Tallja me dekriminalizimin

 

Nga Mero Baze

Debati për dekriminalizimin e politikës shqiptare, po degradon në detaje policeske dhe po përpiqet të krijojë idenë, se problemi mund të luftohet përmes një mbrojtje kibernetike nga kriminelët. Aq qesharake është bërë kjo situate, sa sot, kryetarët e dy partive të mëdha në politikën shqiptare, që janë përgjegjës direkt për prezencën e elementëve kriminalë në politikën shqiptare po diskutojnë, a duhen shenjat e gishtrinjëve, a duhet testi i drogës, urinës apo grupi i gjakut.

Kjo është një tallje dhe poshtërim për opinionin publik dhe një vetëposhtërim nga ana tjetër, që politika e dështuar i bën klasës politike shqiptare, duke e presupozuar si kriminelë.

Për çdo individë në botë, që kandidon për të qenë në jetën politike si deputet apo kryetar bashkie, ka një sërë filtrash deri tek ajo ditë. Së pari, duhet të jetë i suksesshëm dhe të dijë çfarë u ofron qyetarëve. Më pas vjen e kaluara e tij dhe detaje të tjera nga historia e suksesit dhe vlerave të tij. Armiku numër një i çdo kandidati për politikan në botë është anonimati. Pra, asnjë i panjohur nuk mund të hyjë në politikë dhe të gjithë të mbeten të befasuar ditën e parë apo të 100 të tij në politikë, duke thënë që “nuk e njihnin më parë”.

Ky teatër që po ndodh në politikën shqiptare, i presupozon kandidatët për politikanë së pari kriminelë dhe, së dyti anonimë.

I presupozon kriminelë, pasi u kërkon shenja gishtrinjsh dhe analiza urine dhe i presupozon anonimë, pasi me gjithë këto teknalitete mendohet se ata nuk i njeh njeri.

Ky është gjesti më apolitik dhe më poshtërues që i është bërë ndonjëherë klasës politike dhe qytetarëve, nga vet klasa politike.

Me reformën kushtetuese të vitit 2008 në kodin elektoral, dy udhëheqësit e asaj kohe, Sali Berisha dhe Edi Rama morën përsipër me ligj, detyrimin për t'ua ofruar ata qytetarëve shqiptar ekipin politikë dhe është kredo e tyre morale dhe politike, ekipi që ofrojnë. Një element me veprimtari kriminale, nuk është anonimë. As një vrasës apo trafikant nuk është anonimë. Ata janë më të njohur se politikanët, ndaj dhe për këtë arsye ata i futin në listat e tyre. Anonimë janë vetëm pionerët e thirrur si ushtarë të liderëve politikë, por ata në tërësi janë anonimë dhe sa i përket botës kriminale.

Degardimi i standardeve të dekriminalizimit tek shishja e urinës dhe shenjat e gishtrinjëve është një përpjekje për të na treguar se ata po përpiqen të bëjnë diçka në këtë drejtim, por është shumë e vështirë të kapen kriminelët që depërtojnë në politikë. Në fakt kjo është dhe gënjeshtra më poshtëruese që kemi. Të 140 deputetët e parlamentit shqiptar, ditën që bëhen deputet, shkojnë në Ministri të Jashtme, lënë shenjat e gishtrinjëve dhe marrin pasaportë diplomatike, kështu që nuk ka nevojë për një test të dytë të tyre. Si për çudi edhe pse kjo procedurë  ka ndodhur, unë ende nuk kam një përgjigje zyrtare, se kush e pajisi për shembull Fatmir Mediun me një pasaportë me emrin Fatmir Medihoxha, kur ky identitet nuk ekziston në gjendjen civile. A duhen arrestuar ata që kanë qenë në krye të Ministrisë së Jashtme në atë kohë?

Natyrisht që s'ka ndërmend t'i prekë njeri as ata, as ata që do të vijnë, por as ka ndërmend njeri të hyjë në politikë me emër tjetër për shkak të shenjave të gishtrinjëve. Nga ana tjetër, çfarë nënkuptohet me test urine për drogën apo pijen dhe sa kriminel e bën një njeri që mund të pijë hashash apo drogë, fakti që është përdorues, ndërkohë që shitësit e mëdhenjë të drogës janë njerëz të disiplinuar dhe kanë milarda?

Këto gjeste qesharake dhe kërkesa degraduese, nuk bëhen as për të dekriminalizuar politikën dhe as për të krijuar barriera kundër kriminelëve, por për të krijuar idenë  se palët nuk kanë faj që u kanë depërtuar kriminelët, se nuk kanë  marrë masa policore. Kjo besohet vetëm si turp, por jo si justifikim. Edi Rama dhe Sali Berisha e dinë kë kanë zgjedhur, përse i kanë zgjedhur dhe përse u duhen. Nëse nuk u duhen më, mund t'ua thonë vet dhe të na e kursejnë këtë teatër, me analiza shurre dhe shenja gishtrinjsh, pasi ata nuk janë agjentë të fshehtë të krimit në politikë, por janë në politikë se janë të njohur për çfarë kanë bërë.

TEMA

SHKARKO APP