Të gjithë me studentët, por gjithçka ka një çmim, asgjë nuk është falas

Nga Lorenc Vangjeli

Komunizmi ka pothuaj 30 vjet që ka rënë, por kapitalizmi ende nuk i ka zënë vendin komunizmit si sistem të menduari. Mbi të gjitha, në marëdhënien e komplikuar dhe tmerrësisht shpesh hilacake, gënjeshtare e hipokrite që ka krijuar individi shqiptar me shtetin e tij të papërkryer.

Tabloja normale duhet të ishte:

Një marëdhënie e kushtëzuar, e cila nis e mbaron në dy skaje segmenti: ndrysho me votë dhe paguaj taksa!

Një marëdhënie reciproke, e cila duhet të ketë si kryefjalë “fatkeqe” një aksiomë të pandryshueshme: taksat paguhen gjithmonë, gjithçka paguhet, gjithçka e ka një çmim, të cilin e kontrollon dhe e qorton me votë. Minimalisht njëherë në katër vjet.

Edhe në komunizëm nuk kishte asgjë falas.

As arsimi dhe as shëndetësia, nuk ishin falas siç thoshin demogagogët dhe siç besonin naivët.

Shteti që nuk lejonte votën, lekët i merte nga taksat e padukshme të mbajtura direkt tek paga mizerabël me të cilën paguante individin.

Të kërkosh sot shërbime falas është më shumë se naivitet!

Të premtosh sot shërbime falas është më shumë se demagogji!

Të ëndërrosh të marësh shërbime falas është marrëzi!

Nuk mundet që të ketë universitete falas!

Arsimi i lartë nuk është e drejtë e cilitdo. Statusi i studentit kushtëzohet qoftë nga talenti individual, qoftë dhe nga xhepi familjar. Përjashtim do të bënin vetëm nxënësit e varfër, por të shkëlqyer të cilët duhen të paguhet si investim i përbashkët për shoqërinë nga xhepi i solidaritetit të shoqërisë.

Të hysh në universitet nuk do të thotë se duhet të dalësh me diplomë nga auditorët.

Perëndimi, dilema të tilla i ka zgjidhur prej kohësh. Në Shqipërinë e politikanëve populistë, të parrullës çdo gjimnazist është një student, shumica e studentëve janë minipiramida financiare që investojnë para për diçka që nuk do ta marin kurrë mbrapsht.

Protesta e studentëve është një shkas për të kuptuar qartë se sot po korret çfarë ka mbjellë marrëzia kolektive dhe populiste në Shqipëri; një marrëzi që ka kaluar si stafetë nga një qeverisje në tjetrën, nga e djathta në të majtë e anasjelltas. Marrëzi ka qenë dhe është qëndrimi kriminal ndaj pronës publike dhe grabitësve të saj në vite që sot kanë prodhuar Astirin, Shkozën dhe një Shqipëri të tërë më të vogël se në 1990-ën dhe shumë më të varfër sot në krahasim me çfarë duhet të ishte për shkak të tokës së keqpërdorur po kriminalisht; marrëzi është masivizimi i arsimit të lartë, që ka dhënë iluzionin e katër vjetëve lumturi për të rinjtë dhe familjet e tyre dhe duke i shndërruar poststudentët në mina sociale që shpërthejnë papritur.

E parë në këtë prizëm, protesta e studentëve është një pasuri kombëtare.

Studentët janë termometri ideal që mat temperaturën e shoqërisë. Ky termometër sot dëshmon paaftësinë e kësaj qeverisjeje që në vitin e pestë të saj as nuk mundi të pastrojë haurin dhe kaosin që trashëgoi nga e shkuara dhe as nuk gjeti kurajon për t’u ngritur mbi arrogancën e numrave të saj. Që nuk mundi të krijojë bindjen se pushteti nuk është pronë. Se shteti jepet me qera vetëm për t’u administruar dhe se administrimi është shumë më shumë se të shtrohen rrugë apo të shtohen ilaçet në spitale. Që nuk ja ka dalë të kuptojë se administrim është dhe orientimi i shoqërisë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm, sipas të cilit, nuk duhet paguar pafund për të prishur e për të ndrequr dhe se në Shqipëri, mijëra juristë a qindra gazetarë që prodhohen çdo vit nga universitetet, kanë në xhep vetëm një letër pa vlerë që nuk vlen për asgjë në jetë.

