Spartak Ngjela: E vërteta dhe liria
Nga Spartak Ngjela
Kur njeriu nuk është me të vërtetën, liria e tij nuk ekziston. Ky individ nuk mund të jetë i lirë për asnjë çast. Që liria jote të jetë e vërtetë, duhet që ti të jesh njeri i lirë. Po iu shmange të vërtetës, në fakt, ti nuk je njeri i lirë, sepse i je shmangur krijimit të personalitetit tënd në shoqërinë ku jeton, por edhe jetës tënde me qetësi shpirtërore.
Dhe.
Një njeri është i fortë në shoqërinë e tij, jo sepse ai ka përkrahës, jo se ai ka para, por sepse ai ka inteligjencë të lartë, dhe nuk e përdor mençurinë e tij në funksion të intrigës, gënjeshtrës dhe padrejtësisë. Kjo është liria interiore, e brendshme që e bën njeriun të lirë dhe një individ me personalitet në shoqërinë ku ai jeton.
Domethënë që personaliteti i njeriut krijohet me lirinë në formimin e tij intelektual, dhe kjo, në funksion të mendimit, është liria e tij e brendshme, dhe liria e brendshme e individit është jeta e qetë dhe gjithmonë me motiv krijues, sepse, për të mbrojtur lirinë e tij, njeriu nuk e pranon gënjeshtrën, por e denoncon atë kur e sheh që ajo është bërë edhe një fenomen publik.
Mbajeni mend: Liria brendshme e njeriut të lirë është ndriçimi shpirtëror që atij duhet t’ia bëjë e vërteta. Por, këtu fillon çlirimi shpirtëror i njeriut të lirë, dhe rënia shpirtërore që frika ndaj të vërtetës i sjell njeriut të vogël. Njeri të lirë kundër të vërtetës nuk ka. Dhe aksioma është kjo: Nuk kam frikë nga e vërteta, prandaj jam njeri i lirë. Pikërisht ky, është njeriu i lirë.
E vërteta është suksesi yt, por ajo është frikë për njeriun që nuk ka vlerë morale. E vërteta është vetë moraliteti. Mos e tradhëto të vërtetën, që të mos jesh një skllav. Sepse aksioma filozofike e pranuar ndërkohë është kjo: Kur e vërteta nuk është e lirë, liria nuk është e vërtetë.