Stambolli – aty ku bashkohen Lindja dhe Perëndimi, Evropa dhe Azia

Stambolli – aty ku bashkohen Lindja dhe Perëndimi, Evropa dhe Azia, aty ku tregtia të ngjason në art, por edhe aty ku do të jepet rasti të shohësh një trashëgimi të pasur kulturo-historike. “Stacioni” i parë për evropianët, të cilët i josh fryma e Lindjes, afërsisht 1000 kilometra larg kryeqytetit tonë – Prishtinës…

Stambolli është marramendës, krijon dehje historike, magjiplotë dhe trullos në masë të barabartë duke nisur nga e vjetra në bashkëkohoren. Mjafton të biesh në kurthin e dashurisë, që ngre ky qytet për secilin vizitorë, transmeton Telegrafi.

Klima e tij e këndshme, jeta e pasur e natës, njerëzit gjentilë e të sjellshëm, kuzhina e llojllojshme turke dhe shumë aroma të cilat përhapen nëpër rrugët e Stambollit, janë vetëm një pjesë e pasurive të cilat Stambollin e bëjnë gjithmonë të jetë destinacion atraktiv për (aven)turistët.

Stambolli deri në vitin 1923 ka qenë kryeqytet i Turqisë, ndërkaq sipas direktivës së Ataturkut qendra qeveritare dhe administrative u zhvendos në qytetin e sotëm Ankara. Pozita gjeopolitike e Stambollit, që nëpër historinë e gjatë më shumë se 3000 vjet, ka pasur rol jashtëzakonisht të rëndësishëm, e ka radhitur këtë qytet në një metropol të rëndësishëm botëror.

Edhe sot, Stambolli është një qytet dinamik me një popullsi rreth 14 milionë banorë, është qendër politike dhe komerciale e Ballkanit dhe e Lindjes së Mesme, tërheqës si për biznesmenët, ashtu edhe për turistët!

Stambolli është i vetmi qytet në botë i cili shtrihet në dy kontinente! Në Stamboll mund të pini duhan me nargjile, me gëllënjë të lehta të pini çaj apo kafe në kafene orientale, mund të bëni pazar në treg apo në mëngjes të dëgjoni ftesat për lutje të cilat jehojnë nga minaret e panumërta, ndërkaq në çastin tjetër të kini ndjenjën kozmopolite të hoteleve luksoze, të shitoreve me mall të prodhuesve më të njohur botërorë dhe të klubeve të natës.

Gjurmët e komuniteteve të para njerëzore që janë vendosur në Stamboll dhe rrethinat e tij datojnë me vitet 6500 p.e.s. Kurse në vitet 3000 p.e.s. në Stamboll fillon një ngulitje e dendur njerëzish, por themelet e Stambollit të sotëm janë hedhur me Bizantinin në shekullin e VII-të p.e.s. Në shekullin e IV-ët p.e.s. qyteti rindërtohet nga perandori romak Konstandini i I-rë dhe bëhet kryeqytet. Që nga kjo datë për 16 shekuj me radhë Stambolli bëhet kryeqytet i tre perandorive të mëdha, asaj Romake, Bizantine dhe Osmane.

Kultura të ndryshme bashkëjetojnë në Stamboll gjatë të gjithë historisë dhe brenda tre shekujve ai bëhet qyteti ku takohen tre fetë hyjnore (kristianizmi, jahudizmi dhe islami).

Poeti i famshëm dhe burrë shteti francez Alphonse de Lamartine (1790-1869) thotë: “Nëse të duhet ta shikosh njëherë botën, shiko vetëm Stambollin. Perëndia dhe njeriu, natyra me artin të gjitha së bashku kanë krijuar atje një vend kaq të mrekullueshëm, sa që ia vlen ta shikosh”.

Stambolli të bën për vete, kur sheh Pallatin e famshëm të Topkapisë dhe Shën Irenën, muzeun e Shën Sofisë, xhaminë e Sulltan Ahmetit, Muzeun arkeologjik, muzeun e Arteve turke dhe islame, muzeun e Mozaikut.

Muzeu i Shën – Sofisë, pamja e saj gjigante me një kupolë qendrore dhe dy gjysmë kupola, llogaritet jo rastësisht si Kisha e katërt më e madhja në botë, pas Shën Polit në Londër, Shën Pierrit në Romë dhe Kishës së njohur si Domi i Milanit.

Kësisoj emri i saj lidhet me njërin prej tre emrave që i u ishin dhënë Zotit gjatë epokës së kristianizmit, Shën Sofi (Sainte-Sophie, shqip Urtësi hyjnore), Shën Irenë (Saint-Irene, Hiri hyjnor) dhe Shën Dinamisit, Saint-Dynamis (forca e shenjtë).

 

Të shkosh në Stamboll, e të mos vizitosh Sternën e Jerebatanit nuk mund të imagjinohet dot. Kjo sternë e ndërtuar gjatë epokës bizantine në vitin 532, posedon 336 kolona, 12 rreshta me një sipërfaqe prej 10 000 m2 dhe me kapacitet prej 80 000m3.

Atmosfera mistike që krijohej aty e shoqëruar nga muzika klasike, të impresionon e veçmas të magjeps dy bazat e kolonës që formonin dy kokë të Meduzës, njëri në profil e tjetri me kokë teposhtë.

Nuk mund t`i ikësh Stambollit pa mos e vizituar Xhaminë e Kaltër, e ndërtuar nga Sulltani, Ahmeti I. Kjo xhami është simbol i Stambollit, me përplot vizitorë përbrenda dhe jashtë saj.

