Të drejtshkruash gjuhën shqipe, është më shumë se kulturë
Dy nxënës të klasës së XI të gjimnazit në një projekt të paraqitur si punë të tyre origjinale, por që në fakt ishte një kopjim nga interneti, kishin përdorur fjalë që nuk ua dinin fare kuptimin, si “paradigmë” “oksident”,”koshiencë”, “intimidim” etj”….
Nga Ramazan Sherja
Nuk e kemi fjalën këtu për tabelat e dyqaneve, apo etiketa të mallrave të ndryshme që qarkullojnë nëpër vendin tonë, të cilat jo vetëm që shumica prej tyre shkruhen në gjuhë të huaj e përveç një llamburitje të çastit e një shastisje të blerësit, nuk kanë asgjë tjetër me vlerë, e as për ata që shkruhen në gjuhën shqipe e janë plot me gabime të mëdha drejtshkrimore. Jo, në këtë shkrim do të tërheqim vëmendjen për drejtshkrimin rigoroz të gjuhës shqipe nëpër shkolla. Të shkruash bukur sipas rregullave të drejtshkrimit gjuhën e popullit tënd, nuk është vetëm detyrim shkollor, nuk është vetëm kulturë e përgjithshme e nxënësit, por edhe patriotizëm e atdhetari. Vetë kryeministri Edi Rama, është i interesuar që çdo dokument e shkresë zyrtare që del nga institucionet e dikasteret të jetë e shkruar saktë, sipas rregullave të drejtshkrimit. Deri më tani ne kemi një Kongres të Drejtshkrimit 1972, mbajtur apostofat për drejtshkrimin e gjuhës shqipe dhe vendimet e tij janë detyrimisht të zbatueshme për të gjithë, për shkollarët e zyrtarët, për studentët e biznesmenët, e veçanërisht për nxënësit e shkollave, ku rrënjosen rregullat gramatikore e drejtshkrimore të gjuhës. E themi me argumente, se nga shumica e nxënësve, gjuha shqipe po bastardohet në shkrim. Sidomos nga nxënësit në klasat e VI – VIII dhe në shkollat e mesme, nënvleftësohet drejtshkrimi, apo kaligrafia e tij dhe nxënësi vetëkënaqet me faktin që përgjigja e shkruar të jetë e saktë. Kjo vjen ngaqë nxënësit duke u marrë shumë me kompjuterin dhe internetin, po harrojnë të shkruajnë drejt e bukur gjuhën shqipe. Një pjesë e mirë e nxënësve të klasës X në një gjimnaz, në një projekt të hartuar prej tyre në lëndën e historisë, ndonëse kishin paraqitur disa mendime me vlerë, nga ana drejtshkrimore, projekti kishte gabime të mëdha. Më e keqja ishte që këto gabime nuk i kishte kontrolluar dhe korrigjuar as mësuesi. Drejtshkrimi është detyrë e çdo mësuesi e nxënësi dhe jo e vetëm mësuesit të gjuhës. Të gjithë mësuesit e çdo lënde qoftë, kimi apo matematikë, botanikë apo sociologji, në kontrollimin e detyrave, krahas me përmbajtjen shkencore, duhet që detyrimisht të kenë parasysh edhe anën estetike të shkrimit e fletores, si dhe drejtshkrimin korrekt të çdo fjale. “Kam shkruar shpejt,- justifikohet nxënësi. E kam shkrimin e keq!”-vazhdon ai. “Më ka kaluar gabimi drejtshkrimor”,- e nënvleftëson mësuesi, dhe nuk e kuptojnë se kështu nxënësit duke kaluar nga klasa në klasë harrojnë të shkruajnë sipas rregullave drejtshkrimore. Është tjetër gjë shkrimi jo i bukur dhe tjetër gjë shkrimi me gabime drejtshkrimore. Nxënësve të klasave të 9-vjeçares, krahas punëve me shkrim që duhet të punojnë në kompjuter, projekte me afat të gjatë, u duhet dhënë më shumë detyra ditore me shkrim. Detyra e nxënësit që nga fillorja është të shkruajë e të lexojë, e pastaj të krijojë e të rrënjosë koncepte të shëndosha shkencore për lëndën. Dhe në këtë aspekt nuk ka rëndësi vetëm dhënia e detyrës, por edhe kontrolli rigoroz i saj. Asnjë mësuesi nuk i lejohet që të kontrollojë një detyrë dhe të bëjë vlerësimin e tij poshtë saj, pa theksuar edhe gabimet gjuhësore e drejtshkrimore që mund të ketë ajo. Janë të shumta rastet, kur gabimi drejtshkrimor deformon krejtësisht përmbajtjen e fjalës. P.sh fjala lagia (lagia nga uji) po u shkrua me shkronjën “j”, na jep fjalën “lagja”, me kuptimin e një njësie të vogël administrative. Po kështu fjala “terri” (errësira) po u shkrua vetëm me një “r”, na jep fjalën “teri”, që ka kuptimin “thau”, arra me një “r” mund të ngatërrohet me fjalën “ara” e kështu mund të sillen shumë shembuj ku gabimi drejtshkrimor çon në shtrembërimin kuptimor të fjalës.
