Ta ndërrosh patriotizmin si tangat

Vajza të showbizit që nuk lënë gjë pa bërë, për të përfunduar në tituj gazetash, nga shfaqja vulgare e të pasmeve e deri tek shpallja e dashurive, tani po rendin të pozojnë me simbolet kombëtare. Në vend të garës së çmendur për te shfaqur zogun, tregojnë një tatu shqiponje mbi trup, në vend reklamimit të një të brendshmeje të re, tregojnë t-shirt-et me Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin. Këtij rregulli nuk i kanë shpëtuar as ato të reja që ndjekin këtë model. Ato po bëjnë gjithçka në Facebook dhe Instagram, kush për t’i treguar dashurinë Taulant Xhakës, heroit që u përball me shtatë serbë, kush për të kërkuar për burrë Lorik Canën (me që ra fjala i martuar me një italiane) që e vuri përfund me grushta njërin prej tyre.

Edhe idhujt e tyre futbollistë nuk po mbeten mbrapa. Të gjithë ata shqiptarë të rrallë që kanë mundur të bëjnë gol në Europë këto ditë, nuk kanë humbur rastin pa festuar me simbolin e shqiponjës.  Janë përgjithsisht po të njëjtit që kur u është dashur të zgjedhin mes fanelës kuqezi me shqiponjë dhe një uniforme tjetër, për arsye utilitare apo financiare kanë bërë të dytën. Por tani gjykojnë se midis shqiptarësh patriotizmi është në modë ndaj edhe ata nuk duan të mbeten pas.

Po kështu ka ndodhur në studio televizive ku lloj lloj flamuraxhijsh i’a kanë behur për të folur në emër të kombit, për të sharë armikun shekullor, për të mbrojtur dronin, stafetën e futbollistëve tanë për simbolin e Shqipërisë etnike, grushtat mbi kundërshtarët, për të anatemuar Vuçiçin, Nikoliçin madje edhe Edi Ramën që është i gatshëm të uli kokën para tyre.

Në këtë kor pothuajse totalitar ka qenë e vështirë të dëgjohet ndonjë zë i arsyeshëm, i dalë nga mendimi i kthjellët, nga mundimi i bibliotekave dhe nga përpjekja e ndërtimit të vetvetes. Turma brohoritëse e ka mbytur zërin e filozofit Artan Fuga që gati bërtise: “Zgjohuni nga kjo marrëzi, kemi boll halle për tu marrë me një ndeshje”.  Ajo pothuajse e ka etiketuar si mik të serbëve kritikun e sinqertë dhe të paepur Fatos Lubonja, që mes kësaj zallamahie kërkonte të ngrinte pyetjen: “po ne a jemi treguar shembullorë”?

Po të njëjtin fat kanë pasur në forume online dhe në Facebook edhe të gjithë ata që kanë guxuar të shprehin dyshimet e tyre se a duhej luftuar me grushta për një simbol të askujt, a duheshin trajtuar si heroj ata që harruan detyrën e tyre si futbollistë, a ishte e bukur të shanim në kor, nëpër sheshe, motrat e të gjithë serbëve, pa harruar këtu motrën e Mishel Platinisë?

Nëse ka një njeri që u sulmua në mënyrë të përbindshme nga kjo turmë, ajo ishte mbesa, as 20 vjçare, e Sali Berishës. Reagimet ndaj saj, që ngriti disa nga këto pyetje, qenë mostruoze. Më kot të thotë dikush se ajo mer mbi vete edhe shigjetimet e gjyshit, se i kthehet resoja e gojës së përdalë të të parit të saj. Ajo që ndodhi ishte e fëlliqur dhe e ligë.

Por, në fakt, si ata që afishohen si ata që tërbohen, të dyja palët sëbashku, të bëjnë të ngresh një pyetje: A mund të shndërrohet gjendja emocionale e këtyre ditëve në një rrezik nacionalist? A mund të transformohet dëshira për t’i mbuluar gjijtë me flamur, në një urrejtje që shkon përtej sharjeve? A mundet që ajo që kanë filluar ta quajnë dashuri për kombin të marrë trajtat e një armiqësie për tjetrin?

Këto dilema bëhen edhe më të mprehta po ti shtosh mungesën e logjikës së ftohtë dhe tolerancës që është treguar këto ditë midis nesh. Por, pamvarësisht nga kjo, mendoj që ky rrezik nuk ekziston. Eshte thjesht një modë. Një arsye për tu dukur. Një virus i hedhur nga lart që ka infektuar atë pjesë të mjedistit të irrituar nga padrejtësia që na u bë në një ndeshje.

Por, kur vala e kësaj që ndodhi të kalojë, gjithçka do fashitet. Ata që e mbajtën ndezur për snobizëm do të ndjekin modën e radhës. Velinat do të hedhin përtokë flamujt, për të ritreguar tangat. Futbollistët mercenarë do të rendin pas interesave të tyre. Adoleshentet do te ëndërrojnë princër të tjerë të kaltër. Dhe të gjithë që e morën seriozisht këtë patriotizëm të shtirë, do të kuptojnë se ishte vecse çështje mode. 

“Lapsi.al”

SHKARKO APP