Stacioni pa trena

 

Nga Artur Zheji

Këso kohe, me sa duket po merr fund e po përmbyllet një dukuri, që vonoi por nuk mënoi edhe në Shqipëri.

Shoqëria jonë e re postkomuniste, e cila deri para pak kohe ishte si ajo llava gjysmë e lëngshme, gjysmë e zjarrtë që shpërthen nga nëntoka, ku gjithkush mund të dilte nga “hiçi” dhe mund të bëhej një gjë e madhe, ministër, biznesmen, milioner apo deputet, sot ndryshe nga dje, shoqëria jonë pra, po ngjan gjithmonë e më tepër me një llavë në ftohje përfundimtare.

Duket sot, shumë më tepër se sa dje, që pozicionet apo rolet e ndara, në politikë apo në biznes, janë përgjithësisht të pandryshueshme.

Në këto 20 vitet e fundit, në Shqipëri, ashtu si ndodhi në Perëndimin e largët amerikan të viteve 1800, ku tokat, pronat, pasuritë minerare, pushtetet fitoheshin mbi kuaj, me të shtëna pistoletash, grabitje indianësh, pushtim territoresh që ishin të askujt dhe përvetësoheshin e më pas  ligjëroheshin, me një ligjësi të shpikur aty për aty, edhe ndër ne pra, mbas zerimit të pushteteve dhe mbas zhbërjes së pasurisë socialiste shtetërore, duket se ndarja e madhe e llokmave u krye.

Së paku për 20 vitet e ardhshme.

Politika për shembull vërtitet dhe do të vërtitet edhe për mjaft kohë në pak emra, që do të kenë vetëm pak orbita, Berisha, Rama, Meta, Basha dhe mbështetësit apo aleatët e tyre dytësorë dhe tretësorë.

Në fushën e bizneseve është po e njëjta situatë. Përtej disa falimentimeve të bujshme që priten, me sot e me nesër, në fushat e përgjithshme kufijtë duken të ndarë. Pothuajse njëherë e përgjithmonë. Mund të ketë falimentime dhe vrasje, grabitje, përvetësime të dhunshme apo bankare biznesesh, por ajo që quhet çmimi për të hyrë (cost of entry) nga dera e madhe e një biznesi të madh e të ri, duket shumë i lartë dhe e pamundur për të rinjtë. Flasim gjithmonë për kapitalet vendore.

E parë në këtë optikë, Shqipëria, që deri fare afër së djeshmes ngjante me një stacion të stërmadh trenash, nga ku niseshin shumë e shumë lokomotiva mundësish, nga ato të tipit, ngrysem i varfër dhe gdhihem i pasur.

Apo ha darkë si i pavarur dhe mëngjesin tjetër e shijoj si ministër.

Apo nga trafiku i suksesshëm i drogës, mund të kapërcehej me një hop hop, në kampionatin kombëtar të trafikut të influencave politike, mjafton të kapje në vrap e sipër njërin nga vagonët e njërit prej trenave politikë, qoftë edhe në ecje, kjo mundësi pra duket dukshëm në shterje përfundimtare.

Sepse në stacionin e madh të trenave të oportuniteteve të mëdha ka kohë që nuk duken më trena. Dhe kjo ka bërë që stacioni, Stacioni i Shanseve pra, të mbushet dita-ditës dhe plot e përplot me pasagjerë, nga më të “kuotuarit” e zhurmshëm e deri te më aventurierët, të cilët shprehin ndjeshëm shenja të forta nervozizmi për trenat e munguar të karrierave të mëdha.

Të cilët, Trenat pra, duken se do të rrinë gjatë në “ofiçinat e riparimeve rrënjësore”.

Kështu po ndodh në PD, në PS dhe në LSI.

Vërtet cilësia e Stacionit të Shanseve të Mëdha, në mënyrë cinike është përmirësuar.

Aty, senatorët e majtë apo të djathtë, shërbehen gjithmonë e më mirë, shpesh e më shpesh gratis, me kafe, sanduiçe, portokall të shtrydhur dhe madje edhe me ndonjë zarf të hollë apo të mesëm mirësjelljeje, nga “dhuronjës të panjohur”, por kaq.

Ndërkohë, asnjë njoftim për trena të rinj për karrierat e ndërprera të ish-ministrave dhe të gjithë bashkësisë së “Ish”-ëve të tjerë.

Llava ka ngrirë tashmë në pjesën e vet më të madhe.

Janë ndërtuar klasat dhe polet.

Në krye të të cilave janë disa duar të forta. Të cilat parapëlqejnë përgjithësisht kukullat dhe jo frymorët.

Dhe duart e forta të pushteteve të forta shqiptare presin me durim dhe qesëndi, që banorët e rraskapitur të Stacionit pa trena të fillojnë sherrin mes tyre, për sanduiçin apo për zarfin e hollë të radhës.

Deri sa një ditë, një mbrëmje apo një mëngjes, me një urdhër apo me një diçka të ngjashme, Stacioni të mbyllet.

Dhe udhëtarët me biletat e djegura, pavarësisht rrobave të shtrenjta që veshin apo Cv së rëndë që bartin në valixhe, të ftohen, nga punonjës të rinj e me doreza të kadifenjta, që të kthehen në shtëpi.

Sepse në Stacionin e Shanseve të Mëdha do të fillojë dezinfektimi.

Sepse një Kohë e Re ka ardhur. Askush nuk mund të thotë nëse është më e mirë apo e keqe.

Por Ligjësitë i ka të reja.

Të ngjashme me ato Portuale.

Kush nuk është në anijen e partisë, apo kush zbret nga kuverta e saj, rrezikon seriozisht të mbytet.

Si karrierë e kisha fjalën.

"Mapo"
 

SHKARKO APP