Të gjithë nga një shkollë kanë dalë
Nga Sadedin Çeliku/Janë të shumtë politikanë dhe lider partish që flasin për demokracinë, por askush nuk ja ka bërë hesapin. PD nxori si lider një ish-sekretar partie dhe mjek të udhëheqësve politik të kohës së diktaturës. PS ishte një parti e vazhdimësisë, Partia Agrare, Partia Social Demokrate dhe ajo Republikane, parti ish-komuniste ose pjellë e PPSH. Pra, shkurt llafi, nuk ka shans të mburret kush se çfarë është dhe çfarë përfaqëson në një parti politike shqiptare. Po të qe kaq nuk do ishte keq, por shfaqen disa fenomene që e dëmtojnë demokracinë.
Zgjedhjet me përjashtim të atyre që u mbajtën në vitin 1991 dhe 1992, në të gjitha rastet janë deformuar, vjedhur dhe censuruar nga PD dhe lideri saj Sali Berisha. I kemi parë të votohet me certifikata të vulosura në rrugë dhe me emra shqiptarësh emigrantë. I kemi parë të rrihen komisionerët e qendrave të votimit e të burgosen sepse kërkonin zgjedhje të ndershme siç qe rasti i zgjedhjeve të vitit 1996. Kemi parë se si u zgjodh Berisha President në kushte krize në vitin 1997, por kemi parë dhe të ngrihen avionë e tanke kundër shqiptarëve që kërkonin zgjedhje të lira e të ndershme, kërkonin paratë e tyre, por kërkonte të ndalte njëherësh dhe vazhdimin e diktaturës postkomuniste të instaluar nga neodemokratët. Kemi parë dhe të digjen redaksi gazetash apo të vriten njerëz të pafajshëm në mes të bulevardit. Kësisoj edhe pse pas çerek shekulli, Shqipëria fatkeqësisht nisi rrugën e krizave të cilat edhe pse jetojmë në kohë moderne, përsëri nuk kanë të ndalur ato.
Kurrë dhe asnjëherë nuk janë deformuar e vjedhur zgjedhjet nga PS dhe kurrë nuk janë dhënë porosi të deformohen ato. Janë të tjera forca politike dhe sot që i kanë deformuar ato, madje ka sjellë në krye të qeverive hajdutë të pasurisë publike, që pengojnë zbatimin e reformave të drejtësinë, ushqejnë bojkotin jo vetëm në parlament por janë gati ta shtrijnë atë dhe në zgjedhjet e 18 qershorit. Pikërisht janë këta zotërinj që bërtasin e ulrasin për demokracinë dhe zgjedhjet e ndershme, janë këta që duan ti shpëtojnë ndëshkimit nga drejtësia që instaluan po vetë ata. Por ka dhe nga ata që shtiren si presidentë dhe bëjnë sikur dalin mbi palët, nga ata që nxisin eksport-importin e deputetëve, këshilltarëve dhe hemorragji të tjera që s’kanë asgjë të përbashkët me demokracinë. Lufta e paprecedentë dhe aspak parimore brenda së majtës e ka dëmtuar mjaft të ardhmen e tyre edhe pse ato sot qeverisin bashkë. Lëvizja e deputetëve nga një forcë politike në tjetrën, dhe e qindra këshilltarëve në nivel lokal është e pamoralshme dhe korrupsion elektoral. Rastet e deputetëve kanë qenë të shumta si lëvizjet e Paulin Sterkaj, Kadeli, Islami, Doda, Braho, Dogjani, Zela, Legisi, Koja, Brokaj, Duka etj.
Sigurisht kjo s’duhet lejuar madje, është abuzim sepse ofendon mijëra zgjedhës, të cilët me votën e tyre i kanë besuar asaj force politike që e kandidon dhe nxitja për të hartuar e miratuar një ligj për ndalimin e saj nuk do ishte keq. Natyrisht kemi parë të ndodhin dhe në vende me demokraci të konsoliduar por ato kanë ndodhur për çështje parimesh ose për interesa kombëtare. Tashmë shfaqet dukshëm opozita brenda pozitës, kundërshti edhe kur ajo voton në maxhorancë, shfaqet lehtësisht qëndrimi politik pro e kundër jo vetëm në parlament por dhe në qeveri dhe jashtë saj, apo siç thotë populli, qëndrim as mish dhe as peshk. Kjo është e patolerueshme dhe vështirë që e ndesh në shumicat e tjera qeverisëse në Europë. Vonesa e miratimit të reformës në drejtësi, thirrjet për bojkot e bllokim të Parlamentit e zgjedhjeve nga ai që ka gjynahe për të larë, thirrjet për përdorim dhune kudo dhe në çdo gjë, thirrje për qeveri teknike kur nuk kemi të bëjmë me krizë, janë të papranueshme pse jo dhe antikombëtare. Pjesëmarrësit e ndershëm e të mashtruar të çadrës, nuk përfaqësojnë popullin dhe nuk duhet të flasin në emër e për llogari të tij, sepse, ai, populli nuk po e mbështet aksionin politik të opozitës. Si qytetar i këtij vendi më vjen keq që shoh vendin tim të vuajë sindromën e krizave artificiale të sajuar nga plaku i PD. Ai nuk duhet dëgjuar më se mosha ka bërë punën e vet dhe pengu që ai mban është dëm i madh për Shqipërinë e shqiptarët.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe të gjithë faktorët politik që e duan vërtet Shqipërinë duhet të distancohen nga veprimet apolitike e segmente të caktuara që kanë si qëllim destabilizimin e vendit dhe përkundrejt asaj duhet t’i japin mundësinë shqiptarëve të votojnë partinë dhe njerëzit që duan, ndryshe do bëheni përgjegjës për gjithçka ndodh në vendin tonë.