Studentë dhe pedagogë, perse nuk protestoni para vetvetes!
Nga Aranit Muraçi
Një protestë e dhjetëra studentëve të udhëhequr nga disa pedagogë të tyre, ndërkohë që oborri akademik publik në Shqipëri numëron me dhjetëra mijëra studentë, u zhvillua sot para godinës së Kryeministrisë për të kundërshtuar reformën në Arsimin e Lartë. Protesta kishte për qëllim për të kundërshtuar reformën në Arsimin e Lartë, që është ndërmarrë nga qeveria Rama, por prej tyre nuk u dha asnjë ide sesi, pas kundërshtimit të saj, duhet ndryshuar arsimi në Shqipëri për të mirën e vendit, duke qenë se me gjendjen aktuale ku ndodhet, konsiderohet gjerësisht nga publiku si një sektor në “buzë të greminës”.
Gjithsesi, pedagogë dhe studentë të universiteteve publike kanë dalë serish në protestë përpara godinës së kryeministrisë, për të kundërshtuar reformën e ndërmarrë nga ana e saj mbi Arsimin e Lartë. Sipas tyre, reforma bëhet për të kënaqur interesat e institucioneve arsimore private.- “Fondet publike nuk mund t’i jepen privatit,- janë shprehur protestuesit. I tërë shqetësimi i tyre duket se qëndron tek shpërndarja e fondeve dhe jo tek cilësia dhe mënyra sesi është administruar procesi i mësimdhënies në publik, në tërë këto vite, duke qenë se ata të publikut paguhen nga taksapaguesit dhe kanë përgjegjësi mbi cilësinë, ndërsa privati dihet se ka për qëllim interesat ekonomike. Mirëpo kërkimet shkencore nga ana e universiteteve publike, pranohet gjerësisht se lënë shumë për të dëshiruar. Përkthimet prej tyre, të cilat u serviren më pas studentëve, si atyre të Ekonomikut, që iu duhet të studiojnë vite me radhë sesi motivohen punonjësit dhe sesi drejtohen me sukses apo funksionojnë kompanitë e suksesshme në SHBA, të tilla si Coca Cola, General Motors, IBM etj, nuk kanë asnjë lidhje me realitetin në Shqipëri. Aq më pak sesi motivohen punonjësit në administratën publike po kompanitë private, në vendin tonë. Një studim i mirëfilltë do të nxirrte në pah sa e madhe është diferenca mes teorive amerikane dhe realitetit shqiptar. Mungesat e studimeve të mirëfillta mbi tregun vendas, nuk kanë përbërë asnjëherë asnjë shqetësim nga ana e pedagogëve. Kush duhet të protestojë mbi këtë çështje? Sakaq, sistemi i drejtësisë në Shqipëri, me gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, lë shumë për të dëshiruar, ndërsa studentët e Juridikut shfletojnë me mijëra faqe leksione mbi të Drejtën Romake, e deri tek sistemi i drejtësisë sot në SHBA, Angli, Gjermani e Francë, që është aq perfekt se edhe kryeministri apo presidenti i këtyre vendeve e sheh veten para gjykatës si të barabartë me çdo qytetar tjetër dhe dridhet para ligjit. Probleme të ngjashme kanë edhe fakultete e tjera të universiteteve publike.
Protestuesit thanë gjithashtu, se me zbatimin e kësaj reforme, studentët e universiteteve publike, do të paguajnë më tepër se më parë. Mirëpo nuk thanë asgjë se për një notë kaluese, se a paguhet prej tyre para, se ç’bëhet me cilësinë, me vlerën që ka diploma që merret, dhe sa e madhe është pabarazia mes vetë studentëve. Shumë studentë ankohen se “miqtë” mund të kalojnë cilindo qoftë, mes atyre që janë disi më “të përkëdhelur” . Asnjë nga fëmijët e politikanëve, zyrtarëve të lartë dhe të biznesmenëve nuk pengohen për t’u diplomuar dhe as për t’u punësuar në nivele të larta, edhe pse shumë prej tyre mund të mos e meritojë asnjë ditë që të ulen në auditore. Shumë nga ata që u përkasin shtresave të ulëta dhe kanë investuar aq para sa kanë pasur, kanë humbur vite të tëra në jetë, familjet e cilëve kanë sakrifikuar pa fund, ose e shohin veten të diskriminuar në auditore, ose pas diplomimit në kërkim të një vendi pune. Asnjë shqetësim nuk ka pasur në këtë drejtim nga përfaqësuesit e oborrit akademik
Ligji i ri, sipas tyre, në protestën para Kryeministrisë gjithashtu shkel autonominë universitare. Kjo e fundit duket paksa abstrakte për t’u kuptuar, pasi një pjesë e mirë e pedagogëve, madje drejtuesit e universiteteve, janë edhe përfaqësues të dy kampeve politike. Nën moton “reforma nuk kalon”, disa studentë dhe pedagogë i kanë kërkuar kryeministrit Edi Rama të mos e miratojë ligjin.
Studentët dhe pedagogët duhet të protestojnë fuqishëm para “vetvetes” dhe të gjejnë format e duhura për të ndrequr situatën kaotike, nëse se e duan vërtet autonominë dhe nëse pretendojnë se janë shmangur nga vendimmarrja mbi reformën në arsim.