SPAK do hetojë dhe përdhunimin e Kushtetutës nga Edi Rama
Task-forca në botën e çudirave, do vijojë misionin e saj politik. Ajo ka hedhur tashmë bumerangun. Preu disa koka dhe do ti kthehet shumë shpejt turinjve! Një gjë është e super provuar tashmë: sa herë ka konsensus të madh politik, Kushtetuta e ligjet dalin jashtë funksioni! Kjo është Republika Politike e Shqipërisë, për fat të keq!
Nga Ylli Manjani
Vendime qeverie pa qeveri?! Nuk është hera e parë!
Denoncimi publik që Petrit Vasili, tashmë kryetar partie, bën për ekzistencën e një task-force të miratuar nga qeveria, e cila nuk mblidhet është pa dyshim i rëndë!
Nuk dua të merrem me thelbin e veprimtarisë ekzekutive të Task-forcës. As me qëllimin politik të saj! Por me faktin tepër të rëndë që: Qeveria nxjerr vendime pa u mbledhur!!!
Nuk është hera e parë sigurisht! Kohë më parë kam denoncuar edhe vetë këtë praktikë. E kisha referuar edhe me shkrim e me zë në Kryeministri këtë çështje!
Disa më thonin se “ç’rëndësi kanë këto detaje proçedurale”… “me rëndësi është vullneti pozitiv”…
Të gjithë atyre ju kam thënë dhe prap ju them se : vendimet e qeverisë janë të ligjshme vetëm kur dalin nga mbledhja e Këshillit të Ministrave! Kështu urdhëron Kushtetuta, Ligji për Organizimin Dhe Funksionimin e Këshillit të Ministrave dhe rregulloret në zbatim!
Ky është ligji dhe si i tillë i detyrueshëm për zbatim! Vullneti i mirë nuk mjafton! Ai duhet të shprehet sipas rrugës ligjore! Procedura është garancia që e ndan të mirën nga e keqja!
Vullneti mund të jetë i mirë për dikë, por i keq për dikë tjetër. Prandaj është shpikur procesi e procedura, për ti dhënë shanc “vullnetit” të latohet dhe të bëhet i mirë për të gjithë! Qeveria është institucion publik dhe si e tillë i shërben të gjithëve edhe atyre që nuk e duan.
Disa herë e kam bërë prezent këtë shqetësim, përfshi edhe kërkesën për mbledhje të rregullt të qeverisë. Në mbledhjen e qeverisē është e ndaluar të votohet! Kulmi i shkeljes ligjore! Pra në mënyrë masive kemi sot vendime të futura në mbledhjen e qeverisë dhe të dala prej saj pa votim! (Sa më takon kam kërkuar dhe votuar edhe kundër).
Pra Kryeministri nuk e ka për herë të parë këtë gjë! Ai konsumon në mënyrë vazhduese shkeljen e Kushtetutës, për të cilën përbetohet se e do fort! Gënjeshtër e madhe, sigurisht.
Për fat të keq drejtësia nuk arriti ti vërë fre kësaj shkelje. Nuk e di a u hetua ndonjëhere!! Por shkelja është aty, ulur këmbëkryq në mes të qeverisë!
Nga ana tjetër nuk pres që kjo të gjejë vend në debatin elektoral sepse ky debat nuk po bëhet as për thelbin e qeverisë e jo më për proçedurat ligjore!
Uroj shumë që SPAK të vendosë disi rendin kushtetues dhe ligjor të përdhunuar nga Kryeministri! (Sigurisht ka edhe zullume të tjera).
Deri atëherë, do na shohin sytë e dëgjojnë veshët shumë vendime të qeverisë pa qeveri!
Task-forca në botën e çudirave, do vijojë misionin e saj politik. Ajo ka hedhur tashmë bumerangun. Preu disa koka dhe do ti kthehet shumë shpejt turinjve! Një gjë është e super provuar tashmë: sa herë ka konsensus të madh politik, Kushtetuta e ligjet dalin jashtë funksioni!
Kjo është Republika Politike e Shqipërisë, për fat të keq!