Të gjithë e paskan ditur! Përse bërtasin tani?

Sa më shumë kohë kalon, nga akuza e Tom Doshit, për një skenar të përgatitur për eliminimin e tij, aq më shumë shtohen zërat (natyrisht nga politika e lartë) se, kanë patur dijeni lidhur me këtë plan. I fundit në këtë rradhë është shefi i opozitës në parlament, ish-kryeministri Sali Berisha, i cili tha se, “tre muaj më parë ishte vënë në dijeni për planin e hartuar për vrasjen e Doshit, nga kryetari i kuvendit, për t’ia faturuar atij personalisht…Nuk u shqetësova, meqë afera ishte mes jush dhe ju po e mbyllni”.

Pra, pasi kryeministri, kryetari i kuvendit dhe ministri i brendshëm deklaruan se, kishin dijeni për këtë plan, të denoncuar nga vetë Tom Doshi, na del edhe opozita që ka patur dijeni. Pavarësisht se, Berisha deklaron se, e ka denoncuar këtë gjë në parlament, gjithmonë me nënthënie dhe me shpoti (më shumë për të ngacmuar shumicën), kryetari i kuvendit, Meta i kujtoi përmes pyetjes “përse nuk e ke denoncuar në prokurori”?

Pyetja më duket e pavend, pasi nuk kemi parë ndonjëherë, që akuzat e përditëshme që shefi i opozitës në parlament, hedh të kenë përfunduar ndonjëherë në prokurori. Pavarësisht se, ai mund të jetë personi më i mirinformuar në vend (veçanërisht për çështje që lidhen me pisllëqe), ka preferuar gjithmonë që “t’i denoncojë” në kuvend, apo përpara gazetarëve, asnjë herë përpara organeve të drejtësisë.

Nuk e kuptoj gjithashtu, heshtjen e gjatë të PD-së (nënkupto Berishën), lidhur me këtë ngjarje, pasi në rradhë të parë pretendon se, ishte në plan t’i faturohej atij. Nuk e di se kush mund të pëlqejë diçka të tillë, sa të mos shqetësohet, aq më tepër kur një “skandal” me këto përmasa, mund të përdorej edhe për qëllime politike, apo elektorale, nga çdo opozitë.

Heshtja me qëllim të bën të implikuar, në këtë skenar. Një analizë logjike, do të justifikonte mos reagimin e Ramës dhe të Metës (ndonëse dëshmohet se janë interesuar për ish-mikun e tyre, por kanë zbuluar farsën e tij), të cilëve nuk u intereson çarja, apo përçarja Brenda koalicionit qeverisës. Por, është tërësisht e pashpjegueshme, mos reagimi i opozitës, apo reagimi shumë i vonuar i saj, që ndoshta është bërë vetëm për arsye llogarishë të pista (elektorale, apo jo).

Të bërtasësh tani, pas 6, 5, apo 3 muajsh, nuk të lehtëson nga pesha e vrarjendërgjegjes (pasi kjo është fjalë e huaj për opozitën), aq më tepër kur, objekt i sulmit (me skenar, a farsë ende pa qëllim të qartë), paska qenë dhe një deputet i opozitës. Ky i fundit, ashtu si shefat e tij, muaj më parë, u duk i çoroditur dhe pranoi vetëm të deklaronte pak gjëra, thuajse edhe ai nuk ishte i shqetësuar se “do të mund të eleminohej”, kohë më parë.

Duket qartë se, zgjedhja e opozitës për të bërtitur tani, lidhet me faktin se, do të tregojë që është ende e gjallë (në të vërtetë është akoma në gjum), ndoshta për të rikthyer bojkotin e parlamentit, të cilin e ndërpreu vetëm në fund të dhjetor (kohë kur Doshi, me Ramën e Metën, i kishin punët vaj, megjithë atentatin në tentativë kundër tij). Opozita kërkon të përfitojë kapital politik edhe për zgjedhjet lokale, duke inkriminuar shumicën parlamentare e qeverisëse, thua se dekriminalizimi nuk e përfshin atë vetë, apo është imune nga ky fenomen.

Robert Prifti. "Pol-al.com"

SHKARKO APP