Të dhënat e SkyECC në procesin penal dhe parimi i sovranitetit territorial

Nga av. Gurali Brahimllari

Gjatë vitit 2025 janë publikuar disa vendime penale të gjykatave të Konfederatës Zviceriane (nivel Qarku dhe Kantoni), të cilat në mënyrë unanime kanë konkluduar se të dhënat e SkyECC, janë të provatë papërdorshme në proceset penale, madje kanë vendosur dhe përjashtim prej fashikullit të gjykimit dhe asgjësimin e tyre. Sipas këtyre vendimeve, veprimet hetimore të autoriteteve franceze dhe holandeze, për “mbledhjen” e transkripteve të SkyECC, janë kryer në shkelje flagrante të parimit të SOVRANITETIT të Konfederatës Zvicerane, për shkak se nuk është marrë, paraprakisht, autorizimi për përgjimin/hakerimin e telefonave që kishin përdorim të akuzuarit me vendqëndrim në Zvicër.

Këto vendime të Gjykatave Zvicerane, kanë rëndësi të posaçme për praktikën tonë gjyqësore për shkak se vendi ynë, ashtu si edhe Zvicra nuk është pjesë e BE-së dhe në mënyrë të ngjashme, nuk i është aplikuar Urdhëri Europian i Hetimit për marrjen dhe vlerësimin e të dhënave të SkyECC.

Swiss Digital Desktop Reklama

Gjykata Zvicerane, kanë konkluduar se vetëm fakti se të dhënat janë kërkuar/dërguar në Zvicër në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën penale, nuk mund të justifikojë dhunimin e parimeve dhe principeve të legjislacionit kombëtar, prandaj është sikur se ishte disponuar Gjykata e Qarkut Dietikon më 19.06.2025 (që kishte vendosur që të dhënat e SkyECC të hiqeshin nga dosjet gjyqësore, deri në fund të procedurës dhe pasi u mbajtën nën vulët e veçanta, dokumentet u shkatërruan), edhe Gjykata e Lartë e Kantonit Zurich Dhoma e II-të Penale, në datën 15 Gusht 2025, në një çështje me të njëjtën natyrë vendosi:

Swiss Digital Mobile Reklama

“..2” Të dhënat SkyECC që gjenden në aktet (e fashikullit gjyqësor) janë të papërdorshme dhe hiqen nga aktet.

Përpos këtij përfundimi, e rëndësishme për praktikën tonë në gjyqësor, mendoj se përbën analizë dhe qëndrimi që ka mbajtur kjo gjykatë në lidhje me efektet që ka patur metoda teknike “Man-in-the-Middle” në formimin e transkripteve (të dërguara në CD nga autoritet Franceze).

Në vendim sqarohet fakti se kjo metodë teknike është aplikuar sipas vendimit të datës 17 dhjetor 2020 të Gjykatës së Shkallës së Parë në Paris, ishin në gjendje të kapte elementët kriptografikë të nevojshëm për dekriptimin e mesazheve individuale të abonentëve të SkyECC, duke arritur të depërtojnë në aparatët celularë të përdoruesve, kudo që të ndodheshin, nëpërmjet dërgimit të një mesazhi “PUSH”, krejt pa dukshëm për përdoruesit. Më anën e instalimit të pajisjes “Man-in-the-Middle” dhe lidhjen e saj me serverin rezervë të SkyECC, u arrit që autoritet Francez të siguronin çelësat për deshifrimin e komunikimeve të cilat ishin mbledhur nga procesi i përgjimeve të filluar që në dt 14.06.2019, por pjesa më e madhe e tyre ishte e palexueshme (për shkak të enkriptimit). Në vendim thuhet se pajisja MITM u krijua nga hetuesi holandez dhe u aktivizua me ndihmën e tyre nga policia Franceze, menjëherë pas autorizimit nga Gjykata e Parisit. Por më 19 shkurt 2021, hetuesit holandezë vunë re njërën ietëndjeshme të mesazheve të deshifruara, prandaj më 24 shkurt 2021, një gjyqtar në Lille miratoi instalimin e një pajisjeje të dytë MITM në serverin kryesor të platformës SkyECC.

Duke vënë në dukje kohën e zbatimit të metodës teknike “Man-in-the-Middle” dhe funksionin e saj si një lloj “trojani” për të marrë çelësat e deshifrimit, direkt nga telefonat e përdoruesve edhe në territorin Zvicerian, Gjykata ka arritur në përfundimin se mesazhet e periudhës para 17 dhjetorit 2020, ishin ruajtur pas përgjimeve që ishin kryer në kohë reale, por dekriptimi (leximi) i tyre u bë i mundur vetëm pasi çelësat individualë ishin siguruar përmes MITM. Pas verifikimit të të dhënave të SkyECC të rastit në shqyrtim, Gjykata ka konstatuar se “ngjarjet e aktakuzës për personat B dhe C i përkasin periudhës para kësaj date, ndërsa ngjarja e aktakuzës për personin D i përket kohës pas miratimit të vendosjes së pajisjes”.

Gjykata konstaton se nga aktet e fashikullit të gjykimit nuk del që Franca të ketë kërkuar ndihmë juridike prej autoriteteve kompetente zvicerane, në lidhje me aplikimin e metodës MITM në territorin zviceran, prandaj vlerësoi se telefonat SkyECC u hakeruan në tokën zvicerane pa autorizim gjyqësor prandaj konkludoi se provat janë të pavlefshme përderisa aksesi në pajisjen e të akuzuarit u krye në shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Zvicrës.

