Studentë, bëjeni tuajin këtë Dhjetor!
Nga Herion Mesi
Prej dy ditësh thuhet se ky është “Dhjetori i Dytë” studentor, pasi vala e shpresës që kanë ndezur tek ne, prindërit e rinj, studentët me protestën e tyre gjatë këtyre ditëve është shumë më e madhe se aspirata për heqjen e një tarife të thjeshtë për provimet e tyre të prapambetura, apo për rishikimin e kushteve në QS (Qytetin Studenti)! Është e njëjta shpresë për ditë më të mira ashtu siç shkaktuan në popull studentët e para 28 viteve që realizuan “Dhjetorin e Parë”. Me gjithë meritat që ndërmori ajo lëvizje duke shkaktuar uraganin e demokracisë, edhe ajo lëvizje pati dështimet dhe zhgënjimet e saj. Sepse ai dhjetor i shërbeu atij sistemi për t’u ricikluar, dhe sot rezultati është se pasardhësit e atyre që ngritën në piedestal diktaturën janë sërish udhëheqësit e rinj, qoftë majtas, apo edhe diku djathtas.
Por si mund të shpresosh që e ardhmja do të jetë më e paqtë dhe më e begatë, kur brendësia është përmbysur kokëpingulthi dhe retë e errëta të së keqes kanë mbuluar zemrën e njeriut?
Ju thoni që kjo protestë të mos bëhet politike, por unë si qytetar, prind, e në fund si gazetar ju them:
Bëjeni politike këtë lëvizje, që dhe ne prindërit e rinj të vijmë te ju. Por fundja, duhet bërë politike sepse dhe kërkesat tuaja mundësohen nga vendimmarrjet politike të këtyre që janë sot. Ju kërkoni “kokën” e Lindita Nikollës, por kjo është kërkesë politike në thelb, ndryshe shkoni ankojuni tek Ndërmarrja e Trajtimit të Studentëve për kushtet në konviktet tuaja.
Dilni në temë dhe bëjeni politike, sepse keni shumë arsye që kjo duhet të kthehet e tillë:
Bëjeni politike dhe fillimisht rrëzoni neobllokmenët e dy krahëve, sepse kanë arritur në kufirin maksimal ku nuk dallohet ku fillon njëri e ku mbaron tjetri.
Bëjeni pra, politike, e shporrini këta që kanë nisur të njihen si “oligarkët” që grabisin pronat tona në emër të pseudo zhvillimit, duke falsifikuar vula dhe njerëz, që passjell drama sociale për mijëra njerëz.
Bëjeni politike edhe për ata të pamundurit që për mijëra arsye, politika 28 vjeçare ua ka pamundësuar shkollimin. Bëjeni politike edhe për ata fëmijët që sot e kanë të pamundur të blejnë librat e shkollës.
Bëjeni politike, sepse kjo politikë bëri të mundur vuajtjen e ngujimit nga gjakmarrja, sepse kjo politikë është e paaftë për ta frenuar këtë fenomen që shkakton varfëri, injorancë e mbi të gjitha krim.
Bëjeni politike, rrëzoni këtë sistem të kalbur korrupsioni e injorance, që nis nga krerët e arsimit në vend, dhe ringrini një sistem vlerash dhe dijesh që të jetë i konkurueshëm.
Bëjeni politike, sepse dhe një vendim që ju të keni kartë studenti me të cilën duhet minimalisht të udhëtoni në urban, është një vendim politik.
Bëjeni politike pra, dhe ata që do vinë pas jush do ju jenë mirënjohës. Kontaminimi i dijes është ndotje dhe vdekje e brezave, ndaj rrëzojeni këtë sistem analfabetësh, vrastar të dijes.
Bëjeni politike, sepse të ardhmen tuaj e keni në dorë ju vetë, pasi vetëm përmes politikës ju mund të ndryshoni rrjedhën. Njerëzimi nuk ka kuptim jashtë politikës.
Bëjeni politike dhe ecni drejt, sepse sinqeriteti juaj është frymëzim edhe për ne që e ardhmja e fëmijëve tanë, pra brezave që do vinë pas jush, mund të jetë Shqipëria jonë.
Mos kini frikë, bëjeni politike, në mënyrë që politika e sotme të mos ju përçajë në ditët në vijim dhe ta shuajë shkëlqimin që ju i dhatë demokracisë në këto ditë.
Nuk është fjalë e pisët politika, e pisët bëhet nga njerëzit, ndaj këta që janë sot dhe që po ju sulmojnë me militantë të infiltruar në radhët tuaja nuk meritojnë të jenë pjesë e politikës. Bëjeni pra politike që dhe politika e re të ketë kuptim tjetër.
Për këto arsye, por dhe për dhjetëra të tjera që nuk i thashë, Bëjeni politike!
E në këtë kuptim nuk ka dhjetor të dytë, sepse edhe i pari nuk u bë si duhej. Pra, bëjeni tuajin këtë dhjetor dhe të urojmë e shpresojmë edhe ne për një “Vit të Ri”!
Faleminderit për gjithçka të ngrohtë që sollët dhe shkaktuat te ne të tjerët me këtë protestë tuajën. Fundja edhe nëse ju do vendosni ta mbyllni sot lëvizjen tuaj, tashmë ajo u bë politike, sepse ju të paktën e tronditët pushtetin me aktin tuaj në këto ditë.
Dhe ashtu si Dom Gjergj Meta, ju them plot sinqeritet: “Ju admiroj pa fund”!