Por gjuhën shqipe nuk po e dëmton vetëm mosdrejtshkrimi korrekt i saj, por edhe futja dhe përdorimi i mjaft fjalëve të huaja, pa qenë nevoja, edhe kur në vend të saj ne kemi fjalën e bukur shqipe. Dy nxënës të klasës së XI të gjimnazit në një projekt të paraqitur si punë të tyre origjinale, por që në fakt ishte një kopjim nga interneti, kishin përdorur fjalë që nuk ua dinin fare kuptimin, si “paradigmë” “oksident”,”koshiencë”, “intimidim” etj. Dhe mësuesi këtë punë e kishte vlerësuar me maksimumin e pikëve, edhe pse mjaft fjalë ishin shkruar gabim dhe nxënësi nuk ua dinte kuptimin. Por kur flasim për përdorimin e panevojshëm të fjalëve të huaja, nuk është vetëm faji i nxënësit i cili përpiqet për tu dukur “i ditur” e sikur “është lodhur “ me projektin, përdor fjalë të huaja që nuk ua di kuptimin, por edhe disa udhëzime e porosi të shkruara nga organet eprore të arsimit, janë të mbushura me fjalë të huaja të panevojshme, që vështirësojnë mësimdhënien e drejtshkrimin e gjuhës. Nuk është e vërtetë se ai që përdor shumë fjalë të huaja, është edhe i ditur, përkundrazi, di shumë ai që shprehet thjeshtë e shkruan drejt. Kështu në përgatitjen ditore të mësuesit, në zbërthimin e strukturës së orës mësimit, sipas udhëzimeve të marra e trajnimeve të kryera gjatë kualifikimeve, përdoren detyrimisht termat “Evokim”, “Brainstorming”,”kllaster”,” insert”, etj. Pse qenka e nevojshme që në përgatitjen e ditore të mësuesit u dashkan të përdoren terma të tillë huaj, që në disa raste as mësuesit nuk ua dinë kuptimin. Kjo nuk ka të bëjë as me thyerjen e traditës në zhvillimin e orës së mësimit, dhe as me një konceptim të ri të trajtimit e të zbërthimit koncepteve lëndore, as me përdorimin e një metode bashkëkohore mësimdhënie. Edhe nëse metoda është e kopjuar nga një gjuhë tjetër, ku mjaft metodistë “modernë” i përkthejnë shabllon e i paraqesin si botime të tyre origjinale, e përse u dashka përdorur kjo bashkë me emrin e huaj që mbart në përgatitjen ditore, ku mjaft mësues i shqiptojnë edhe vetë me vështirësi. Sado që ta ngarkosh mësuesin me plane e programe të mbushura me fjalë të huaja, sado që të përgatisë edhe mësuesi ditar me terma të tillë të huaj, prapë se prapë thelbi i orës së mësimit është paraqitja e problemeve thelbësore të saj, shpjegimi i qartë nga mësuesi dhe tërheqja e natyrshme e nxënësit e aktivizimi i tij gjatë gjithë orës së mësimit, si dhe nxjerrja e një konkluzioni të përbashkët mësues e nxënës,për të gjitha ata që u thanë në atë orë mësimi. Thelbi mbetet gjithmonë po ai i përcaktuar që nga Herbarti, dhënie profesionale e metodike e mësuesit dhe aktivizim maksimal i klasës dhe përthithja e koncepteve të sakta lëndore nga ana e nxënësit. Ky transmetim njohurish tek nxënësi , bëhet akoma më e lehtë në kushtet e informacionit dhe teknologjisë së sotme , që e konkretizojnë dhe e bëjnë konceptin shkencor të rrënjoset përgjithmonë në ndërgjegjen e nxënësit. Zhvillimi i sotëm i shoqërisë dhe kërkesat në rritje të ekonomisë së tregut, i nxjerrin zbuluar dhe i flakin tej mësuesit dhe nxënësit e ngarkuar me formalizma, dhe që nuk dinë të shkruajnë bukur gjuhën e kombit të tyre.