Syriza është një makth për qeverinë italiane
Nga Jamie Mackay*
Matteo Renzi është me shpinë pas muri. Nëse nuk bën një marrëveshje me Tsipras në Europë do të ketë një revoltë të hapur brenda partisë së tij.
Cilido qoftë rezultati i zgjedhjeve të 25 janarit vala e madhe në mbështetje të Syrizës do të detyrojë krijimin e ndasive brenda qeverisë social demokrate të Italisë. Kryeministri i vendit, Matteo Renzi është krahasuar shpesh me Tsipras – si një tjetër lideri i ri dhe formalisht ‘i majtë’ – por ndryshimet kyçe, të lidhura veçanërisht me investimet shtetërore dhe krijimin e vendeve të punës, do të marrin vëmendjen kryesore. Në të vërtetë të dy kanë qenë në konflikt për disa kohë, me akuzat e të parit se partia greke ‘jeton në të shkuarën’ dhe i fundit për përfshirjen në ‘ilaçin e Merkel’
Kjo nuk është një grindje e thjeshtë, por një betejë e rëndësishme në fatin e një të majte që ka dështuar ta shquajë veten nga konsensusi neoliberal. Nëse Syriza fiton javën e ardhshme, Renzi do të jetë në presion nga të gjitha anët. Shumë anëtarë të Partito Democratico kanë qenë të pakënaqur me drejtimin e tij (veçanërisht Dekreti i Punëve i kundërshtuar) dhe disa i kanë dhënë mbështetje të qartë programit të Tsipras.
Përveç kësaj, lista elektorale L’altra Europa con Tsipras, që i fitoi Syrizës një vend italian në zgjedhjet europiane të vitit të shkuar, tregoi se shumica e bazës së PD dhe veçanërisht mbështetësit e rinj janë kritik ndaj lidhjes së Renzit me Troikën.
Kjo e vë kryeministrin italian në një pozicion të pamundur. Nëse Renzi mbështet Syrizën në Europë ai do të zemërojë elitën e BE-së dhe gjoja rrezikon planin neoliberal të rimëkëmbjes. Megjithatë, nëse ai i kritikon ata në mënyrë eksplicite, partia e tij ka gjasa të ndahet dhe plani do të rrezikohet në nivel të brendshëm.
Me shumë gjasa ai do të përpiqet të shmangë çështjen plotësisht, siç ka bërë në këtë pikë. Nëse Syriza fiton mjaftueshëm vota për të qeverisur me besim, ky nuk do të jetë një opsion.
Ka një tjetër faktor në marrëdhëniet greko-italiane që i bën këto pyetje veçanërisht të rëndësishme. Ekonomia italiane është një nga më të mëdhatë dhe më të brishtat në Europë (një kombinim që e bëri Mario Montin ta quante atë në 2012 si ‘aktivizuesen e bombës në eurozonë’). Në testin e fundit të stresit ECB nëntë nga bankat e vendit ngelën.
Mesazhi ishte i qartë. Pavarësisht pretendimeve për të kundërtën nga ministri italian i ekonomisë Pier Carlo Padoan, çdo pasiguri e madhe, siç ajo që mund të ngrihet në rastin e një fitore të madhe të Syrizës, do të shkaktonte një reagim zinxhir mes këtyre bankave.
Ky është një skenar i fundit të botës, thonë disa, por kërcënimi i prekjes do të përcaktojë se si do të luhet dialogu italian në muajt e ardhshëm. Nuk ka gjasa të jetë në favorin e Tsipras.
*Open Democracy