Të gjithë po tallen me “heroin” Ballist Morina
Nga Andi Bushati
Ismail Morina nuk ka qenë kurrë heroi që kërkuan të na shisnin patriotët e shtirë të Tiranës. Ai nuk është as një simbol, as një pararendës i Shqipërisë natyrale, dhe as njeriu që i dha tre pikët ekipit tonë në Beograd. Ai është thjesht një aventurier pozitiv, në kërkim të famës së shpejtë. Një djalë që mëton të hakmerret ndaj fatit të tij prej emigranti të zakonshëm. Një tifoz në ndjekje të bujës (edhe kur kacavirrej mbi telat e stadiumit slloven edhe kur ngriti dronin mbi Beograd, edhe kur i tregoi Nev York Times alltitë e tij pa leje). Në të gjitha rastet kur ky personazh romanesk është vënë nën dritën e projektorëve, ai ka ka luajtur një lojë që e kapërcente peshën që mund të mbanin shpatullat e tij. Në të gjitha rastet kur është shfaqur në publik, ai ka kapërcyer sfidën që mund të përballonte inteligjenca e një njeriu që kish braktisur vinçin në Itali, për të jetuar si tifoz profesionist në Shqipëri. Dhe tani, përmasa e famës që kërkoi, po i kthehet mbrapsht. Ai e ngriti veten si një dron, përjetoi dehjen dhe ekstazën e lartësisë, por papritmas vuri re që i kishin marrë telekomandën. Ai nuk është më zot i fatit të tij.
Në fakt ky fluturim pa kontroll nisi që në Beograd. Çmenduria serbe, symbylltësia nacionaliste, vrapoi ta konsiderojë aventurën e tij gjysëm mitomane dhe gjysëm çamarroke si një “provokacia” ndërkombëtare. Ai u bë pjesë e një konspiracioni me vëllain e kryeministrit shqiptar për të prishur marëdhëniet mes dy vendeve. Për të u shkëmbyen nota proteste, deklarata të nivelit lartë dhe u shtynë takime dypalëshe me pritshmëri historike. Këtë famë butaforike të fryrë nga idoitësia e nacionalistëve serbë e përqafuan në sens të kundërt patriotët fallco në Tiranë. Me moton armiku i armikut tim është heroi im, dhe ata pompuan tollumbacen e tyre. “Ballisti” u shndërrua në simbol, bëmat e tij u kthyen në legjenda, orët që kish ndenjur i fshehur në akademinë ushtarake të Beogradit u treguan me detaje, videoselfiet e tij me përgatitjen e “gjëmës” u shpërndanë në celularë. Shkurt, ai u shpall një mbajtës i denjë i “flamurit më të bukur në botë” dhe për të shpërblyer patriotizmin e tij u hapën llogari bankare. Ndaj kur erdhi çasti që serbët të na kthenin vizitën në Shqipëri, fabula e Ismailit aventurier ishte zëvendësuar me atë të Ballistit hero. Aq i madh qe ky kapërcim, aq shumë bujë kish bërë kjo trajektore e denjë për këtë rajon që prodhon më tepër histori sesa është në gjendje të konsumojë, sa për të vendosi ta rëfejë edhe Nev York Times. Besnik ndaj instiktit që e shtynte drejt famës me çdo çmim, Ismail Morina pranoi të tregojë për të përditshmen e referencës në SHBA. Madje të bëjë edhe shumë më tepër sesa kaq: të pranojë se përpara ndeshjes flakëndezëse të Ballkanit, ai shëtiste i lirë me armë pa leje.
Ky qe gabimi i tij fatal. Akti i fundit i një protagonizmi të verbër. Kjo qe dhe pika kur telekomanda e ballistitdron ra në duar të pamëshirshme. Me të filluan të tallen të gjithë. E para qeveria shqiptare. Ismail Morinës iu vunë prangat, jo për dy armët që mbante pa leje (atë autoritetet që e kishin në vëzhgim e dinin prej kohësh), por se guxoi ta tregonte këtë fakt botërisht. Ai nuk u burgos se qe shoqërisht i rrezikshëm, ai e pësoi sepse të tjerët mund ta përdornin si të tillë. Ai pati fatin e keq të mendjelehtit që hyn në një bankë me revole plastike dhe që dënohet për të friksuar hajdutët e vërtetë. Ai u përdor si kavie, për të shmangur një eksperiment më të rrezikshëm. Por loja nuk mbaron këtu. Duke shfrytëzuar zemërimin e patriotëve naivë që protestonin për arrestimin, LSIa i doli në krah Ballistit, thjeshtë për ti futur një kunjë më tepër Ramës. Keq e përdori fatin e tij të mjerë edhe ish kryeministri Berisha. Ai e çoi sarkazmën në skaj duke deklaruar se ndaj Ismail Morinës kish ndodhur një komplot ndërkombëtar dhe se arrestimi i tij i ish kërkuar Edi Ramës nga vetë Aleksandër Vuçiçi. Jashtë loje nuk mund të mbetej as Lulzim Basha. Ai kërkoi lirimin e menjëhershëm. Në talljen me fatin e këtij aventurieri të mjerë, që u rokullis nga qiejt e Beogradit në basifondet e qelive shqiptare, nuk nguroi të merrte pjesë as presidenti Nishani. Ai u justifikua se amnistitë i bënte parlamenti dhe se tani për tani Ballisti nuk mund të lirohej dot me firmën e kreut të shtetit. E ndërkohë që “heroi” është në burg të gjithë vazhdojnë të luajnë, për qëllimet e tyre. Grupet e tifozëve që duan të fitojnë më shumë peshë, tani që do ndahen edhe biletat për në Francë, kanë filluar të mbledhin firma për lirimin e tij. Opozita, Presidenca dhe aleati i madh i koalicionit qeveritar duan të fitojnë pikë dhe bëjnë sikur përgjërohen për të. Socialistët që i kanë dhe deputetët me armë pa leje, bëjnë rolin e atij që nuk ka kompromis me ligjin. Të gjithë tallen për interesat e tyre, jo me Ismailin e mjerë që gjendet i burgosur, por me aureolën që Ballisti i Beogradit ka lënë midis nesh. Të gjithë vazhdojnë të luajnë. Ashtu si ekstremistët serbë që guxuan ta shpallin terrorist të rrezikshëm, një aventurier naiv. Ashtu si pseudopatriotët shqipëtarë që gjetën një baner për tu identifikuar. Ashtu si politikanët e të gjitha krahëve sot. Sepse të gjithë atyre, Ismail Morina, ua la kokën e tij në tepsi gë argjendtë, duke tentuar një histori më të madhe sesa ajo që mund të prodhonte. Një fabul më të gjere se përmasat e tij. Për shkak të hakmarrjes ndaj të shkuarës së vet, sensit ekstrem të lojës, protagonizmit të tij xhenuin, ai u la në dorë telekomandën e Ballistit. Ndaj tani të gjithë e valëvisin si dron.
"Lapsi.al"