Srebrenica, 11 korrik 2009
Nga Fate Velaj
Atë mëngjes të 10 korrikut 2009 isha nisur qysh herët nga Vienna dhe kisha marrë rrugën e gjatë për Vlorë. Me vete kisha dhe djalin 11 vjeçar i cili sapo kishte mbarruar shkollën.
Pasi kishim lënë pas qytetin e Graz-it dhe kishim hyrë në Slloveni bëra dhe pushimin e parë sa për të pirë një kafe dhe vazhdova rrugën për Kroaci ku në autoradio, në ato njohuri që kam nga gjuha e tyre, dëgjoja që flitej për Srebrenicën dhe për vitin e 14 të masakrës që do përkujtohej të nesërmen.
Ndalesën e dytë e bëra diku në një autogrill përpara se të veja në Zagreb dhe në tv pashë sekuenca nga ngjarja e asaj kohe, e trishtë dhe e dhimbshme sa s'ka më.
Hapa hartën dhe fillova të shikoja se nga i binte rruga për Srebrenica dhe pashë që ishte komplet në anën tjetër të asaj që kisha ndërmend të kaloja për të ardhur në Shqipëri për të cilën do më duhej të ndryshoja kursin e udhëtimit si dhe te bëja gati 500km më shumë.
Vazhdova rrugës duke dëgjuar radion që fliste akoma për të dhe në hyrje të Zagrebit, aty ku ndaheshin dhe rrugët, u paraqitën tabelat me drejtimet e ndryshme: (Rijeka-Split-Dubrovnik) (Slavonski Brod).
Shikoja akoma tabelat dhe nuk di pse dora ma kthehu timonin për nga kjo e dyta dhe instiktivisht vazhdova rrugën duke sqaruar djalin për këtë devijim të kursit dhe treguar për atë që kishte ndodhur, 14 vite më parë…
Pasi lamë pas Slavonski Brod po i afroheshim Zupanja-s dhe aty mora kthesën duke dalë nga autostrada ku pas disa kilometrash, hyrë në Bosnjë. Rruga filloi të ndryshonte dhe udhëtimi kaloi mes për mes qytetit te tuzla-s e rrugëve të ngushta mes qytezash e fshatrash për të mberritur pasdite vonë në Srebrenica.
Rruget deri në qendër të qytetit ishin plotë me njerëz dhe makina të ndaluara majtas e djathtas sa na u desh disa herë të ktheheshim pas për të gjetur ndonjë tjetër. Nga dritarja e makinës, në krah të djathtë, shihja varrezat dhe njerëz që hapnin gropa të reja dhe nga ku kuptova se të nesërmen do të varroseshin të tjerë, të gjetur në ndonjë varrë masiv, ditët e fundit.
Më tutje, në ngjyre blu të shpëlarë e ndryshku, dukej ish fabrika e famshme e baterive që ato ditë të korrikut 1995 mbajti të ngujuar mbi 8000 burra, në pritje të së nesërmes e pasnesërmes për t‘u vrarë buze kanaleve e gropave të mëdha…
Vazhdova rrugën për në qendër të qytetit gjendja e të cilit ishte akoma më e mjerë dhe pasi piva një kafe, fillova të fotografoja godinat që nëpër fasada kishin akoma vrima plumbash e predhash dhe kërkoja me sy portrete burrash që pinin kafe me shikimin e humbur thellë nëpër erresirën e kujtesës.
E pashë që po fillonte të errësohej dhe pyeta për ndonjë hotel, ku nga sa kuptova m'u bë e qarte që në Srebrenica kishte vetëm 2 të vegjel që dhe ata s'besoj se kishin dhoma të lira. Më treguan me dorë se nga i binte rruga për te hoteli dhe pas pak u gjenda te porta e një ndërtese të vogel tre katëshe e ku nga terrasa vinin zëra në gjuhë të ndryshme.
U ngjita sipër dhe pyeta se mos kishte ndonjë dhomë të lirë dhe duke dëgjuar vajzën e recepsionit që më sqaronte se për datën 11 korrik, të gjitha dhomat në Srebrenica rezervohen qysh një vit më parë. Po shihja njerëzit në terrase me aparatet e tyre fotografik e kamerat dhe m'u bë e qartë se ishin media nga gjithë bota.
Fillova të bëhesha merak se ku do e kalonim natën, pasi rruga deri aty kishte qenë e mundimshme, si dhe nga fakti që me vete kisha dhe djalin tek i cili lodhja ishte stampuar në ngjyrën e fytyrës.
U ula në një tavolinë dhe porosita diçka për të ngrënë dhe duke i hedhur sytë fotografive në mure, dallova shumë personalitete botërore që duhet të kishin qenë aty ku mes tyre, diku më tutje, njoha dhe mikun tim Ëolfgang Petritsch, ish përfaqësuesi i lartë i OKB në Bosnje i vendosur aty direkt pas marrëveshjes së dayton.
Vazhdoja të qëndroja duke parë fotografitë dhe pritur kamarierin kur te tavolina m'u afrua një burrë i cili filloj të më shfajsohej që s'mund të më ndihmonte për ndonjë dhome hoteli duke më pyetur nëse vija nga rrugë e gjatë. Në bisedë e sipër po më tregonte për eshtrat e mbi 80 personave që sapo ishin gjetur e ku varrimi i tyre do të zhvillohej në një ceremoni të nesërmen.
Dëgjoja akoma burrin dhe duke parë që ishte errësuar, vendosa të ngrihesha e të shkoja në ndonjë qytezë pranë, kur ai papritur më tha se nëse dëshironim, mund të akomodoheshim te shtëpia e motrës së tij, e cila jetonte vetëm me mbesën 10 vjeçare pasi, si të shoqin dhe të birin, ja kishin vrane atë ditë të 11 korrikut 1995.
Ashtu i trazuar i thashë faleminderit pasi nuk do doja t‘i shqetësoja dhe do kërkoja ndonjë sobe (dhome) tjetër, por ai këmbënguli duke më thënë se tashmë është vone dhe se në të gjithë Srebrenicën, sot, nuk ka dhoma të lira.
U nisëm për te shtëpia e së motrës se tij ku qysh në hyrje dalluam një grua të moshuar nga buzët e së cilës doli një "dobrodošli" (mirësevini) plotë egrasi nga lagështia e lotëve të pathara prej 14 vjetësh.
Hymë brenda dhe ai, pasi i tha të motres se jemi të huaj e do flemë aty atë natë, iku dhe na la vetëm.
Të nesërmen do më zgjonte përplasja e shiut nëpër dritare dhe pasi u përpoqa t'a bindja plakën të paguaja fjetjen m'u desh të veja në një market aty afër për të blerë diçka për vajzën e vogël dhe u nisëm për te varrezat, ku sapo kishte filluar ceremonia përkujtimore e ku çuditërisht, si në një video instalacion, shikoja ca kunja të bardha varresh e pak më tutje ca arkivol jeshil e plisa të lagur që prisnin të mbushnin gropat e thella.
Ndenjëm deri sa mbaroi ceremonia dhe shkuam te makina për t'u nisur për rrugën e gjatë të kthimit duke kaluar kufirin mbi lumin Drina për në Serbi, gjatë së cilës shiu i pafund dhe mjegulla e dendur do na shoqëronte pa ndalim duke lënë pas qytetin e Užice, për të vazhduar për në Cačak deri sa dolëm ne autostradën Beograd-Niš ku morëm drejtimin për Shkup për të mbërritur e për të fjetur në hotel "Ballkan" në Gostivar…