Sulmi i Kadaresë ndaj Lubonjës dhe korrupsioni politik i ditës…
Lubonja është për trojet shqiptare, një personazh me shumë vlerë. Beteja e tij kundër kulteve, miteve dhe simboleve te fryra nga kastat e politikës, për përfitime të ditës, është një funksion shumë i dobishëm dhe i domosdoshëm…
Nga Artur Zheji
Ismaili është një shkrimtar virtuoz dhe për këtë nuk ka dyshim dhe çdo dyshim bën qesharak dyshuesin.
Fatos Lubonja është një qytetar model dhe, edhe për këtë nuk ka asnjë dyshim, kush mendon ndryshe, kërkon me pahir të mendojë ndryshe. Fatosi, është një qytetar i angazhuar, në të përditshmen tonë gri, që jeton thjeshtë dhe me pak, por mban kokën lart dhe s’ka borxhe morale ndaj të tjerëve.
Kadare, në jetën e tij, të jetuar mirë dhe shumë mirë, e ka me merak të madh se çfarë do të mbetet pas, nga jeta e tij, e jetuar në dy kohë, në diktaturë dhe në pseudo-demkracinë shqiptare dhe kjo është, krejtësisht e drejta e vet.
Ai është i rrethuar nga adhurimi i lexuesve, nga adhurimi i atyre që mund të shohin ndonjë reze suksesi, veçse nën hijen e personit të tij, por ai është i rrethuar edhe nga adhurimi i inferiorëve, adhurim të cilin ai, si çdokush tjetër të ishte në vendin e tij, e shijon shumë.
Ashtu si shijohen kërminjtë në një resorant lluksoz parizien.
Të gërmosh në të kaluarën e Kadaresë dhe ta glorifikosh atë, është një teprim i panevojshëm, sepse ai tashmë është i famshëm, por adhuruesit dhe ata, që s’dinë të krijojnë gjë tjetër, veçse idolin apo statujën e njeriut të famshëm dhe që duan te jetojnë dhe mbijetojnë si një vazhdë e Kadaresë, kam përshtypjen se e nxisin shkrimtarin të bëjë lajm me çdo kusht.
Dhe shkrimtari nuk ua prish dhe shkakton tërmet mediatik në Fshatin shqiptar…
Lubonja është për trojet shqiptare, një personazh me shumë vlerë. Beteja e tij kundër kulteve, miteve dhe simboleve te fryra nga kastat e politikës, për përfitime të ditës, është një funksion shumë i dobishëm dhe i domosdoshëm.
Megjithëse janë të tepruara sipas meje, qëndrimet për Çështjen Kombëtare, sepse sipas meje, çdo komb e ka një program madhor kombëtar, përndryshe mbetet një komb skllevërish i të tjerëve.
Unë nuk kam qenë dakort qindra herë me mendimet e tij, për diskutime të rëndësishme gjeopolitike dhe nacionale, për të cilat, rast pas rasti, jam shumë më afër me Ismailin, se sa me Fatosin.
Nuk jam dakort për qëndrimet e tij, në lidhje me heronjtë kombëtarë apo Nënë Terezën.
Por Fatosi i bie një këmbane realiste, kur teprimet romantike, shfrytëzohen në mënyrë djallëzore, nga kasta e maskarenjve pseudonacionalistë. Dhe kjo është po aq e dobishme dhe e shëndetshme.
Por mendoj, se nga uria për të bërë zhurmë mediatike dhe për të vetëbaltosur veten, jemi realisht në një teprim pa kuptim. As Lubonja dhe as Kadare, nuk janë në garë me Nënë Terezën. Kadare duhet të rrojë sa më gjatë dhe sa më mirë, për të mirën e tij dhe për të mirën e letërsisë shqiptare, të kuotuar botërisht prej tij. Lubonja, është padyshim një “bezdi” e madhe, për korrupsionin politik shqiptar dhe një polemist me vlerë dhe i pa kompromromis.
Një gjueti e ndërsjellë shtrigash, ku me shtriga nënkuptojmë në këtë rast njerëz me vlera reale në këtë Shqipëri të antivlerës dhe të përmbytur shpesh nga llumi, nga mbretërimi barbar dhe tiranik i Askushëve, është një konspiracion real, kundër Elitës së pakët shqiptare dhe që nuk nënshtrohet, por përbaltet.
Ka disa gomerë të ligj në mes tonë, që pështyjnë lart, me shpifje dhe gëlbaza, sepse lart nuk hypin dot, veçse nëpërmjet litarit të pështymës së tyre dhe këta ustallarë të provokimit, hapin dhe rihapin ca polemika pa kuptim dhe vlerë për të sotmen.
Më vjen keq që edhe Ismaili, larg dhe lart, ndaj të përditshmes sonë, tërhiqet në këtë polemikë shterpe, që shërben vetëm për ca tituj lokalë në mediat e Fshatit tonë.
Të njejtën gjë mund të thosha edhe për Lubonjën, në qëndrimet e tij ndaj Kadaresë.
Në një kohë kur po ndodh një grabitje e madhe e të gjitha vlerave dhe kur Fatos, po sponsorizon pa kuptim veçse antivlerat grabitqare të këtij vendi, tema betejës së Kadaresë për të mbijetuar në Diktaturë, me ose pa compromise, është një temë sensitive e brezave të ardhshëm.
Sepse Kadareja, është sot një soditës dhe një mendimtar me famë botërore, veçse i dobishëm, për këtë vend të sfilitur.
Ndërkohë që lukunia e ujqërve po shqyen Shqipërinë, si të ishte një lopë e pambrojtur.
Ndoshta gaboj me këtë ndërhyrje të hapur, sepse mund t’Ju kem lënë të pakënaqur seicilin nga Ju, por mendoj se në këtë rast, shënjestra e Juaj, është edhe më e gabuar… /360grade.al/