Tangoja e Basha-Berishës me Metën

Nga Eduard Zaloshnja/Duhen dy veta për ta kërcyer tangon, por tangoja nuk kërcehet me tre. Kjo shprheje mund të jetë metafora që i përmbledh më mirë tre vjetët e marrëdhënieve në distancë mes dyshes Basha-Berisha dhe Ilir Metës.

Kur Lulzim Basha garoi për kreun e PD-së, u sfidua nga rivali Sokol Olldashi që të distancohej nga miku i tij Meta, 20 mijë votat e të cilit i kishin siguruar barazimin statistikor me Ramën në zgjedhjet për bashkinë e Tiranës më 2011. Basha nuk u distancua nga Meta, ndërkohë që Berisha qendroi në heshtje, me pretendimin se nuk donte të ndikonte në garën mes Bashës e Olldashit.

Me kalimin e muajve, Berishës i duhej një narrativë për shpjegimin e 1 milion shuplakave që mori në zgjedhjet e 2013-ës, dhe shpërndarja e mandateve parlamentare e kishte të gatshëm shpjegimin. PS-ja dhe aletatët e saj morën po aq mandate sa ç’kishin marrë më 2009, dhe e gjithë rrjedhja e mandateve të koalicionit të Berishës kishte shkuar tek LSI-ja, e cila mori 12 mandate më shumë se ç’kishte marrë më 2009. Dhe Berisha akuzoi në veçanti LSI-në si blerësen e madhe të votave, ndërkohë që futi në përdorim të përditshëm shprehjen “dyshja Rama-Meta”.

Basha i rezistoi për disa muaj trysnisë që i vinte nga “kumbari” Berisha, por më së fundi, e futi edhe ai në përdorim në fjalorin e tij publik shprehjen “dyshja Rama-Meta”.  Pas zgjedhjeve lokale, kur “dyshja Rama-Meta” nuk funksionoi mirë në disa bashki ku garonin kandidatët e LSI-së (si Pogradeci, Lezha e Vora), Basha filloi t’i përqendronte sulmet gjithnjë e më tepër ndaj ish-miku të tij Meta. Deri sa arriti të kërkonte dorëheqjen e Metës, e jo të Ramës. Në të njëjtën kohë, filluan të qarkullojnë zëra në media për një pakt të fshehtë mes Bashës e Ramës për një sistemit elektoral me prim, i cili mund ta nxjerrë jashtë loje LSI-në.

Dhe kur Meta i dërgoi mesazhin publik Berishës nga Çorovoda, për “malësorët” që kur thonë “po”, thonë “po”, Ndodhi një ndryshim i menjëhershëm në qendrimet e PD-së. “Partneri i tangos” me Metën u bë Berisha, ndërkohë që Basha i pushoi sulmet ndaj LSI-së. Se për çfarë “poje” e kishte fjalën Meta, mund ta dinë vetëm ai e Berisha, por me kalimin e muajve u duk se Basha e kuptoi se ajo mund ta nxirrte jashtë lojës së ardhshme për postin e kryeministrit.

Në tre studio të ndryshme televizive (e fundit ishte dje studioja e Ylli Rakipit), Basha ka deklaruar pa mëdyshje se, sa të jetë kryetar i PD-së, nuk do të bëjë kurrë alenacë me Metën. Nga ana tjetër, Berisha, në tre studio të ndryshme televizive, ka deklaruar pa mëdyshje se “i sugjeron” PD-së që të bëjë alenacë me LSI-në pas zgjedhjeve, nëse numrat parlamentarë e kërkojnë këtë gjë.

Nga këto dy deklarata, kuptohet që Basha e ka lidhur të qenit e tij në krye të PD-së me kushtin e mosbërjes aleancë me Metën. Ndërsa Berisha, duke mos e gëlltitur dot mosbindjen e “të pagëzuarit të tij”, duket se është gati ta zëvendësojë atë me Nishanin, i cili çdo ditë e më tepër po merr rolin e opozitarit të flaktë antiqeveritar. Ai është gati të sakrifikojë çdo njeri që mund t’i prishë tangon e riardhjes së PD-së në pushtet, sado e kushtueshme të jetë ajo në sytë e opinionit publik.

Dhe në këtë situatë të tensionuar në PD, vjen edhe takimi Rama-Basha, ku normalisht duhej të ftohej edhe kryeparlamentari Meta, meqë do të bisedohet për reforma që duhen miratuar në parlament. Nuk dihet se ç’do të bisedohet tjetër në këtë takim, por fakti që Meta lihet jashtë tij, duket se i dërgon një mesazh Berishës se Basha nuk do ta gëlltisë kollaj “tangon Berisha-Meta”.

Kuptohet që të gjitha kombinimet e mundshme Rama-Basha-Meta-Berisha nuk mund të sjellin ndonjë ndryshim cilësor në qeverisje, apo një ulje të perceptimit mbi korrupsionin (që sipas sondazhit të fundit të IDRA-s, është në nivelin 89%). Gjithashtu, nuk mund të pritet që partitë e reja (të Blushit e të Bojaxhiut) ta sjellin një gjë të tillë, qoftë prej vonesës së themelimit të pritshëm të tyre, e qoftë prej perceptimit për të shkuarën e themeluesve të tyre.

Sidoqoftë, uji që lëviz është më i mirë se sa i ndënjuri. Për ujë të kulluar burimi, ndoshta duhet të presim edhe disa vjet të tjera…Respublic.al

SHKARKO APP