Sot jemi të gjithë francezë!
Nga Artur Zheji
Me këtë frazë doja të filloja shkrimin, që si rrallëherë më shponte mornica në trup kur pashë kolegët e satirikes Charlie Hebdo, që vriteshin si të ishin kriminelë. Në zemër të Parisit historik. Pranë Bastijës. Të pambrojtur dhe të pafajshëm. Viktima të një marrëzie që përsëritet. Duke shfletuar të gjitha burimet e mundshme, vura re se kryeministri italian Renzi kish deklaruar po kështu duke ngushëlluar ambasadoren franceze në Romë. Pikërisht për këtë, hezitova ta vija si titull të shkrimit tim. Do të dukej një kopje. Por pastaj vendosa ta shkruaj ashtu si e ndjeva, duke cituar koincidencën e sipërpërmendur.
Më tej akoma, e gjeta kaq të goditur këtë shprehje, sepse është ndoshta ajo që duhet t’u themi atyre që na besojnë, se Zia e sotme e Francës është edhe Zia e shqiptarëve. Që me sytë nga Franca dhe kultura e saj unike, e kultit të demokracisë universale, ka qenë, është dhe do të mbetet një shkollë e mendimit, e të guxuarit e të bërit alla pariziene apo alla franceze, në kumtimin e lirisë së individit.
Ne jemi një vend me fe të përziera. Vetë jam një hibrid tipik. I ngjashëm me mjaft shqiptarë. Me nënë myslimane dhe baba të krishterë. Dhe kurrë nuk do të doja që vëllezërit e mi myslimanë, shqiptarë ose jo, të përziejnë Allahun, apo Zotin si e themi në shqip, me gjakderdhje, gjakmarrje apo çdo lloj gjakësie. Sidomos mbi civilë dhe njerëz, të cilët të vetmin “faj” kanë mendjen e tyre të lirë, qoftë kjo ironike apo shpotitëse.
Sepse Zoti, Allahu apo Buda, Krishti apo Hazreti Muhamet, është një dimension mbinjerëzor dhe, nëse jemi besimtarë të mirë, do të thotë sëpari se duhet të jemi paqësorë, ose sëpaku jo gjakdashës.
Por nga ana tjetër Llogorja e Mendimit njerëzor ka qenë gjithmonë një llogore e përgjakur. Kohë më parë nga vetë nënproduktet e Kontinentit tonë, tanimë nga kontinente dhe “botë të tjera”.
Por ama në Shqipëri, në këtë vend laboratorik të bashkëjetesës multifetare, ka ndryshime që duhen vërejtur. Nuk mund të mburremi më me frazat klishe se bashkëjetesa jonë është e shkëlqyer dhe një model e të tjera , e të tjera “llogje” si këto. Kjo do të thotë Gjumë Social.
Sepse në Shqipëri ka metamorfozë regresive në këtë drejtim. Një regres disi i avashtë, disi i fshehur, disi nën rrogoz. Dhe mendoj nga të dyja grupimet e mëdha fetare. Dhe sidomos ekstremet e tyre. Nëse në njërin krah kemi të rinj qyteti apo të qytetëruar deri në “dekadencë”, nga ana tjetër, po krijohen koagulime apo po krijohen komunitete të mbyllura, nën “diktatin” kulturor fetar.
Shqipëria, në kohën e Hoxhës ka qenë një vend që eksportonte “terrorizëm” ideologjik. Ka patur kampe stërvitore terroristësh që stërviteshin ushtarakisht për “Revolucionin” e pritshëm proletar botëror. Të të gjitha kombësive. Italianë, arabë, spanjollë, amerikano-latinë.
Po sot, a eksportojmë “luftëtarë fetarë”?
Rasti i ngjarjeve më të fundit në Siri, zbuloi përgjigjen e pabesueshme se Po! Askush nuk di ta thotë me siguri nëse janë “idealistë” apo “të paguar”. Ata që shqetësojnë më shumë janë “idealistët”, sepse rrëfehet kësisoj, se në Shqipëri paska një a më shumë shkolla, ku djemtë tanë binden se duhet të vdesin dhe të vrasin. Në emër të Zotit!
Terrori që ndodhi në Francë, është dëshmi e një bote të pasigurt. Globalisht të pasigurt. Por edhe një nevojë për të dëgjuar nga krerët tanë të Komuniteteve fetare të respektuara, të të gjitha Komuniteteve, që ndjehen sot, në mos francezë, afër Francës.
Sepse nëse do të “rrezikohej” Franca, do të thotë se rrezikohemi të gjithë!
"MAPO"