Me gjithë medresenë aty brenda, me një bujtinë për të varfrit, me një mensë, me një treg dhe hotel të madh dhe me një shatërvan, ajo krijon një gjigant kompleks, me gjithë 21.043 pllakat në formë te enës së argjilit.

Është e vetmja xhami osmane dhe në tërë Turqinë që i ka 6 minare. Kjo xhami llogaritet e dyta në botë për nga numri i minareve, me një numër prej 260 dritareve. Kupola qendrore me një diametër prej 23.50m si dhe me një lartësi prej 43 m mbështetej në katër shtylla masive të ashtuquajtura Këmbët e elefantit.

Jashtë saj në skaj të verilindjes së kësaj xhamie gjendet Tyrbja e Sulltan Ahmetit të I, e ndërtuar nga biri i tij Osmani II.

Gjer në shek. XIX ajo llogaritej si pika e nisjes së karvanëve të haxhilerëve për në Mekë.

Stambolli krenohet edhe me Muzeun e Mozaikëve, i vendosur prapa xhamisë së Sulltan Ahmetit. Ky muze është i vendosur në Pallatin e vjetër të madh të perandorëve bizantinë, që shtrihet gjer në det, ku në këto mozaikë pasqyrohen motive nga skenat e gjuetisë, mitologjisë, kafshëve të egra dhe jetës së përgjithshme.

Obelisku i Teodosit është monumentin më i vjetër i Stambollit, që daton nga shek. XV para erës së re, pra para rreth 3500 vjetësh.

Ky obelisk i ndërtuar për hir të fitores së një faraoni në Mesopotami, me një gjatësi prej 32.50 m është simbol i këtij qyteti.

Stambolli ndjehet krenar edhe me Hipodromin e tij. Monumentet e vendosura në këtë shesh dhe përreth tij janë më të vjetrat në Stamboll. Pistat e krijuara në këtë hipodrom formonin shkronjën U përreth së cilës gjendeshin 40 rreshta të shkallëve që mund të pranonin gjer më 30 000 spektatorë.

Pas cirkut të Maksimusit të Romës, ky hipodrom ishte i dyti në Antikën e vjetër. Ky hipodrom në periudhën bizantine kishte qenë vend i festave, i garave të mëdha sportive, duke ruajtur përbrenda edhe ndeshjet e ndryshme të përgjakshme. Ky vend shërbente në të kaluarën edhe si vend i ceremonive të martesave.

Ky qytet nuk mund të thuhet që është i vizituar pa mos vizituar edhe këto vende: Fontanën e famshme gjermane, Muzeun e arteve turke dhe islamike, xhaminë Sokollu Mehmet Pasha, Pallatin e Topkapisë (monumenti më i rëndësishëm në Stamboll me rreth 1.5 milionë vizitorë në vit, i renditur në rendin e parë të muzeve evropiane dhe i pari në Turqi me një sipërfaqe prej 700 000 m2, sa dy herë sipërfaqja territorit të Vatikanit ose gjysma e principatës së Monakos, ku përfshihet edhe Salla e haremit aty, “harem” në gjuhën arabe d.m.th. gjë sekrete, e fshehtë), mandej Kishën Shën Irena, Muzeun Arkeologjik të Stambollit, Muret e famshme të detit, Kumkapinë e famshme me restorantet e famshme të peshkut, Kështjellën me shtatë kulla (Yedikule Hisari),

Që të zbulohen  bukuritë e tij, duhet patjetër të vizitoni: Pazarin e famshëm të mbyllur (Kapali Carshi), sheshin Bejazit me Xhaminë e famshme, Xhamia Sulejmanije, mandej tregu i famshëm egjiptian i vendosur përballë urës së Gallatës), Ura e famshme e Gallatës, Bozdogani-in e famshëm, xhaminë e famshme të Sulltan Mehmetit të II pushtuesit, kisha Pamakaristos ose Xhamia Fetije, Manastiri Pantokrator ose Xhamija Zejrek.

Çka duhet vizituar patjetër? Taksimin e famshëm, Kullën e Gallatës me 61 m lartësi, duke mos harruar rrugëtimin nëpër Bosforin e bukur të dy kontinenteve, në Dolmabahcen e bukur, Kullën e Sahatit, Beshiktashin, Ortakoin e famshëm, urën e famshme Boazexhi, Kadikojin e bukur aziatik, Kullën e famshme të vajzës së re, Pallatin e Bejlerbejit, fortesën e Anadolhisarit, ishujt e Princit, Florijën e bukur, Universitetet e famshme: Galatasaraj, Boazexhi, Kultur Universiti…, e shumë e shumë vende të tjera.

Nëse vetëm pak kohë është e disponushme për të vizituar këtë vend, rekomandohet që të shkohet në pjesën evropiane. Atje gjendet qyteti i vjetër Sultanahmet, që të kujton thesaret në qendër të qytetit të perandorisë bizantine dhe që shërbente si depo e pushtetit otoman.

Gjithashtu kjo pjesë pasqyron shtetin modern, laik dhe republikën e parashikuar nga babai i Turqisë moderne, Ataturk.

Ja, pra ky ishte Stambolli i bukur, Stambolli i kujtimeve të Orhan Pamukut dhe Elif Shafakut, i sulltanëve të shumtë, i një qyteti që gjallëron pa ndërprerë, i një qyteti që ka shumë vëllezër të miq shqiptarë.

SHKARKO APP