Gjykatat hekon se një shtet mund t’iu ushtrojë kompetencat vetëm brenda territorit të tij dhe se nuk i është autorizuar të kryejë veprime hetimore për nevoja të ndjekjeve penale në territorin e një shteti tjetër pa pëlqimin e tij. Madje Gjykata vëren se “nuk është e nevojshme që autoriteti in një vend të ketë vepruar në territorin e huaj për të shkelur sovranitetin e këtij shteti të huaj; mjafton që veprimet e tij të kenë efektin në territorin e atij shteti.”

Duke referuar jurisprudencë së Gjykatës Supreme Federale, Gjykata e Kantonit në Zvicër ka konkluduar se: ”njohuritë e fituara duke shkelur parimin e territorialitetit nëpërmjet pajisjeve teknike të vëzhgimit janë absolutisht të papërdorshme”, prandaj edhe ka urdhëruar heqjen e tyre nga fashikulli i gjykimit.

Gjykata e Kantonit në Zvicër ka vijuar më tej arsyetimin e saj duke dhënë përgjigje shteruese çështjeve nëse autoritetet zvicerane do t’i kishin përgjigjur një kërkese franceze për ndihmë juridike për vëzhgim nëpërmjet tekniks MITM si dhe nëse të dhënat SkyECC të mbledhura nëpërmjet vëzhgimit të serverit kryesor në Francë (dhe pa metodën MITM që akseson territorin zviceran) do të ishin të përdorshme në këtë procedure penale.

Thënë ndryshe Gjykata vuri në diskutim çështjen e kushteve për miratimin nga Gjykata Zvicerane të kërkesave të huaja për ndihmë juridike dhe çështja e përdorimit të provave të mbledhura nga autoritetet e huaja dhe nëse nuk do të ishte cënuar parimi i sovranitetit shtetëror, të cilat janë debatuar gjatë dhe në procesin penal që po zhvillohet në vendin tonë.

Për të dy çështjet Gjykata e Lartë e Kantonit të Zvicrës, ka konkluduar se, sipas legjislacionit kombëtar, Gjykatat Zvicerane as nuk do të përmbushnin një kërkesë për ndihmë juridike nga autoritetet franceze për vëzhgimin e telefonit SkyECC të të akuzuarit nëpërmjet tekniks MITM dhe as nuk do të përdornin të dhënat e tjera të përftuara prej autoriteteve franceze pa ndërhyrjen me këtë metodë teknike hakerimi për shkak se përgjimet, si mjete për kërkimin e provave kanë qenë të padrejta, pa përcaktuar personat konkret dhe veprat penale për të cilat ata po hetoheshin (pra kanë qenë rezultate të përgjimeve masive). Madje, në kohën e përgjimeve për të akuzuarit nuk kanë patur procedim penal të regjistruar as në Francë dhe as në Zvicër.

Gjykata E Lartë e Kantonit të Zyrihut, ka gjetur shkeljen e të drejtave të mbrojtjes dhe për shkak se nuk është respektuar e drejta e çdo të akuzuari për të marrë në original të dhënat elektronike, duke konstatuar se “të dhënat në dispozicion janë në nënshtruar një përpunim ose “hollim” nga Europol prej 2021-it për shkak të vëzhgimit masiv”, prandaj “nuk janë origjinale. Tabelat Excel të konvertuara në skedarë PDF që gjenden në akte, janë krijuar në kuadrin e hetimeve policore dhe janë përpunuar vizualisht, nuk janë të dhënat e vërteta, të papërpunuara….

Në përfundim të kësaj analize theksojmë se në arsyetimin e vendimeve të Gjykatave Zvicerane nuk është përmendur kurrë parimi i besimit reciprok në bashkëpunimin penal ndërkombëtar, i cili është përdorur si “mburojë” në praktikën e deritashme të Prokurorisë dhe Gjykatave të Posaçme në vendin tonë, edhe pse Shqipëria, ashtu si edhe Konfederata Zvicerane, nuk është pjesë e BE-së dhe në proceset tona penale nuk i është aplikuar Urdhëri Europian i Hetimit.

Ndërkohë edhe neni 6 i Direktivës BE “Për Urdhërin Europian të Hetimit Penal”, parashikon se për mënyrën e mbledhjes së provave, shtetet anëtare duhen të zbatojnë edhe parimin e ekuivalencës, duke verifikuar përputhmërinë e legjislacionit të aplikuar në France në raport me legjislacionin kombëtar (sikurse u konkludua edhe në Vendimin e GJED- Luksemburg, dt 30.04.2024 apo Vendimi I dt 19.12.2024 i Gjykatës rajonale të Berlinit për zbatimin e tij), në vendimet e dhëna deri tani, vijon të justifikohet përdorimi i të dhënave të SkyECC me sloganin se janë marrë nga autoritet franceze, të cilat janë “kampionë drejtësie” dhe nuk mund të vihet në diskutim ligjshëm ria e përdorimit të tyre, jo vetëm për paraburgimin por edhe për deklarimin e fajtor dhe dënimin e të dyshuarve.

Nevoja për ndryshim vjen dhe nga kjo praktikë e konsoliduar e Gjykatave të Konfederatës Zviceriane, të cilat, duke respektuar parimin e sovranitetit territorial, kanë vënë në diskutim edhe parimin e ekuivalencës, duke u dhënë përgjigje më lart çështjeve të tjera që lidhen me verifikimin e origjinalitetit të të dhënave të SkyECC dhe vetëm në mënyrë së përftimit të transkripteve vënga autoritet franceze, në raport me përmbajtjen e legjislacionin procedurial dhe kushtetues përfshirë edhe dispozitat që disiplinojnë përgjimin dhe të drejtën e fshehtësisë së korespondencës.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?