Tani janë studentët që duhet të flasin

Nga Shezai Rrokaj –
Në gjitha këto vite qeverisje Kryeministri u zhyt në paranojën e reformave imagjinare të trumpetuara me slogane e zbukurim ekranesh teksa gropa e zezë ku po zhytej në teposhtje Arsimi i Lartë, me tarifa tejet të larta, pagat e ulta dhe cilësia e dobët tregonin se duhej ndërhyrje emergjente me financime publike. Gjithë këto vite kjo problematikë iu bë e qartë nga shumë aktorë të shoqërisë civile, të politikës dhe të organizmave ndërkombëtare, por ai dhe strukturat e tij vazhdonin në rrugën e sukseseve imagjinare, i rrethuar nga servilë dhe të paaftë në çështje të arsimit.
Pas mbylljes nga Qeveria të sistemit doktoral dhe sistemit part-time të cilët, edhe pse kishin shfaqur derformime serioze, ishin një furnizues fondesh për Arsimi Publik të Lartë, duke mbajtur të ulta tarifat e sistemit full-time dhe duke krijuar të ardhura për profesoratin, Qeveria nuk i shoqëroi këto ndërhyrje në sistem me rritjen e subvencionimit. Kjo gjë i detyroi IAL-të që në vitin 2014 të rritnin tarifat të cilat u miratuan nga Qeveria. Prej këtij viti nuk ka pasur rritje prej universiteteve. Kryeministri tregohet i pasinqertë kur shigjeton profesoratin për këtë gjendje, sepse ai bëri sikur u konsultua me grupet e interesit për kinse reformat e ndërmarra. Siç ndodh shpesh në Shqipëri me reformat ndjellamira, që trumpetohen me rrahagjosk prej politikës së radhës, po nën efektin e pragmatizmit politik të “inatit” me kundërshtarin politik, këto nisma janë transformuar në kinse reforma me ndërhyrje dhe spërdredhje, në gati një ligj ose amendim për çdo mandat qeverisës. Kjo gjë ka shkaktuar një mungesë stabiliteti në funksionimin e institucioneve akademike, duke krijuar një kakografi ligjore, ku pa iu tharë ende boja një akti zyrtar vjen akti tjetër që e ndryshon. Sakaq, nga përvoja e shumë vendeve perëndimore në sektorë si arsimi, shëndetësia, bujqësia etj., përfshirë edhe aktet ligjore rregulluese, këto reforma bëhen për periudha relativisht të gjata 20–30-vjeçare, sepse i shtrijnë dhe i japin efektet për një periudhë afatgjatë.
Në këtë mënyrë, duke u orientuar kinse drejt modelit anglosakson, Ligji i Arsimit të Lartë (LAL) aktual shënoi shkëputje nga Procesi i Bolonjës, për të cilin ishte investuar gjithë këto vite dhe që edhe sot është një sistem i gjithëpranuar, megjithë diskutimet që bëhen në rangje të larta reformatorësh. Rasti më tipik është ai i krijimit të masterit administrativ pas masterit normal, duke e shkëputur ciklin e tretë të studimeve dhe kërkimin nga formimi teorik si pjesë e doktoratës. Gjithashtu kreu i 12-të i LAL, që u referohet ‘Universiteteve Publike të Pavarura’, është një stisje ndjellakeqe nën presionin e lobimeve të caktuara, ku synohet subvencionimi me fonde buxhetore të universiteteve private, në një kohë kur pjesa e fondit të pakushtëzuar që u jepet universiteteve publike mbulon vetëm 10 ose 11 paga mujore dhe thuajse nuk ka aspak ose shumë pak fonde buxhetore për shpenzime operative dhe investime, ndërsa fondet për kërkim bazë në universitet prej vitesh mungojnë. Sidoqoftë, kjo çarturi ligjore në kushtet e vendit tonë, zoti na ruajt, fle ende në letër, pasi nuk është bërë konkrete, sepse edhe ato pak fonde publike do të fluturonin te privati.
