ato arsye që radhita më sipër, që dilnin e tepronin për të mos u rraf nga Rrema. Basha ka një problem kredibiliteti, të cilin duhet ta marrë seriozisht dhe këtë problem në vijë ajrore e ka vetëm dyqind metra larg por 25 vjet thellë në partinë që ju dha, por nuk e ka ende në pronësi politike personale. Basha ka një problem dytësor serioz që lidhet me këtë problem: ai nuk duhet t’u dilte dibranëve dhe nesër as shqiptarëve me fytyrat e pushtetit të vjetër, pikërisht sepse ato rithërrasin hijen e dikujt që ai duhet ta mbajë së paku larg, siç e mbajti në 2011, nëse kërkon që alternativa e tij të merret seriozisht. Por thënë të gjitha këto, Bashës nuk i mbetet “merita” kryesore e humbjes.

Ajo i përket Muharrem Ramës.Ose më saktë asaj që ai simbolizon.

Muharrem Rama ishte kandidat serioz edhe vjet. Por meskiniteti politik i korridoreve të pushtetit e shmangu atë nga gara. SHukri Xhelili kandidoi përkundër vullnetit të bazës socialiste dhe strukturave lokale, përkundër konsensusit të padhënë të LSI, ashtu siç parashikonte marrëveshja politike me PS. Shukri Xhelili fitoi, por ai ishte aksident i rrethanave, më e rëndësishmja përcarja me katër kandidatë e PD një vit më parë. Shukriu ishte aksident dhe ashtu edhe iku.

Por relatat e reja politike PS LSI pas reformës në drejtësi, dhe futja me dinakëri e PDIU në lojë nga Edi Rama, dhe përshtatja lokale në Dibër e kësaj skeme, prodhuan kushtet perfekte të fitores së Doktorit të Dibrës. Dionis Ymeri, kandidati që fillimisht u imponua nga zyra e Edi Ramës, nuk u pranua nga baza, nga LSI dhe në fund as nga PDIU, ambasadori i të cilës natën e fundit para vendimit në vilën e kryeministrit në Jal, i dha atij mesazhin se në vend të Shukriut nuk mund të vendosej një Shukri tjetër.

Muharrem Rama kështu, përballë një kandidati që vinte direkt nga Tirana, u bë befas i pranueshëm për të gjithë. Përfshirë këtu edhe faktin e reputacionit të tij të urtë dhe të papërlyer, përfshirë edhe kokën e ulur të mazhorancës për premtimet e pambajtura, testin e afërt elektoral të 2017 bënë që dibranët jo vetëm të votonin Rremën, por me gjasë të bënin pikërisht zgjedhjen e duhur të momentit.Them të momentit pasi vota është një moment psikologjik. Askush nuk di nëse Muharremi do jetë këtej e tutje një bashkiak i mirë, apo se ai nuk do të komandohet politikisht nga faktorë jashtë zyrës së tij.

Por ai ishte prodhimi i rrethanave më të mira të mundshme. Kjo, (dhe këtu i kthehem asaj që thashe në fillim), për shkak jo të një bashkimi numerik votash, nga tre parti kryesore, por sepse kjo shumicë aritmetike, për shkak te ekuilibrave të vendosura mes PS LSI dhe PDIU, sot administron burimet më të mira njerëzore në vend dhe po për shkak të këtyre ekuiibrave, prodhon psikologjikisht zgjedhjen më të mirë për votuesit. Të dielën në Dibër, por ndruaj se vitin tjetër, edhe në gjithë Shqipërinë. Dhe ky mund të jetë një lajm i mirë për këtë shumicë të shqiptarëve, por jo për të gjithë ne. Sepse kjo mund të nxjerrë produkte lokale përfaqësuese por në kuvend mund të sjellë individë që nuk do jenë të përshtatshëm me kulturën demokratike të pluralizmit, që do mbysin lirinë e zgjedhjes dhe vdesin alternativën politike. Një diktaturë numrash dhe cilësie. Por unë nuk njoh ende një diktaturë të mirë. Nuk pranoj dot diktatin e shumicës mbi pakicën.

Demokracia është respekti i pakicës, dhe dhënia e mundësisë së alternativës, të testimit, të votës kundër. Pushteti afatgjatë që po kalitet në Furrnaltën e koalicionit tripolar të Edi Ramës është një perspektivë e afërt dhe jo një iluzion. Po Shndërrohet në një formalitet të frikshëm, të qëndrueshëm dhe serioz. Ndaj nëse dikush në PD i bie kokës me grushta dhe thotë: “Puuu me t’rraf Rrema”, qetësojeni. Eshtë më shumë se kaq. (Javanews)

SHKARKO APP