Sonila Meço: Sulm që nuk shpie kund, armiku i vërtetë quhet Covid-19
Kush mendon se bëjmë prova në ekran, kur në kohë reale verifikojmë nëse mijëra mesazhet e njerëzve me emra e mbiemra nëpër telefonat tanë dhe alarmi i gazetarëve në terren është se 127 nuk funksionon e ne në kohë reale qetësojmë publikun se operatoret janë në shërbim, po bën një krim. Po po krim.
Imagjinoni gazetarin e Piazza Pulita, që hyn në Spitalin e Cremona-s, që sheh me dhjetra persona në terapi intensive e ndërsa mjekët janë në angazhim maksimal u merr intervistë, të dilte dikush e t’i thosh është kafshërore të bllokosh për ato sekonda mjekun se dikush po vdes. Gazetari po dëshmon, informon, sepse keqinformimi shton panikun.
Po, unë mbrëmë isha në transmetim direkt. Telefoni, messengeri, whatsapp-i shpërthente nga njerëz që me emra e mbiemra më komunikonin se 127 nuk përgjigjej. Nuk e bëra publike, por nisa mesazh tek autoriteti, pa përgjigje. Gazetari në lidhje direkte më komunikon të njëjtën gjë. Në atë moment e përshëndetur nga autoritetet në studio, jo qeveritarë e as gazetarë, as sehirxhinj pa diplomë mjekësie a shkencore, por pjesëtarë të frontit të parë të betejës, marr 127-ën për të verifikuar nëse mund të ketë difekt, problem e të njoftohen autoritetet. 58 sekonda dhe operatorja me mirsjellje u përgjigj. I mora 10 sekonda, pyeta live dhe biseda dëgjohej nga gjithë publiku:
– A funksionon linja? Po
– Keni patur probleme teknike sot? Jo, por ka ngarkesë
– Ka shumë telefonata? Plot
– Po e mbyll mos ngarkoj linjën…
Qindra e mijra mesazhe me falënderuan, bashkë me autoritetet në studio për qetësimin e panikut. Imagjinoni në 10 sekonda shërbim publik.
Në këtë betejë, e keqja quhet Covid-19. Nuk njeh as bindje politike, as cv, as diplomë. Jemi të gjithë të ekspozuar. Me prindër në moshë në shtëpi, fëmijë të trembur, familjarë të frikësuar. E keqja nuk ka emër tjetër.
Nëse doni të vini në karantinë gazetarë dhe ekrane bëjeni!
Nëse kjo lufton coronavirusin, bëjeni!
Kina e bëri me diktaturë dhe shtet të fortë.
Korea e Jugut me paisje novatore.
Italia e neglizhoi, vuri mend me vonesë, por gazetarët janë në raportim të çdo informacioni, nga funksionimini linjave tek sukseset e dështimet e autoriteteve dhe mjekëve.
Zgjidhni cila doni të jeni, por kuptoni se kjo betejë luftohet bashkarisht.
Tani një pyetje kam për mendjet e ndritura që mendojnë se bëja prova me 127-ën. Po sikur të qe bllokuar, qoftë nga ngarkesa, sepse ndodh, apo nga një defektcteknik, kush do qe kafshëria e vërtetë, 10 sekonda verifikim për t’ju ardhur në ndihmë teknikëve e uljes së panikut të qindra e mijra telefonuesve, apo mosfunksionimi prej padijenisë dhe paniku i publikut?
Dhe ju lutem kthejini ju përgjigje atëherë zonja e zotërinjve që na shkruajnë me emër e mbiemër, cdo minutë, duke na kërkuar informacion e ndihmë! Zonja e zotërinj, që na shkruani e komunikoni, nuk i pëlqen dikujt lart e afër atij lart që të na shkruani e dëshmoni. Falënderimet e këtyre ditëve po ua kthej mbrapsht.
Për të shmangur panikun bëjmë gazetarin e përgjegjshëm, por nga sot bëjnë thirrje të na fusin në karantinë.
E kanë bërë me mua edhe pa qënë ky i mallkuar virus në qarkullim. Por nuk është ky halli i shqiptarëve. As ne. Mos na bëni ne hallin e tyre. Jemi të gjithë në betejë, në mos si gazetarë, si prindër, bij e njerëz.
Sa për ata që duan partinë më shumë se veten, fëmijën e prindërit, ju lutem pyesni autoritetet, para se të lëshoheni. Mjekë, shkencëtarë, njerëz në vijën e parë të betejës. Siç bëra unë mbrëmë…