Të gjithë duan të shkojnë në Gjermani
20.000 vende pune në vit do të ofrojë ministrja gjermane e Punës Andrea Nahles për njerëz nga Ballkani Perëndimor. Interesi është i lartë.
20.000 vende pune në vit! Për njerëzit në vendet e Ballkanit Perëndimor kjo tingëllon si një thirrje për t'u nisur për në "Tokën e Premtuar". Sepse në Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni dhe Shqipëri mbrizotëron në shumë vende ideja se Gjermania është një vend ku mund të gjesh një jetë më të mirë.
Në Kosovë, prej nga kanë ardhur muajt e fundit shumica e refugjatëve nga Ballkani në Gjermani, njoftimi i ministres gjermane është kuptuar si një impuls pro-evropian. Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka theksuar se në qoftë se Berlini e vë në jetë një ide të tillë, kjo do të ketë efektet pozitiv për kosovarët. "Kjo do të përfshijë mesazhin që ne i përkasim Evropës", thotë Gërxhaliu. "Por do të ketë gjithashtu edhe një dimension ekonomik. Nëse nuk ka investime të drejtpërdrejta në Ballkan, të paktën mund të lehtësohen apo të përshpejtohen në këtë mënyrë disa nga proceset në rajon." Situata ekonomike në Kosovë nuk është e mirë dhe aty ka gjithnjë e më pak investime të huaja. Mundësia e punësimit në Gjermani do të jetë për shumë të rinj nga Kosova një dritëz shprese, thotë Gërxhaliu.
"Kush largohet një herë, nuk kthehet më kurrë"
Jo kaq pozitivisht e sheh këtë, profesorja e ekonomisë nga Maqedonia Marija Zarezankova-Potevska. Ajo paralajmëron prej pasojave negative të iniciativës së ministres Nahles për vendet e Ballkanit Perëndimor. Edhe pse migrimi i drejtpërdrejtë i punës do të thotë një relaksim afatshkurtër, sepse do të largohen edhe punëtorë të pakualifuar dhe të papunë, nga ana tjetër, kështu mund të ndryshojë edhe struktura demografike, "sepse vendet e Ballkanit nuk janë vende të mëdha". Nëse i lejojmë njerëzit e shkolluar të largohen: duhet gjithashtu të jemi të vetëdijshëm se ata nuk do të kthehen përsëri. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme, që në perspektivë afatgjatë për këta njerëz "të gjehen zgjidhje në vendet e tyre".
Fakti që Andrea Nahles dëshiron tani të vërë në dispozicion çdo vit vende pune për 20.000 vetë nga Ballkani Perëndimor është një vendim logjik, thotë Erol Mujanovic, ekspert i tregut të punës nga Bosnja dhe Hercegovina. Punëtorët emigrantë nga vendet e Ballkanit kanë dëshmuar se janë të zellshëm; në Gjermani ata janë gjithashtu të integruar shumë mirë. Punëtorët nga Ballkani Perëndimor do të thotë "një fitim i plotë" për ekonominë gjermane, mendon Mujanovic.
Edhe ai është i vetëdijshëm se largimi i punëtorëve të rinj do të thotë humbje për vendet e tyre të origjinës "por patjetër është më mirë që ata të shkojnë në Gjermani për të punuar, në vend të të qenit i papunë në Bosnjë dhe Hercegovinë." Mujanovic thotë se ata sjellin para në vendlindjen e tyre dhe këto nxisin ekonominë.
Larg nga "Ballkani i çmendur"
Vlerësimi i Mujanovićit ndoshta pasqyron mendimin e shumicës së popullsisë. Për vite të tëra vendet e Ballkanit vuajnë nga papunësia e lartë. Në deri në 50 për qind vlerësohet se është shkalla e papunësisë së të rinjve në Bosnjë dhe Hercegovinë. Kosova ende renditet ndër vendet më të varfra në Evropë dhe perspektivat për të rinjtë në Maqedoni, Shqipëri apo Serbi janë gjithashtu të zymta.
Kjo duket edhe nga përgjigjet ndaj idesë Nahles në internet. Kështu një student nga Sarajeva shkruan në Facebook, ai do të largohej menjëherë po të kishte mundësi, vetëm "për të mos parë më politikanët tanë. Unë dua të largohem nga ky "Ballkan i çmendur ". Të tjerë e konsiderojnë idenë e një kuote të caktuar si "të marrë" dhe theksojnë se duhet në një mënyrë apo tjetër të përpiqesh për të gjetur punë në Gjermani.
Rrjetet sociale përhapin lajme
Në rrjetet sociale, megjithatë gjen gjithashtu edhe komente për përvojat personale për gjetjen e një pune në Gjermani. Ajo që vihet shpesh në dukje është se punësimi në Gjermani lidhet me shumë kushte. Informacioni për iniciativën e ministres Nahles i botuar në faqen e DW serbisht në Facebook u nda më shumë se 100 herë. Kurse mediat në vendet e Ballkanit deri tani reagojnë me ngurrim për njoftimet nga Gjermania. Informacioni është botuar në portalet më të mëdha në internet, por nuk ka komente. Ndoshta njerëzit presin që të shohin se çfarë vendimi do të marrë në këtë drejtim Berlini.
Megjithatë, çfarëdo vendimi të merret për iniciativën e Andrea Nahles, duke pasur parasysh numrin e madh të të rinjve që dëshirojnë të emigrojnë prej Ballkanit Perëndimor, ky proces është ndoshta i pandalshëm. Gjermania është zgjedhja e tyre e parë. Nëse kjo nuk funksionon, shumë të rinj duan ta provojnë fatin e tyre diku tjetër. Kryesisht në Perëndim dhe larg nga Ballkani.
(Marre nga radio gjermane "DW")