Të mërziturit nga përballja e guximshme politike

Nga Mero Baze

Kryeministri Edi Rama ka arritur një fitore politike të spikatur, duke marrë një qëndrim politik parimor ndaj një presioni ordiner që vinte nga nëntoka e politikës shqiptare. Ai ka guxuar të përballet me një prej deputetëve të tij, gjeografikisht të rëndësishëm, i cili i dha fund konfliktit të heshtur me të, duke e përjashtuar nga radhët e Grupit Parlamentar dhe duke marrë përgjegjësinë për bashkëpunimin e derisotshëm politik me të.

Përballja e kryeministrit Edi Rama dhe mospranimi i shantazhit politik prej deputetit Doshi, është një pikë e fortë kthese në raportet e qeverisë me deputetët problematikë të Kuvendit dhe një guxim politik, për të dëshmuar se qeveria i ka duart e lira për të vepruar në emër të ligjit. Kjo i jep fund debatit për gjërat që do trondisnin vendin dhe rikthen vëmendjen tek ata që janë mërzitur realisht nga përballja e guximshme politike.

I mërzituri i parë, madje papritmas fare agresiv, ishte në Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste. Ai ishte deputeti Ben Blushi. Nervozizmi i tij sipas dëshmive ishte ekstrem në debatin me Edi Ramën dhe kjo ka një shpjegim. Deri më sot Blushi ka pasur si tezë themelore bashkëpunimin Rama-Doshi dhe ka shpjeguar çdo mossukses të tij ndaj Ramës, me faktin që Rama kishte afër njerëz të fortë si Doshi. Këtë e ka pasur objekt debatesh dhe me diplomatë të huaj. Nuk është se nuk ka pasur shumë të drejtë, megjithë ekzagjerimin për ndikimin e Doshit tek Rama. Ajo që ka pritur Blushi, është në fakt ajo që kemi pasur frikë të gjithë, që Rama nuk do guxonte të përballej me Doshin. Fakti, që e bëri me guxim dhe mori vet përgjegjësitë, ka çarmatosur praktikisht kundërshtarët e tij brenda partisë ashtu si dhe skeptikët e tij. Pas kësaj Blushi tentoi ta sfumojë anën parimore të kësaj lufte dhe ta banalizojë si prishje të dy shokëve që kishin folur për vrasje. Një banalizim, që vjen jo vetëm nga nervozizmi i situatës së papritur pozitive që krijoi Rama me këtë akt, por dhe nga mbështetja e fortë ndërkombëtare dhe kombtare që mori pas kësaj. i vetmi shans që Blushi ta minimizonte këtë ishte ta paraqiste si gjest jopolitik dhe si humbje për PS-në. Në të vërtetë, ky është i vetmi gjest politik i fortë i Ramës brenda PS-së dhe e vetmja fitore bindëse dhe e guximshme e PS-së në betejën e saj për tu ballafaqur me problemet dhe jo për t’i shmangur ato.

I mërzituri i dytë i madh për nga koha, por shumë herë më tepër sesa Blushi ishte Berisha. Qysh pas takimit me Doshin, kur ky i fundit e ka njoftuar për “bombën” që do të hidhte, Berisha ka filluar ta “besojë” Doshin për akuzat e tij. Dhe për ta sfumuar fitoren politike të Ramës, Berisha u fokusua tek atentati i shpikur i Doshit. Ndoshta Doshi nuk ia ka treguar të gjitha, por ai në fillim akuzoi si financues të atentatit kunatin e tij, Agim Ramën, i cili për hirë të së vërtetës është një njeri në punë të vet dhe s’ka asnjë lidhje me këtë histori. Pastaj iu duk më interesant Ilir Meta dhe shpiku atë, si financues të diçkaje që nuk ka ndodhur.

Mërzitja e Berishës është e kuptueshme. Ai nuk arriti ta përdor dot Doshin në mënyrën që donte ai, pra ta mbante si shantazhues të Edi Ramës dhe të dërrmonte shumicën, duke hamendësuar përse shantazhohej Rama. Atij thjesht i plasi bomba në dorë, në vend që t’i plaste Ramës në tryezë. Dhe tani ka arsye të bëjë sikur beson skena me atentate dhe dinamit të paplasur. E vërteta është se Berisha kudo ku ka vënë dinamit, i ka plasur.

I mërzituri i tretë i madh, duhet të jetë Basha. Ky jo aq për atë që e gjeti Tomën dhe as për zhgënjimin e Berishës, por për faktin se kusuret e Tomës duhet t’i heq dhe ai në parti. Basha drejton formalisht përmes Bylykbashit Komisionin Parlamentar për Dekriminalizimin e Kuvendit dhe tani do t’i duhet, sipas rekomandimeve të BE-së e SHBA, të spastrojë aty deputet me rekrode kriminale. Dhe kështu, duke u nisur t’i hiqnin vetullat PS-së, i nxorri sytë vetes, se së paku duhet të dorëzojë Mhill Fufin pranë këtij komisioni. Por problemin më të madh, ai e ka të manovrojë mes qëndrimit ndërkombëtar dhe kombëtar (shumë mbështetës pro qeverisë në këtë moment) dhe udhëzimit të Doktorit për t’i besuar më shumë Tomës, sesa SHBA. Kjo është një torturë e vërtetë, nga e cila shpëtohet vetëm duke u prishur me dikë, ose me Berishën, ose me opinionin publik ose me Perëndimin.

Por pavarësisht këtyre, përballja e sotme e Ramës me Doshin, ka për të lënë gjurmë të thella në politikën shqiptare, pasi i jep fund epokës së cubave në politik dhe delirantëve që duan të duken të rëndësishëm si njerëz që ndikojnë pranë Kryeministrit. Bashkë me Doshin, PS-ja sot është çliruar edhe nga paranoja e fuqisë së Kokëdhimës, që negocionte paqen dhe mosprerjen e kokave, me lehtësinë që flet për liberalizmin e kanabisit.Sot të gjithë janë më të lirë nga paranojat dhe më të qartë nga veprimi. Është një nga ditët më të mira politike të së majtës, që ka mundur të shmangë një KPD si ajo e viti 2001 dhe i ka kthyer dinjitetin shtetit shqiptar.

Gazeta Tema

SHKARKO APP