Të fundmit e spiunëve

Nga Ilva Tare

Sa herë politika nuk e ka seriozisht për të bërë shkëputjen përfundimtare me të shkuarën e errët diktatoriale, nxiton të miratojë ndonjë ligj, që më shumë lan e shpëlan dosjembajtësit, se sa i vë ata përpara përgjegjësisë morale dhe shoqërore. Ky duket se do të jetë fati Ii ligjit të ri për dosjet, që qeveria pritet të çojë në parlament, ndryshe nga drafti i propozuar nga shoqëria civile dhe deputetët Doda dhe Idrizi, që kërkon më në fund bërjen serioze të lustracionit.

Maxhoranca e majtë dhe drafti i përgatitur duket se më shumë ka qëllim akademik dhe studiues sesa transparencën për njerëzit përgjegjës për krimet e komunizmit. Është e kuptueshme kjo shtysë e qeverisë për t’i vënë kapak një plage që e ka mes radhëve të saj, por jo vetëm.

Edhe e djathta është e mbushur me ish bashkëpunëtorë të sigurimit dhe njerëz me dosje që edhe sot e kësaj dite falë pafytyrësisë së tyre, vazhdojnë ti bien veglave dhe melodisë së dikurshme kur në emër të partisë vrisnin e prisnin në mos njerëz, karriera individësh të pafajshëm.

Të njëjtët dosjembajtës sot shfrytëzojnë aftësitë e tyre të raportimit të dikurshëm për analiza dhe opinionbërje, kryesisht afër veshëve të kryetarit të radhës, të cilin e furnizojnë me variantin e radhës, për të vërtetën e radhës. Këta individë, të rrezikshëm në komunizëm, por edhe më të dëmshëm në demokraci, vazhdojnë të kenë gisht në përdorimin e së vërtetës për interesa personale. Ata shpikin personazhe e ngjarje dhe i shkruajnë në disa versione në kohë të ndryshme, vetëm për t’i shërbyer interesit të momentit.

Dosjemajtësit duhet të zhduken nga skena publike e politike. Madje ata nuk duhen lejuar t’i afrohen brezave të rinj me versionet e tyre të ngjarjeve, pasi nga stili i komunizmit kanë trashëguar vetëm njollosjen e të pafajshmëve dhe glorifikimin e mëkatarëve. Disa prej tyre kanë bërë zgjedhje të pranueshme duke iu shmangur jetës publike dhe kjo është më e pakta që duhet t’i kërkohet edhe atyre që kur njerëzit vinin jetën në rrezik për demokracinë ata qëndronin pranë tyre për t’i spinuar. Edhe sot janë pranë tyre, për ti manipuluar dhe ushqyer me dokrra prej ideologësh gjoja të talentuar, që shqetësim parësor kanë të punësojnë të afërmit e tyre apo të shtojnë pasurinë private përmes mashtrimeve publike.

Koha e këtyre individëve që i njohin të gjithë dhe i amnistojnë po të gjithë, duhet të marrë fund. Sigurisht që jo të gjithë i vlerësojnë dhe të shumtë janë ata që ua njohin të shkuarën e pisët, porse procesi i katarsisit duhet të prekë edhe këtë kategori që ka gisht edhe në të zezat e demokracisë më të njëjtin proces manipulimi të mendjes dhe të fakteve.

Pakgjë ka ndryshuar për ta, fatkeqësisht. Ndaj është emergjente dhe e pashmangshme që ndryshimi duhet të nisë me përjashtimin nga jeta publike dhe statusi i mendjedhënësit, për cilindo që morali vetjak nuk e ka futur në burgun e heshtjes, aty ku në fakt i takon të qëndrojë tani e tutje.

SHKARKO APP