Sondazhi, vetëm 39% e shqiptarëve kanë opinion pozitiv për çfarë po bën qeveria në sektorin e energjisë

Nga Eduard Zaloshnja

Nga një sondazh që zhvillova pas vendimit të ERE-s për ndryshimet në çmimet e energjisë elektrike, rezulton se vetëm 39% e 1200 të anketuarve urbanë e ruralë me të drejtë vote kanë opinion pozitiv për çfarë po bën qeveria në sektorin e energjisë elektrike. (Në qershor 2013, 46% e të gjithë banorëve me të drejtë vote votuan për koalicionin fitues.)

Nga ana tjetër, plot 49% e të anketuarve kanë opinion negativ për çfarë po bën qeveria në sektorin e energjisë elektrike, ndërsa 12% nuk dhanë ndonjë opinion. (Në qershor 2013, 31% e të gjithë banorëve me të drejtë vote votuan për koalicionin humbës, 21% nuk votuan fare, dhe 2% votuan për parti/kandidatë të pavarur.)

Bazuar në përgjigjiet e pyetjeve se për cilën parti kanë votuar të anketuarit dhe për cilën parti janë gati të votojnë sot, si dhe në të dhënat zyrtare mbi numrin e banorëve të Shqipërisë sipas grupmoshave, rezulton se PS-në janë gati ta votojnë sot rreth 75 mijë votues MË PAK se sa në qershor 2013 (nga 710 mijë para një viti e gjysëm, rreth 635 mijë sot).

Nga ana tjetër, PD-në janë gati ta votojnë rreth 55 mijë votues MË SHUMË se sa në qershor 2013 (nga 530 mijë para një viti e gjysëm, rreth 585 mijë sot)

LSI-ja ka sot rreth 10 mijë vota MË SHUMË se sa në qershor 2013 (nga 180 mijë para një viti e gjysëm, rreth 190 mijë sot), ndërsa për partitë e tjera të vogla, janë gati të votojnë rreth 220 mijë votues MË PAK se sa në qershor 2013 (nga 300 mijë para një viti e gjysëm, rreth 80 mijë sot).

Në total, sot janë gati të votojnë për një nga partitë aktuale rreth 1.49 milionë banorë me të drejtë vote, nga 1.72 milion që votuan në qershor 2013. Aktualisht, nga rreth 3.37 milionë shtetas shqiptarë me të drejtë vote gjithsej, jetojnë në Shqipëri vetëm 2.17 milionë.

Shënim:

Gjysma e të anketuarve u kontaktua nëpërmjet telefonit fiks, me shpërndarje përpjestimore sipas numrave të Albtelekomit për çdo qytet. Gjysma tjetër u kontaktua mecelular, për të marrë opinionet e banorëve që nuk janë të lidhur me Albtelekomin. Kampioni u balancua gjeografikisht, demografikisht dhe politikisht, për të përfaqësuar sa më saktë popullsinë urbane e rurale me të drejtë vote. Maksimumi i marzhit të gabimitstatistikor është plus/minus 3.1%.

SHKARKO APP