Zgjidhja nuk vjen nga ulja 10, 20, 30 apo 99 për qind e një tarife apo heqja e një tarife tjetër që kërkohet në protestë. Zgjidhja vjen nga zgjedhja për të reflektuar mbi nevojën ulëritëse që ka vendi për të rithemeluar demokracinë në vend. Duke nisur nga themeli i saj vota dhe duke vazhduar me shenjtërinë e themelit tjetër të saj që është pagimi i taksave.

Instikti i studentëve, me gjasë po dëshmon pikërisht këtë krizë të shoqërisë së sotme shqiptare. Studentët e dhjetorit të 28 vjetëve bënë pikërisht këtë gjë. Identifikuan krizën. Studentët e sotëm, nëse qëndrojnë vetëm tek paratë e xhepit dhe nuk qortojnë marëdhënien hiprokrite që ka krijuar individi me shtetin dhe shteti me individin, fatkeqësisht do të jenë vetëm pak më shumë se “ngelës”, siç i quajti Rama në fillim dhe shumë më pak se “revolucionarët” që i ëndërron Basha të jenë.

Studentët janë në moshën kur besojnë se mund të ndryshojnë gjithë botën dhe kanë lutjen e të gjithëve për të ndryshuar sa të mundin amullinë e përbaltur që ka ndërtuar në Tiranë një klasë politike kryesisht e dështuar. Por nëse ata kërkojnë të ulin, fjala vjen, mesataren nga nëntë në shtatë, për të fituar të drejtën e doktoraturës, ata e kanë bërë për xherah vetë kauzën e tyre instiktive.

Evolucioni dhe revolucioni ka kosto.

Studentët duhet të fillojnë nga pagesa e kostos së tyre për shkollim. Duke i marë nga prindërit apo duke qenë studentë ditën dhe ndoshta kamarierë natën për të fituar ca para që të paguajnë studimet e ditës. Natyrisht me tarifa të diferencuara dhe me kërkesë llogarie për mënyrën sesi shpenzohen ato para.

Të gjithë ata që janë në rrugë duhet të kuptojnë një gjë të pandryshueshme: në mos ata direkt, dikush tjetër duhet të paguajë për shkollimin e tyre sepse në këtë botë nuk ka asgjë falas.

Duke perifrazuar Çelentanon, që këndonte: chi non lavora non fa l’amore, duhet pranuar se as gruaja nuk ja jep burrit pa kurgjë dhe as burri nuk ja mer xhaba gruas në shtrat.

As në komunizëm nuk ndodhte kështu. Dhe as nuk duhet ëndërruar të ndodhë ndryshe në kapitalizmin tonë hipokrit që po ndërtohet me mendësi komuniste.

Studentët e sotëm, që kanë lindur mbas ndryshimit të sistemit, kanë sot mundësinë që t’i japin shansin e vonuar shoqërisë shqiptare që të bëjë ndarjen përfundimtare me sistemin komunist të të menduarit të prindërve, administratorëve, deputetëve dhe qeveritarëve të tyre deri në kulmin e piramidës. Me shpresë se ajo që vjen pas, të jetë një kapitalizëm me fytyrë njerëzore dhe jo barbar dhe arkaik si kapitalizmi i sotëm shqiptar. Një sistem politik shëmbet edhe brenda natës siç ndodhi me karikaturën e komunizmit në Shqipëri, por një sistem të menduari, kërkon jetën e një brezi që të ndryshojë, siç nuk ka ndodhur ende në Shqipëri. Studentët e sotëm janë shpresa e këtij ndryshimi.

SHKARKO APP