Nën efektin e këtij ndryshim modeli, Ligji ka gjithashtu disa nene që kanë krijuar paqartësi në funksionimin e IAL-ve, sepse ka një dualizëm në marrëdhëniet rektor/administrator, senat/bord administrimi, duke e lënë pezull faktin e njohur dhe të gjithëpranuar prej shekujsh se universitetet janë krijuar dhe ekzistojnë prej akademizmit, falë vizionit dhe hapjes ndaj dijes dhe botës dhe jo për shkak të menaxherëve të fondeve, që duhet të mbështesin këtë vizion. Nga ana tjetër, Ligji është ‘mbytur’ prej detyrimit për nxjerrjen e shumë akteve nënligjore, si: VKM, Urdhra e Udhëzime të cilët, edhe pse kanë kaluar tri vite nga miratimi i tij, ende nuk janë nxjerrë plotësisht.
Gjithashtu, qeveritë e kanë lënë në rënie të lirë cilësinë e nxënësve në Arsimin Parauniversitar, të cilët mandej ndjekin studimet e larta. Kjo ka ndodhur sepse, ndërsa mëtohet me megalomani të ndiqen modele elitare botërore të arritjeve në arsim, si bie fjala, Finlanda, në fakt politikat e ditës të fryra me slogane kanë ulur pritshmëritë për rritje të cilësisë në arsim, duke shfaqur tregues që janë në skaje krejt të kundërta me këto vende. Mjafton të sjellim si shembull faktin se në Finlandë 10% më e mirë e gjimanazistëve shkojnë për mësuesi, kurse në Shqipëri shkojnë për mësuesi 20% e gjimnazistëve më të dobët, madje për matematikë dhe biokimi shkojnë 10% më të dobëtit e gjimnazistëve dhe, në raste të tjera, siç u vu re edhe këtë vit akademik, këto degë përballen me mosplotësim kuotash dhe mbyllje degësh në disa universitete.
Po kështu, gjatë këtyre viteve Finlanda po investon 7% të PBB-së (Prodhimi i Brendshëm Bruto) për arsimin, kurse Shqipëria investon gjithë këto vite rreth 3% të PBB-së së saj. Për këtë vit Qeveria po investon vetëm 3.1% të PBB-së, duke mos zbatuar as edhe vetë Strategjinë e saj të Arsimit Parauniversitar (SAPU/2014), ku përcaktohej se investimi në arsim për vitin 2018 e në vazhdim do të ishte 5% e PBB-së. Edhe për vitin e ardhshëm financimi i arsimit duket se do të mbetet midis 3.1 dhe 3.3% e PBB-së, dhe nuk ka gjasë të shkojë përtej 3% edhe për 2020-ën. Mosfinancimi në kuotën 5% të PBB-së ka rritur koston e familjeve shqiptare, të cilat kanë peshën më të lartë të shpenzimeve familjare për arsim në Evropë, që shkojnë nga 1,7% para një dekade në 4,4% të buxheteve të tyre vitin e fundit. Në BE mesatarja e shpenzimeve të sotme familjare është 2,1%, kurse vendet e rajonit si: Serbia, Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina ruajnë një raport midis 0,6-07%.
Gjithashtu, nisur nga gjendja e Instituteve që funksiononin nën qerthullin e Akademisë së Shkencave, Qeveria e mëparshme ndërmori një reformë për t’i bashkuar institutet kërkimore me universitetet, me qëllim lidhjen e procesit të mësimdhënies me kërkimin, duke e lënë Akademinë e Shkencave me statusin e një institucioni honorifik. Edhe kjo reformë mbeti skematike, pasi mungoi mbështetja financiare për kërkimin ashtu si për gjithë arsimin në tërësi.
Qeveria aktuale, përtej demagogjisë dhe cilësimeve arrogante e dashakeqe të Kryeministrit, deri në fyerje publike të Akademisë së Shkencave, si ‘agjensi funeralesh’, duket se nuk e ka mendjen te reformimi i saj. Projekte të grupeve të punës a propozime individuale si në mandatin e mëparshëm edhe sot, flenë sirtareve të Qeverisë, e cila është rrëmbyer nga punët e ditës dhe nuk ka kohë të mendojë me një vizion afatgjatë, sipas të cilit zhvillimi i cilësisë së shoqërisë inteligjente ul kostot e pamenduara në sektorët e zhvillimit dhe rrit pritshmëritë për një zhvillim më të shpejtë të vendit. Universiteteve dhe Akademisë së Shkencave, sidomos kërkimit shkencor në tërësi, nuk u është dhënë një zgjidhje vizionare definitive, si për sa i përket subvencionimit të kërkimit ashtu edhe të përfshirjes së tij në një model funksional partneriteti me Qeverinë për zgjidhje të kualifikuara, në mënyrë që shkenca t’u shërbejë nevojave dhe problematikave reale të shoqërisë shqiptare, duke ua prerë rrugën eksperimenteve burokratike korruptive me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Po çfarë mund të ndryshojë dhe ku duhet filluar?
