Spaho: Berisha vuri interesat e tij mbi ato të PD!

Nga Edmond Spaho-

Rrethe të brendshme në PD japin alarmin se kjo forcë politike, me Berishën në krye, po shkon drejt shuarjes.

PD ka që nga viti 2022 që po vrapon drejt shuarjes dhe arkitekti i shuarjes është Sali Berisha. Ai vuri interesat e tij mbi ato të PD-së.

Swiss Digital Desktop Reklama

E filloi drejt me Rithemelimin, por e braktisi rrugës pas zgjedhjeve të pjesshme në 6 bashki, në shkurt 2022.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ai mendoi që marrja e vulës dhe simboleve dhe bashkimi pa parim me ata që u nda për parime në shtator 2021 ishte më i leverdishëm sesa ruajtja e themeleve të Rithemelimit.

Berisha i la në baltë dhe i shihte si pengesë të gjithë ata që i dolën krah në ditët më të vështira të karrierës së tij politike, kur e pezulluan nga grupi parlamentar i PD-së në shtator 2021.

Sot në PD dominojnë plotësisht ata që Berisha nuk u ka lënë gjë pa u thënë dhe, reciprokisht, edhe ata nuk kanë lënë gjë pa i thënë Berishës.

Asnjë prej tyre nuk i beson Berishës, madje, në thelb, as Flamur Noka, me intuitën e tij prej fshatari, nuk i beson, pasi ka parë nga afër gjithë prapaskenat se çfarë ka ndodhur në PD gjatë 4 viteve të fundit. Ai e di që Berisha nuk është mirënjohës për ata që sakrifikojnë për të.

Me këtë veprim ai humbi përfundimisht besimin e bashkëpunëtorëve të afërt dhe të publikut, që mendonin se rikthimi formal i Berishës në krye të PD-së do t’i shërbente interesit më të mirë të kësaj force politike, opozitës, publikut dhe vendit.

Se sa e gabuar ishte strategjia që Berisha ndoqi gjatë periudhës 2022-2025, e treguan zgjedhjet e 11 majit 2025, të cilat i humbi me 300 mijë vota diferencë me PS-në, ose 10 herë më thellë sesa humbi Basha në vitin 2021.

PD-në e sotme, të paaftë të rikthehet në pushtet, Berisha e ka modeluar me ndërgjegje në këtë formë, sepse ajo kështu i duhet. Rrotull tij ka mbledhur njerëz që bëjnë zhurmë, sepse zhurma i duhet.

Sheshi sot nuk është i PD-së si dikur, sepse PD nuk ka synim të rikthehet fituese; objektivi është të ruhet status quo-ja, të gëzojë privilegjet që i jep të qenit në opozitë.

Se në çfarë bataku është opozita, sa të pashpresë e shikon ajo veten për të rrëzuar Ramën, e tregon bashkimi në protestë me marksistët e Tiranës, fundamentalistët e islamit politik, xhamillaret e Tetovës, vullnetarët neomarksistë të Prishtinës, ekstremistët molotovarë, antiamerikanë të të gjitha formave e karrigethyerit e PS-së që shikojnë ëndrra vere se po i marrin pushtetin Ramës.

Një parti e djathtë nuk mund të vijë në pushtet me këtë shportë karavidhesh, me revolucion, nëpërmjet rrugës, me forcë, me molotov.

Të djathtët vijnë në pushtet me votë, me fitore në zgjedhje.

Edhe nëse zgjedhjet vidhen, duhet gjetur njeriu i duhur që nuk lejon manipulimin zgjedhor, sikurse e gjetën të djathtët në Hungari.

Që PD të kthehet në forcë të vërtetë opozitare, i duhet të ndryshojë rrënjësisht.

Ajo duhet të marrë përgjegjësinë publike për gabimet dhe kompromiset e rënda që ka bërë, të ndryshojë lidershipin, të hartojë një program me këmbë në tokë për sfidat që ka vendi, të përmirësojë në mënyrë thelbësore marrëdhëniet me ndërkombëtarët dhe të hidhet në terren, atje ku janë qytetarët dhe votuesit.

Këtë ndryshim nuk mund ta bëjë Berisha. Ai i tregoi kufizimet e tij, që i intereson status quo-ja dhe jo një PD opozitare e vërtetë.

Prandaj ndryshimi duhet të fillojë me largimin e Berishës.

Në PD ka një shumicë drejtuese që e di se me Berishën nuk ka të ardhme. Fatkeqësisht, çdonjëri shpreson që, duke i bërë qejfin Berishës, të jetë nesër trashëgimtari i tij.

Një skenar i tillë nuk ka për të ndodhur. Berisha ka të tjera plane.

Oportunizmi dhe servilizmi nuk ndihmojnë asnjëherë cilindo individ që ka këtë objektiv dhe nuk e shpëtojnë dot një forcë politike nga shkërmoqja.

E ardhmja do t’i takojë atij që do të guxojë të sfidojë Berishën.

Në të kundërt, do të ndodhë ajo që po e paralajmërojnë edhe njerëzit e afërt të Berishës: PD lindi me Berishën dhe do të mbarojë para tij.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?