Së pari, duhet të hiqet dorë nga politikat fasadë me të ashtuquajturin “brain gain”, që çdo ditë po kthehet në “brain drain”, dhe të fillohet me politika konkrete për të ndalur bjerrjen e popullsisë së dijes, sidomos intelektualëve që po braktisin vendin. Së dyti, megjithë ruajtjen e lidhjeve, interesimin dhe dëshirën për të kontribuar për vendin e tyre, sot për sot, shumica e të rinjve të formuar në Perëndim nuk e shohin kthimin në Shqipëri si një mundësi për të gjetur vetveten. Kjo lidhet me faktorë si: klima e mirëbesimit; përshtatshmëria e vendit të punës, pagesat e ulëta, kushtet e jetesës, paqëndrueshmëria politike e deri te mungesa e sigurisë së jetës, krimi e droga, deformimi i drejtësisë dhe niveli i ulët i shërbimeve. Kthimi i shqiptarëve të kualifikuar është pa dyshim një faktor i rëndësishëm zhvillimi, por ky kthim kushtëzohet nga përmirësimi i faktorëve të mësipërm. Prandaj është e domosdoshme të krijohet klima e duhur politike, ekonomike e sociale për të kthyer besimin e tyre dhe për të ndaluar ikjen e atyre që janë ende këtu.
Së treti, Qeveria vazhdon ta shohë botën akademike nga pozicioni i hierarkisë institucionale, si pjesë e varësisë. Në fakt, një qeverisje e mirë duhet t’i konsiderojë si partnerë zhvillimi akademikët, profesorët, krijuesit, intelektualët në tërësi. Nuk mund të ketë një strategji afatmesme dhe afatgjatë të formimit dhe kërkimit akademik nëse nuk lidhet dhe vihet në funksion të një strategji afatmesme dhe afatgjatë të zhvillimit të vendit. Këto janë dy pjesë që ecin në funksion të njëra-tjetrës dhe Qeveria duhet t’i trajtojë burimet njerëzore inteligjente si faktorë të rëndësishëm për zhvillimin e vendit, duke iu besuar projektet e zhvillimit si dhe oponencat për projektet e donatorëve.
Së katërti, është shumë e rëndësishme të ftohen të gjithë ata që kanë kryer studime në vende të OECD-së dhe t’u garantohet menjëherë vendi i punës. Për gjithë sektorin e arsimit të garantohet, siç kanë vepruar të gjitha vendet e rajonit dhe BE-së, 5% e PBB-së, me të cilën sigurohet dyfishimi i pagave dhe përgjysimimi i tarifave të studentëve, të cilat janë nga më të lartat në rajon krahasimisht edhe me të ardhurat familjare. Qeveria vazhdon të ketë një koncept të deformuar për subvencionimin me fonde buxhetore të arsimit dhe shkencës në kuadrin e prioriteteve kombëtare, duke qëndruar në bisht të vendeve të rajonit dhe BE-së. Duhet të ndyshohet urgjentisht kursi dhe të dedikojë 5% të PBB-së për uljen e tarifave, rritjen e cilësisë në arsim, ndërprerjen e hemorragjisë së trurit dhe ndërtimin e një politike inkurajuese për afrimin e diasporës intelektuale në vend.
Nga ana tjetër, deri sot Qeveria nuk e mbajti fjalën për bibliotekat on line me informacion të specializuar për fushat e kërkimit, në mënyrë që studiuesit me përvojë e të rinj,  si dhe vetë studentët të kenë akses në kërkimet e tyre alternative.
Si këto probleme dhe shumë të tjera ka plot arsimi por Juve ju janë veshur sytë dhe ju janë mbyllur veshët, zoti kryeministër! Dëgjuat vetëm servilët dhe morët rreth vetes për reforma profanët.
Nuk ua vure veshin as edhe të preferuarit tënd Konicës kur thoshte se “Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen, ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa dhe sot”. Por sot ka një zë që po Ju kthjellon kujtesën, z. Kryeministër, megjithëse tani është tepër vonë për Ju.

SHKARKO APP